All for Joomla All for Webmasters

Bashkëshortët në çadrën e lumturisë

. Posted in Familja islame.

Pin It

 

trendafKëta njerëz nuk e gëzojnë dot martesën

Nëse të rinjtë dhe të rejat para se të martohen e ëndërrojnë lumturinë si një proces tek e cila nuk mund të ketë probleme apo shqetësime, padyshim që kjo është një ndër shkaqet kryesore për mos arritjen e lumturisë!

Ndaj çdo i ri para se të martohet duhet të kuptoje se është më se e natyrshme që të ndodhin mosmarrëveshje të pranueshme mes çiftit; gjëra të tilla nuk kanë munguar as në shtëpinë e Profetit Muhamed, i cili u zemërua me gratë e tij, madje edhe me Aishen e cila ishte njeriu me i dashur për të.

Ekspertet thonë se shtëpia në të cilën nuk ka probleme kurrë, ajo është një shtëpi me probleme të mëdha. 
           

Të drejta dhe detyra

Jeta bashkëshortore është e ndërtuar mbi të drejta dhe detyra. Lumturia do të humbasë në momentin kur çdo partner e shikon jetën bashkëshortore vetëm nëpërmjet të drejtave; ndërsa kur e shikojnë si detyra të cilat duhet patjetër t’i kryejnë dhe të drejta të cilat i presin nga njeri-tjetri, në këtë mënyrë bashkëshortet kanë zgjedhur rrugën e duhur për të arritur lumturinë.

Por, duhet të theksojmë se jeta bashkëshortore ka nevojë edhe për mirësi mes partnerëve: "Dhe mos i harroni të mirat ndaj njeri-tjetrit". Sure Bekare: 227.

Kjo për faktin se jeta e cila ndërtohet vetëm mbi të drejta dhe detyra, është jetë e zbrazët, të cilës i ka humbur shpirti që e mban gjallë dhe freskia që e kënaq.

Çdo bashkëshort që kërkon lumturinë le të shpejtojë për të qenë ai nismëtari i këtyre praktikave efikase.  

Përsosmëria mashtruese      

Shumë bashkëshortë janë sprovuar dhe sëmurur pas shikimit të telenovelave, të cilat u pasqyrojnë një jetë të mbushur plot dashuri, romancë dhe larg problemeve. Në këtë rast bashkëshortët i shohin këto telenovela duke menduar se kjo është jeta reale e tyre, më pas fillojnë të bëjnë krahasime me bashkëshortin dhe shohin se jeta e tyre ka shumë mangësi nga ajo që shikojnë në telenovela.

O ju bashkëshortë! Ajo që shikoni në telenovela, nuk janë gjë tjetër vetëm se role të zhveshura nga realiteti, sepse nëse do të shohim në jetën e përditshme të këtyre aktorëve do të gjejmë se shumica e tyre ka dështuar në jetën familjare, prandaj mos e krahasoni kurrë marrëdhënien tuaj me telenovelat të cilat nuk janë gjë tjetër veçse një mashtrim.

 

Burrë dhe grua         

Kërkohet që burri të sillet me gruan ashtu sikur i takon natyrës së gruas, por nga ana tjetër edhe gruaja duhet të sillet me burrin, ashtu si i takon burrit. Në këtë mënyrë ata kujdesen për nevojat dhe dallimet emocionale dhe fizike mes tyre. Kjo për faktin se shumë probleme nxiten pikërisht nga neglizhenca e këtyre dallimeve; e gjen bashkëshorten të sillet me burrin e saj sikur të jetë shoqja e saj dhe anasjelltas!

Prandaj, kërkohet nga burri të pranojë që bashkëshortja e tij të mbesë grua, duke bërë kujdes për natyrën e saj, të interesohet për nevojat e saj. Të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe gruaja me bashkëshortin e saj.          

 

Ji i hapur me bashkëshortin/ten.    

Të ndodhin keqkuptime apo probleme mes bashkëshortëve është diçka më se normale; sidomos pas viteve të gjata dhe se shpeshherë çdo njëri prej bashkëshortëve mbështetet ke partneri në kryerjen e disa detyrave.         

Porse ajo që duhet të mbizotërojë në këto situata është të qenët i hapur me partnerin/ren, natyrisht duke zgjedhur kohën dhe shprehjet e përshtatshme.

Nëse atë që të shqetëson ia thua bashkëshortit/tes në mënyrën më të mirë; të mbështjellë me moral, dashuri dhe respekt, padyshim që këto do të shtojnë edhe më shumë dashurinë dhe vlerësimin.  

