Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Argumentet rreth këtij lloj teuhidi janë të njëpasnjëshme në Kuran dhe Sunetin e Profetit (salallahu alejhi ue selam). Nëse shohim me vëmendje në to, gjejmë se Kurani ka përdorur forma dhe metoda të ndryshme, në të cilat del qartë domosdoshmëria e njësimit të Allahut.
Shohim se ato herë vijnë në formën e urdhërimit të drejtpërdrejtë për njëshmërinë e Allahut, e herë vinë të ndërtuara mbi qëllimin e krijimit të xhinëve dhe njerëzve, sikurse i gjejmë ato që vijnë herë duke sqaruar qëllimin e dërgimit të Profetëve, here vinjë sqaruese për rëndësinë e zbritjes së librave. Në të njëjtën kohë shohim se ato vijnë edhe në formë qortimi për ata të cilët e kundërshtojnë atë (teuhidin), apo si treguese se cili është përfundimi i atyre të cilët i përmbahen atij dhe cili është përfundimi i atyre që e kundërshtojnë atë.
Mund të përmendim nga argumentet që flasin për domosdoshmërinë e njësimit të Allahut:
Allahu thotë: "O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush, ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar)." (Bekare, 21)
Allahu thotë: "...Pra adhuroje Atë dhe mbështetu tek Ai, se Zoti yt, nuk është i panjohur për atë që veproni." (Hud, 123)
Allahu thotë: "Pra, le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie ( Kabes)." (Kurejsh, 3)
Allahu thotë: "Adhuroni Allahun e mos i shoqëroni Atij askënd.... " (Nisa, 36)
Allahu thotë: "Thuaj! Ejani t'ju lexojë atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj; të mos i shoqëroni Atij askënd...." (En'am, 151)
Allahu thotë: "Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij..." (Isra, 23)
Allahu thotë: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë." (Dharijat, 56)
Allahu thotë: "Mos shoqëro me Allahun ndonjë zot tjetër e të hidhesh në xhehenem i qortuar dhe i larguar." (Isra, 39)
Allahu thotë: "Ty të adhurojmë dhe prej Teje ndihmë kërkojmë." (Fatiha, 5)
Allahu ka thënë: "Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se nuk meriton të adhurohet zot tjetër përveç Meje, pra vetëm Mua më adhuroni!" (Enbija, 25)
Allahu thotë: "Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t'u thonë: "Adhuroni vetëm Allahun e largohuni djajve (adhurimit të tyre)!" (Nahl, 36)
Ndërsa nga Suneti mund të përmendim Atë që e ka trasmetuar Buhari, Muslimi dhe të tjerë nga Muadh bin Xhebel (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: Isha bashkë me Profetin (salallahu alejhi ue selam) hipur në një gomar, kur më tha: “O Muadh, a e di se kush është e drejta e Allahut tek robërit e Tij dhe e drejta e robërve tek Allahu?” Thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë!” Ai më tha: "E njerëzve tek Allahu është që ta adhurojnë e mos i shoqërojnë atij askënd, ndërsa e drejta e Allahut te robërit e Tij është që të mos dënojë askënd që nuk i shoqëron atij dikë.” I thashë: “A ti përgëzoj njerëzit?” Ai më tha: "Mos i lajmëro, sepse dembelosen."([1])
Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë se Profeti (salallahu alejhi ue selam) kur dërgoi Muadh bin Xhebelin në Jemen i tha: "Ti do të shkosh në një popull nga banorët e librit, le të jetë e para gjë në të cilën do t’i ftosh ata, Adhurimi i Allahut..."([2]) Ndërsa në transmetime të tjera të po këtij hadithi thuhet: “Le të jetë e para gjë në të cilën do t’i ftosh ata, njësimi i Allahut"([3])
Muhamed bin Ibrahim el Hamd
Përktheu: Bledar Haxhiu
Burimijetes.com
21.01.2009
[1]Buhari 2856, Muslimi 43, Tirmidhi 2567, Ibën Maxhe 4286, Ahmed 13245.
[2] Buhari 1458, Muslim 28,
[3] Buhari 8372