All for Joomla All for Webmasters

MIRËSITË E TEUHIDIT ULUHIJE

. Posted in Teuhidi i adhurimit.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Teuhidi (njësimi) i Allahut dhe veçimi i Tij në adhurim është nga mirësitë më të mëdha, po ashtu, dobitë dhe frytet e tij nuk kanë të numëruar. Dobitë e teuhidit bartin në vetvete mirësitë e kësaj bote dhe botës tjetër. Nga mirësitë dhe dobitë e këtij lloj teuhidi mund të përmendim:

1. Ai është mirësia më e madhe që i ka dhuruar Allahu njeriut, kështu që i ka udhëzuar ata drejtë tij. Allahu thotë në suren Nahl, sure e cila quhet edhe si surja e mirësive: " Ai dërgon melaiket me frymëzimin e urdhërit të Tij kujtdo nga robërit e Tij që Ai dëshiron (duke u thënë): "Këshilloje njerëzimin se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Meje. Pra më kini frikë Mua." Nahl, 2.

2. Shkaku i krijimit të xhinëve dhe njerëzve është përmbushja e këtij lloj teuhidi. Allahu thotë: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, përveç që të më adhurojnë." Dharijat, 56.

3. Për plotësimin e këtij teuhidi ka zbritur Allahu librat, prej tyre Kuranin. Allahu thotë: "Elif, Lam, Ra. (Ky është) Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht) edhe shkoqitur nga i Dijshmi i të gjitha çështjeve në hollësi. Që të mos adhuroni tjetër përveç Allahut. Unë jam (dërguar) nga Ai qortues e përgëzues për ju." Hud, 1-2.

4. Plotësimi i këtij teuhidi është nga shkaqet më të mëdha për largimin e fatkeqësive, në këtë botë dhe në botën tjetër, po ashtu, ai është pengues i dënimit, sikurse është shpalosur qartë një gjë e tillë në historinë e profetit Junus (alejhi selam).

 5. Prezenca e  i këtij teuhidi te njeriu bën që ai edhe nëse futet në xhehenem (zjarr) të mos jetë në të përgjithmonë, edhe nëse gjendet në zemrën e tij besim sa fara e sinapit (hardellit). [1]

Në hadithin që trasmeton Muslimi, hadithin e shefatit, Allahu do t’i thotë engjëjve: "...Nxirrni prej zjarrit  të gjithë ata që kanë në zemrat e tyre besim, qoftë edhe sa fara e sinapit (hardellit).”

Pra, në këtë hadith bëhet fjalë për ata që e kanë njësuar Allahun, sepse idhujtarët nuk hyjnë në xhenet.

6. Ky teuhid nëse plotësohet në zemrën e dikujt bën që ai të mos hyjë në zjarr, sikurse është transmetuar në dy librat e saktë se profeti (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: "Allahu e ka bërë haram zjarrin për atë i cili thotë La ilahe il Allah dhe kërkon me të kënaqësinë e Allahut."

7. Për ata të cilët i përmbahen këtij lloj teuhidi arrihet udhëzim  dhe qetësi e plotë në dynja dhe në ahiret. Allahu thotë: "Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.". En'am, 82.

8. Përmbushja e këtij teuhidi është nga shkaqet më të mëdha për arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe shpërblimin nga Ai.

9. Njeriu që do të jetë më i gëzuar me ndërmjetësimin (shefatin) e profetit (salallahu alejhi ue selam), është ai i cili ka thënë La ilahe il Allah duke qenë i sinqertë në zemrën e tij.

10. Pranimi i të gjitha veprave të jashtme apo të brendëshme qofshin, janë të lidhura ngushtë me këtë lloj teuhidi. Sa më shumë forcohet teuhidi dhe sinqeriteti aq më shumë plotësohen edhe këto vepra.