Një mesazh ndryshe

Profeti Muhamed -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!- ka thënë: "Dhuroni të duheni".

Dhurata bart në vetveten e saj një kuptim të veçantë e cila padyshim se e kalon vlerën e saj (dhuratës).

Dhurata mes bashkëshortëve është mesazh i dashurisë dhe argument i besnikërisë. Padyshim se për të bërë dhurata do të gjesh mundësi dhe raste të ndryshme si: dy Bajramet, kur vijnë në jetë vogëlushët tuaj, kur del me sukses në studime apo punë, kur bashkëshorti kthehet nga udhëtimi, pas shërimit nga një sëmundje apo kur arrini të zgjidhni një problem që mund t'ju ketë rënë.   

Por, dhurata më e bukur është ajo e cila vjen në formë surprize dhe e cila nuk ka shkak tjetër veç dashurisë dhe besnikërisë.

 

Gabova... më fal!

Gabimi është diçka e pashmangshme, sepse askush nuk është i pagabueshëm, sikur ka thënë dhe Profeti, salallahu alejhi ue selem: "Çdo bir i Ademit është gabimtar, por gabimtari më i mirë është ai që pendohet". Tirmidhiu dhe Nesai. 

Por, problemi qëndron atëherë kur njëri prej bashkëshortëve e kupton që ka gabuar dhe këmbëngul në gabimin e tij, me pretekstin se po të kërkoj falje kjo do t’i ulë reputacionin. Në fakt ky është një gabim i madh të cilin e zbukuron shejtani.
Padyshim nëse dikush prej bashkëshortëve bie në gabim dhe i kërkon falje palës tjetër, jam i bindur se gjendja e tij/saj do të jetë më e mirë se para kërkimit të faljes.

Madje, shpeshherë disa gabime janë bërë shkak për rregullimin e marrëdhënieve, sa që kanë thënë se lidhja e cila fillon pas një problemi është më e fortë se çdo lidhje.

Një ndjesë e bukur

Abdullah bin Mes'udi -Allahu qoftë i kënaqur me të- përcjell se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Ai i cili pendohet nga gabimi, është sikur nuk e ka kryer atë".

Është e vërtetë që ne kërkojmë nga ai i cili ka bërë gabim që ta pranojë gabimin dhe të kërkojë ndjesë, por nga ana tjerët kërkojmë edhe nga ai mbi të cilin është kryer ky gabim se është e nevojshme që të falësh, sidomos kur gabimi shoqërohet me ndjesë.

Le ta presim ndjesën me buzëqeshje e cila është tregues i pranimit dhe se do ta harrosh atë. Le të hapim një faqe të re, se padyshim në të tilla raste ai që fal do të ndiejë një qetësi dhe ëmbëlsi më të madhe se vet ai të cilin falim.   

Ebu Hurejre -Allahu qoftë i kënaqur me të!- përcjell se Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: "Allahu atij që fal, do t’i dhurojë edhe më shumë krenari, ndërsa atë që tregohet i thjeshtë, do ta ngrejë në pozitë."     

Të falësh është shkak që të falesh, Allahu thotë: "Po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t’u falë?” En Nur: 22.

Nëse dëshiron të jetosh i lumtur vetëm për disa çaste atëherë merr hak, por nëse dëshiron lumturinë e përhershme atëherë fal.     

Çelësa dhe dryna

Çdonjëri prej nesh duhet të përpiqet që të zbulojë se cilat janë gjërat që i do dhe e kënaqin bashkëshortin -shokun e jetës-, në mënyrë që t’i kryesh ato; sikurse duhet të zbulojë gjërat që bashkëshorti i urren, në mënyrë që të largohet prej tyre.

Sa bukur do të ishte që çdonjëri prej bashkëshortëve ta lajmëronte partnerin për gjërat që i do dhe i urren, qofshin veprime, fjalë, rroba apo ushqime... në mënyrë që të jenë të qartë e të mos zihen në befasi.

Një burrë i cili sapo ishte martuar, shkroi një letër dhe ia dha bashkëshortes, në të shkruante:  bashkëshortja ime e shtrenjtë, këto që po lexon në këtë letër, janë gjërat që i dua dhe i urrej, ato që më kënaqin dhe hidhërojnë; t’i kam shkruar në mënyrë që mos të më hidhërosh pa dashje e që të më shohësh gjithmonë të buzëqeshur.

