All for Joomla All for Webmasters

DISA FJALË PËR ALEGORINË (4)

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive. Vizita: 377

fShare
0
Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin për të dërguarin Muhamed, për familjen e tij, si dhe për të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

E dymbëdhjeta: Përgjigja e pohuesve të alegorisë për mohuesit e saj:

Fjala se çdo alegori është gënjeshtër e cila lejohet të mohohet, nuk është e saktë, por alegoria është gënjeshtër nëse e tregon kuptimin në mënyrë të vërtetë, jo në mënyrë alegorike; d.m.th.: nëse përdoret fjala "hënë" për shembull, për një njeri me pamje të bukur, kjo do të ishte gënjeshtër nëse do të thoshin se ai është hëna që është në qiell, por sigurisht që kjo nuk është për qëllim në alegori, por është për qëllim shëmbëllimi i tij me hënën në bukuri dhe bardhësi. Atëherë ku është gënjeshtra këtu?!

Po kështu edhe fjala "gomar" për një njeri të avashtë e të mangët, nuk është për qëllim se ai është gomar në formë dhe krijim, sepse përndryshe do të ishte e saktë që të mohohej kjo gjë dhe të thuhej se ai nuk është gomar, por njeri. Mohimi këtu i drejtohet dashjes së të vërtetës dhe jo kuptimit alegorik, gjë e cila nuk quhet gënjeshtër, sepse folësi solli argument për të treguar qëllimin e tij dhe për të larguar turbullirën.

Pastaj, dijetarët e gjuhës janë përpjekur në librat e tyre që të sqarojnë dallimin ndërmjet alegorisë dhe gënjeshtrës. Ata kanë rënë dakord se alegoria nuk është gënjeshtër, sepse ajo vendos një shenjë apo argument për të treguar se nuk është për qëllim kuptimi i vërtetë i shprehjes. Ndërsa në gënjeshtër, gënjeshtari përpiqet ta fshehë gjendjen e tij duke përdorur gënjeshtrën që do.

Dijetarët e gjuhës janë kujdesur jashtë mase për shenjat dhe argumentet e përdorimeve alegorike dhe i kanë nxjerrë ato fjalët e arabëve, duke i shqyrtuar ato shumë  hollësisht. Nëse alegoria nuk përmban shenja dhe argumente për mosdashjen e së vërtetës me përdorimin e saj, ajo është e pasaktë dhe e paqëndrueshme për shkak të mungesës së argumentit.

Fjala se alegoria është rrugë për mohimin e cilësive të Allahut dhe komentimin e tyre, nuk është argument për mohimin e alegorisë, sepse mohuesit e Cilësive nuk kanë argument për atë që thonë në mohimin e tyre.

Ata janë pasues të dëshirave e humbjes dhe ai që është në një gjendje të tillë pranon çdo vështirësi e përçmim për të arritur dëshirat e tij. Kështu që argumentimi i tyre me kuptimet alegorike për të mohuar cilësitë e Allahut është argumentim i kotë dhe i pasaktë. Ne e marrim alegorinë për argument kundra tyre dhe jo në favor të tyre.

Kështu që këtyre mohuesve të Cilësive u thuhet se origjina në fjalë është marrja e saj në kuptimin e vërtetë dhe të drejtpërdrejtë të saj i cili shkon në mendje përnjëherë me thënien e saj, përderisa nuk ka ndonjë argument që bën të detyrueshëm devijimin e kësaj fjale nga e vërteta e saj.

 

Pastaj, njerëzit e adhurojnë Allahun duke besuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe reale të argumenteve të Kuranit dhe Sunetit, përderisa nuk ka ndonjë gjë që e pengon këtë.

Prej këtu, këtyre mohuesve të Cilësive u thuhet se tekstet e sakta e të prera kanë pohuar Cilësitë e përsosura për Allahun e Lartësuar, si të Folurit, Dorën, Qëndrimin mbi Arsh, Zbritjen, Lartësinë, Kërcirin, Këmbën, Qeshjen, Gishtat etj.

Tekstet e ardhura për këtë nuk përmbajnë asnjë shenjë apo argument që t'i devijojë ato nga domethënia e tyre e vërtetë dhe e drejtpërdrejtë. Ato janë Cilësi të vërteta dhe të qëndrueshme për Allahun e Lartësuar, ashtu si i shkon për shtat Atij.

Pretendimi i këtyre mohuesve të cilësive se gjoja pohimi i Cilësive bën të domosdoshëm përngjasimin e tyre dhe se argumenti që pengon domethënien e tyre të vërtetë është pastrimi i Allahut të Lartësuar nga përngjasimi me krijesat e Tij, ky pretendim është i kotë dhe i paqëndrueshëm. Rrëzimi i tij duket qartë, sepse nuk është e domosdoshme që pohimi i Cilësive të Allahut të çojë në përngjasimin e krahasimin e Tij me krijesat e Tij. Krijuesi i Madhëruar ka Cilësi të cilat i shkojnë për shtat Atij, ndërsa krijesat kanë cilësi që u shkojnë për shtat atyre.

