All for Joomla All for Webmasters

NJOHJA E TEUHIDIT ULUHIJE

. Posted in Teuhidi i adhurimit.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Dijetarët islam e kanë bërë njohjen e teuhidit uluhije me shprehje të përafërta, vetëm se disa prej tyre janë më të gjata se të tjerat. Nga këto njohje që i kanë bërë dijetarët këtij teuhidi mund të përmendim:

1. Njësimi i Allahut me veprat e robërve.[1]

2. Njësimi i Allahut në adhurim.

3. Njësimi i Allahut në të gjitha lojet e adhurimit, të dukshme dhe të brendshme, qofshin fjalë apo vepra, si dhe mohimin e adhurimit ndaj çdokujt tjetër veç Allahut, kushdo qoftë ai.

4. Dijetari Abdurrahman bin Sadi (Allahu e mëshiroftë!) i ka bërë një përmbledhje të përgjithshme këtij lloj teuhidi, duke përmendur komentimin dhe shtyllat e tij ku ka thënë: “Sa i përket përcaktimit, komentimit dhe shtyllave të tij, ai është  që të dijë robi dhe të vërtetojë me një dije dhe siguri të plotë se Allahu është i adhuruari i vetëm dhe i vërtetë dhe se cilësitë hyjnore dhe kuptimet e tyre nuk gjenden tek asnjë nga krijesat e Tij dhe nuk i meriton ato vetëm se Allahu i Lartësuar.” 

Nëse kjo i bëhet e qartë dhe e pranon atë si të vërtetë, atëherë ai e njëson Atë me të gjitha adhurimet, të dukshme dhe të fshehta. Po ashtu, i kryen të gjitha detyrimet e dukshme të Islamit si: namazin, zekatin, agjërimin, haxhin, urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, respektimin e prindërve dhe ruajtjen e të drejtave të Allahut dhe të robërve të Tij.

Gjithashtu, ky person i përmbahet bazave të besimit në Allah, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e tij, Ditën e Gjykimit si dhe caktimin e Allahut të mirën dhe të keqen. Ky njeri, me kryerjen e këtyre veprave, nuk kërkon gjë tjetër veç kënaqësisë së Allahut dhe arritjen e shpërblimit të Tij, duke pasuar kështu të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selam).  Kështu, ai beson në çdo gjë për të cilën argumenton Kurani dhe Suneti[2]. Do t’i gjesh veprat e këtij personi që nuk dalin nga ato që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Po ashtu, ai është ndjekës i të Dërguarit në moralin, sjelljen heshtjen  si dhe në të gjithë veprat e tij.[3]

Hafidh el Hakemi ka thënë në poemën e tij të njohur:

Ky është lloji i dytë i teuhidit

Njësimi i Zotit të Arshit prej shoqërimit.

Allahu të jetë Zoti i vetëm që ti adhuron

I bindur se askush veç Tij këtë se meriton.[4]

 

Emrat me të cilat e kanë emërtuar dijetarët  këtë lloj teuhidi

1.Teuhidi uluhije; (sikurse kemi folur dhe më lartë) është emërtuar me një emër të tillë, për shkak të lidhjes së tij me Allahun, apo me të njësuarin, sepse ai është i ndërtuar në sinqeritetin e plotë ndaj të adhuruarit dhe dashurinë e madhe për Të, të vetëm pa shok. Kështu që, kjo gjë kërkon sinqeritet në adhurim.

2. Teuhidi i adhurimit; kjo si shkak i lidhjes së tij me njësuesin, i cili është robi dhe se ky përmban sinqeritetin në adhurimin e Allahut të vetëm pa shok.

3. Teuhidi i dëshirës; sepse ai përmban sinqeritetin. Gjithashtu, teuhidi i dëshirës është i ndërtuar në kërkimin e kënaqësisë së Allahut dhe fytyrës së Tij në veprat që kryen njeriu.

4. Teuhidi i qëllimit; sepse ai është i ndërtuar mbi qëllimin e sinqertë, i cili kërkon sinqeritetin në adhurimin e Allahut.

5. Teuhidi i kërkesës; sepse ai në vetveten e tij përmban kërkesë dhe lutje që robi ia drejton Allahut.

6. Teuhidi veprimeve; sepse ai përmban veprimet, qofshin këto të zemrës apo të gjymtyrëve.

7. Teuhidi punëve; sepse ai është i ndërtuar mbi sinqeritetin në vepra dhe kryerjen e tyre vetëm për Allahun.

 

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Përktheu: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

17.01.2009

 


[1] Salih Feuzan në librin “Akidetu teuhid”  f.  36.

[2] Suneti i Profetit janë: veprat dhe thëniet e të dërguarit, si dhe të gjitha ato çështje  të cilat ai i ka pranuar prej sahabëve dhe nuk i ka ndaluar ata prej tyre

[3] Abdurrahman Sadi “Kaulu sedid fi mekasidu teuhid”  f. 14-17,

[4] “Mukhtesar Mearixh el-Kabul” Hafidh elHakemi,  f. 16.

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com