 

Vija të kuqe

Bashkëshortët si shkak i jetës së gjatë me njëri-tjetrin dhe lidhjes së ngushtë që kanë ndërtuar, patjetër që kanë konfidencë dhe të fshehta të cilat nuk i dinë të tjerët.

Kjo e bënë të detyrueshme që secili prej bashkëshortëve t’i mbaj ato të fshehta sepse zbulimi dhe përhapja e tyre shkakton humbjen e besueshmërisë ndaj partnerit, dhe në momentin që humb besnikëria duhet të kuptojmë se jeta bashkëshortore ka krijuar krisje. Ebu Hurejra, radijallahu anhu, përcjell se Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: "Kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu do t’ia mbuloj të metat e tij në dunja dhe ahiret." Transeton Muslimi

Nëse një gjë e tillë kërkohet ndaj muslimanëve të thjeshtë, çfarë mund të thuhet për ato që ndodhin në shtratin bashkëshortor. Përcillet nga Ebi Seid se Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: Ndër njerëzit më të këqij tek Allahu Ditën e Gjykimit është ai burrë i cili fle me bashkëshorten e tij më pas përhap lajmet e saj (të fshehtat e saj). Muslimi.

Disa gjëra është mirë që bashkëshortët t’i mbajnë të fshehura qoftë dhe ndaj prindërve apo vëllezërve sepse ndodh që pikërisht zbulimi i këtyre sekreteve mund te jetë shkak për prishjen e marrëdhënieve.

 

Shpërfillje dhe egoizëm

Ka një numër të konsiderueshëm bashkëshortësh të cilët mërmërisin hadithe të Profetit -salallahu alejhi ue selem- të cilët garantojnë të drejtat e tyre tek partneri tjetër, si dhe interesimi i tyre më i madh është të njohin atë që u takon atyre dhe jo atë që i takon partnerit tjetër.

Në fakt këta partnerë nuk janë gjë tjetër vetëm se egoistë, të cilëve nuk u intereson vetëm se çështja e tyre, kështu që një partner i tillë do ta ketë të vështirë që të bëj vend tek partneri tjetër.

O ju bashkëshortë! Ai i cili ka thënë: "Nëse do të urdhëroja dikë t’i binte në sexhde dikujt, do të urdhëroja gruan t’i binte në sexhde burrit". është po i njëjti i cili ka thënë: "Silluni mirë me gratë!" dhe: "Unë do të jem garant (avokat) për të drejtën e dy të dobëtëve: jetimin dhe gruan". Ahmedi dhe Ibën Maxha. Sahih Albani.

O ju bashkëshortë! Ai i cili ka thënë: "Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me gruan e tij". është po i njëjti i cili ka thënë: "Nëse gruaja fal pesë namazet e saj, agjëron muajin e saj, ruan nderin e saj dhe i bindet burrit të saj, do t’i thuhet hyr në Xhenet nga cila derë të duash."

Prandaj kërkohet që çdonjëri prej bashkëshortëve të jetë i kujdesshëm, të mos kërkojë vetëm të drejtat e veta, ndërkohë që po vetë ka mangësi në plotësimin e detyrave karshi partnerit të tij.

 

Ata janë njerëzit më të afërt për ju

Rëndësia që ka kujdesja për lidhjet familjare, si për burrin ashtu dhe për gruan, është një çështje shumë e qartë; çështje kjo të cilën Sheriati e ka pasqyruar si duhet dhe ka vënë theksin rëndësinë e saj.

Në momentin që Sheriati vë theksin për ruajtjen e lidhjeve me familjarët e largët, atëherë ruajtja e lidhjeve me njeriun më të afërt –bashkëshortin/ten- padyshim që është më parësore.

Prej ruajtjes së lidhjeve familjare, është dhe kujdesi që tregon çdonjëri prej bashkëshortëve për prindërit e partnerit të tij. Padyshim ndjenjat e burrit kur gruaja kujdeset dhe interesohet për prindërit e tij, janë të papërshkrueshme, madje kjo sjellje është tregues i dashurisë që ajo ka për bashkëshortin, se ndryshe nuk do ta bënte një gjë të tillë.

Nuk është aspak e bukur kur bashkëshortët ndiejnë se partneri i tyre nuk ka as edhe interesimin më të vogël për prindërit e tij/saj. Një gjë e tillë padyshim që çon në ftohje të marrëdhënieve dhe përkeqësim të lidhjeve bashkëshortore. Le të përpiqet çdonjëri prej bashkëshortëve që të sillet mirë me prindërit dhe familjen e partnerit, pse jo dhe ti surprizojë me disa dhurata, qofshin ato edhe të thjeshta; padyshim ato do të lënë gjurmë si ke partneri ashtu dhe familja e tij/saj.