Pastaj, ardhja e teksteve të Cilësive në një numër kaq të madh, e bën të prerë se qëllimi me to është domethënia e vërtetë e tyre dhe e heq mundësinë e të dashurit me to kuptim alegorik, për shkak se ato tekste nuk e pranojnë as nga ana gjuhësore të qënurit e tyre me kuptim alegorik. Ato refuzojnë që të kapërcehet kuptimi i vërtetë i tyre.

Për këtë po marrim për shembull Fjalën e Allahut të Lartësuar: "Allahu i foli Musait një të folur." En-Nisa, 164.   

Nuk lejohet në asnjë mënyrë që të thuhet se të folurit e Allahut në këtë ajet është alegorike, për shkak se folja "foli" është përforcuar me emrin e nxjerrë prej saj "të folur" i cili tregon llojin.

Ebu Xheafer En-Nuhas thotë se dijetarët e gjuhës arabe janë bashkuar se nëse folja përforcohet me emrin e nxjerrë prej saj, ajo nuk është me kuptim alegorik, por e vërtetë e prerë.

Si të jetë kështu, ndërsa Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe kur Musa erdhi në vendin Tonë të shenjtë, atij i foli Zoti i tij." El-Earaf, 143.

Nga fjalët e Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë) për Fjalën e Allahut: "Atij të cilin unë e krijova me Dy Duart e Mia" Sad, 75.Ai thotë: "Nuk lejohet që "Duart" të komentohen me fuqinë, sepse fuqia është një cilësi e vetme dhe një cilësi e vetme nuk shprehet në numrin dysh. Si dhe nuk lejohet që të jetë për qëllim me "Dy Duart", mirësia, sepse mirësitë e Allahut nuk mund të numërohen.

Dhe nëse vepra i ngjitet vepruesit dhe folja bëhet kalimtare me parafjalën "me", si në Fjalën e Allahut: "Atij të cilin unë e krijova me Dy Duart e Mia" Sad, 75.Allahu e ka shprehur qartë se Ai e veproi veprën me Duart e Tij.

Nëse dikush thotë: "E ndërtova shtëpinë me duart e mia." Në këtë rast, është e domosdoshme që ai të ketë punuar vetë në ndërtimin e saj. Por nëse thotë: "Këtë shtëpi e kanë ndërtuar duart e mia", nga kjo fjali kuptohet që ai e ka ndërtuar atë me pasurinë e tij. Kështu që ndërmjet dy ndërtimeve të fjalive ka dallim."

Shkurtimisht, shembujt e kësaj natyre janë të shumta dhe me anë të tyre bëhet e qartë se tekstet e Cilësive të Allahut nuk e pranojnë alegorinë as nga ana e formulimit të tyre, as nga ndërtimi dhe as nga ngjitja e tyre Allahut të Madhëruar.

Si mund të ishte ndryshe, ndërsa pasuesit e sunetit janë bashkuar në pohimin e Emrave dhe Cilësive të Allahut të Lartësuar, si dhe në marrjen e tyre sipas kuptimit të vërtetë dhe jo atij alegorik?!

Ndërsa fjala se të gjitha shprehjet janë reale dhe me kuptim të vërtetë, apo se ndarja e tyre në të vërteta dhe alegorike është diçka e shpikur të cilët nuk e kanë pas njohur arabët, kjo duhet shqyrtuar:

Nëse është për qëllim se arabët nuk e kanë vendosur këtë term "alegori-mexhaz", kjo është e vërtetë, por nëse është për qëllim se ajo nuk ekziston në fjalët e tyre, kjo nuk është e vërtetë. Madje argumentet prej fjalëve të tyre në përdorimin e alegorisë janë më shumë se mund të numërohen, gjë për të cilën janë përcjellë argumente të shumta e të përhapura nga dijetarët e gjuhës.

Pastaj, fjala se ky term nuk është njohur, veçse pas tre brezave të parë të muslimanëve, nuk është i pranueshëm, sepse më shumë se një prej dijetarëve të gjuhës kanë folur për alegorinë në kohën e tre brezave të ndritur. Prej këtyre është Ebu Zejd El-Kurashi i cili ka vdekur në vitin 170 h.

Disa dijetarë të gjuhës e quajnë alegorinë me shprehjen "Shtrirja dhe hapësira në të folur".

Fjala se përdorimi i alegorisë çon në cilësimin e Allahut si kapërcyes në fjalë, kështu që nuk lejohet kjo gjë, kësaj fjale mund t'i përgjigjemi se: Kjo nuk është e domosdoshme, sepse përdorimi i alegorisë është i mundur vetëm me argument.

Pastaj, përdorimi i alegorisë në disa raste është thjesht term, dhe nuk është e domosdoshme ngjitja Allahut kuptimet e termave, përndryshe do të thuhej se Allahu është rimues, apo shembullues, sepse në Kuran ka rimë dhe shembuj të shumtë.

Këto ishin disa argumente të atyre që e ndalojnë alegorinë dhe përgjigja e pohuesve të saj atyre, në mënyrë të përmbledhur.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

12.07.2011

 

 

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com