11. Ai i cili është i sinqertë në teuhidin dhe imanin e tij, i lehtësohet kryerja e punëve të mira, si pasojë e shpërblimit dhe kënaqësisë së Allahut që ai pret, po ashtu, bëhet e lehtë për të lënia e të këqijave që ia dëshiron vetja, si shkak i frikës që ka ai prej zemërimit dhe dënimit të rreptë të Allahut.

12. Teuhidi, nëse plotësohet në zemër, atëherë Allahu e bën të dashur për të besimin dhe ia zbukuron atë në zemrën e tij, si dhe ia bën të urryer kufrin, fiskun (prishje, lajthitjen) dhe kundërshtimin dhe e bën atë nga të udhëzuarit.

13. Teuhidi është shkak për lehtësimin e vështirësive të robit, si dhe i pakëson atij  dhimbjet.

 

Kështu që, nëse plotësohet teuhidi dhe besimi tek njeriu,  atëherë ai i përballon vështirësitë dhe mundimet i qetë dhe pa probleme, si dhe është i kënaqur me caktimin e Allahut.

14. Teuhidi e liron njeriun nga robërimi i krijesave dhe lidhja e tyre, po ashtu, bën që ai të mos i frikësohet atyre, të mos shpresojë tek ata dhe të mos punojë për hir të tyre.

Vërtet, kjo është krenaria e vërtetë dhe nderi më i madh, kështu që, me këtë je adhurues vetëm i Allahut,nuk i frikësohesh tjetër  veç Tij, nuk dorëzohesh dhe nuk mbështetesh vetëm se tek Ai. Nëse kjo realizohet, sigurisht që, është  vërtetuar suksesi dhe shpëtimi yt.

15. Nga mirësitë më të mëdha të teuhidit, mirësi e cila është e lidhur vetëm se me të, është se nëse teuhidi plotësohet në zemra me një plotësim të vërtetë dhe me një sinqeritet të plotë, atëherë punët të cilat janë të  vogla kthehen të mëdha, si dhe shtohet shpërblimi për vepruesin e tyre në mënyrë të pakufizueshme, si dhe bën që robi të jetë i përpiktë në thënie dhe në vepra dhe ia rregullon atij gjendjen. Allahu i Madhëruar thotë: "Kush kryen vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i dhurojmë atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për  veprat e tyre."  Nahl, 97.

16.  Allahu i ka premtuar atyre të cilët e vërtetojnë teuhidin me mëkëmbje dhe fitore, krenari dhe nderim, po ashtu, e ka lehtësuar për ta udhëzimin dhe ua ka bërë çdo gjë të lehtë. Allahu thotë: "E tashmë fjala (premtimi) ynë u është dhënë më parë robërve tanë të dërguar. Se ata, pa dyshim do të jenë të ndihmuar dhe se ushtria jonë do të jenë ata ngadhënjyesit." Saf, 171-173.

Muauije trasmeton se e ka dëgjuar profetin (salallahu alejhi ue selam)të thotë: "Do të vazhdoj një grup njerëzish nga ymeti im të kapur pas të vërtetës, nuk do t’i dëmtojë ata kundërshtimi dhe përçmimi që i bëjnë njerëzit, derisa të vijë urdhëri i Alahut."[2]

17. Allahu largon prej njësuesve të këqijat e kësaj bote dhe botës tjetër, dhe i bën ata të jenë të qetë dhe të sigurt.

Argumentet për mirësinë e teuhidit në Kuran dhe Sunet nuk kanë të mbaruara, megjithatë, kush e plotëson teuhidin sigurisht që ka për të arritur këto që thamë, apo edhe më shumë se kaq.

 

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Përktheu: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

12.07.2009


[1] Sinap (hardell) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të gjatë, me gjethe të mëdha trekëndëshe me lule të verdha në majë që bën fara të vogla e të ndritshme e me shije të athët.

Shiko Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe  f. 1754, botimi i vjetër.

[2]   Buhariu 3442;  Muslimi 1921; Tirmidhiu 2229; Ibën Maxha 9.  

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com