 

Ky lajm nuk duhet vonuar

Përcillet nga Enesi se një burrë ishte ke Profeti -salallahu alejhi ue selem- dhe pranë tyre kaloi dikush, ai që ishte me Profetin i tha:

-O i Dërguar i Allahut! Unë e dua këtë person.

Profeti e pyeti:

-A ia ke treguar këtë gjë?

Ai tha: -Jo. Shko e tregoja i tha Profeti. Burri shkoi dhe i tha:

-Unë të dua për hir të Allahut! Të dashtë Ai i Cili të bëri të më dush, - ia ktheu ai.

Nëse t'ia shprehësh dashurinë muslimanit qenka diçka e mirë dhe e kërkuar, çfarë mund të thuash për bashkëshortët?

Vallë cila është ndjesia e tyre nëse dëgjojnë nga shoku i jetës shprehje të tilla, të cilat fusin gëzim në zemra dhe forcojnë lidhjet!

O ju bashkëshortë! Nuk ka asnjë të keqe që dikush prej nesh t’i thotë gruas, apo gruaja burrit: të dua, përkundrazi sa më shumë që me anë të kësaj shprehje i fut gëzim në zemër aq më tepër t’i shpërblehesh.

Por, kjo fjalë nuk duhet të jetë thjesht një shprehje e thatë, e zhveshur nga ndjenjat, por duhet të dalë nga zemra nëse ne dëshirojmë që të hyjë në zemër. Le ta shoqërojmë me shprehje të cilat bartin ngrohtësi, sjellin gëzim dhe shtojnë dashurinë.

 

Sakrifica dhe shoku i jetës

Në momentin që njëri prej bashkëshortëve sakrifikon ato gjëra që i do, apo që janë në interes të tij për shkak të shokut të jetës, padyshim që një vepër e tillë do të ndikoj tejet pozitivisht tek partneri, dhe do t’i forcojë edhe më tepër lidhjet mes tyre.

Në momentin që bashkëshortja del nga dhoma e gjumit me fëmijën, në mënyrë që të mos shqetësojë bashkëshortin e lodhur me qarje a zhurma, duke lënë shtratin e saj, e kënaqur edhe pse kjo mund t'ia largojë gjumin, vallë çfarë vlere dhe pozite do të ketë kjo grua tek bashkëshorti i saj. Le të jetë çdonjëri prej bashkëshortëve për partnerin si pema e sandalit, e cila parfumos sëpatën e cila e pret atë.

 

Lozni së bashku

Mardhëniet bashkëshortore, kanë nevojë që të shoqërohen me lojë e shaka të lezetshme mes tyre. Mos u habitni, loja dhe argëtimi kanë qenë pjesë edhe në marrëdhëniet bashkëshortore të njeriut më të mirë -salallahu alejhi ue selem-.

Aishja -Allahu qoftë e kënaqur me të!- thotë:

“Një herë shkova me Profetin në një nga udhëtimet e tij, dhe unë isha vajzë, isha e lehtë dhe me trup jo të mbushur. Profeti -salallahu alejhi ue selem- i tha njerëzve: ecni përpara. Pasi ata u larguan më tha: -Eja të garojmë! Ne bëmë një garë dhe unë ia kalova. Profeti nuk më luajti, derisa shtova në peshë dhe u rëndova, madje kisha harruar që dikur kishim bërë garë bashkë, dhe kur dolëm sërish në një prej udhëtimeve të tij u tha njerëzve të shkonin përpara dhe më tha sërish: -Eja të garojmë! Bëmë garë dhe ai ma kaloi e filloi të qeshë e të thoshte: -U bëmë një me një".

Profeti -salallahu alejhi ue selem- nuk tha: “Unë jam shumë më i madh se të bie në nivelet që të luaj me gruan time!” Sikurse nuk tha: “Unë nuk kam kohë të merrem me lojë dhe argëtim!” Por, as Aishja nuk tha: “Nuk i përshtatet një gruaje me karakter të luajë lojëra fëmijësh!” Veprime të tilla edhe pse mund të duken të rëndomta, kur vijnë në kohën e duhur dhe me masë, padyshim që lënë gjurmë pozitive në marrëdhëniet bashkëshortore.

 

Abdurrahman Karravi
Përzgjodhi dhe përshtati: Bledar Haxhiu

Burimi Jetës

24.05.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com