All for Joomla All for Webmasters

Rregulla të përgjithshme mbi martesën

. Posted in Familja islame.

Pin It

 

lule zemreMartesa ashtu si çdo adhurim tjetër i ka disa rregulla, në mënyrë që të jetë e ligjshme dhe e pranuar, kështu që shkurtimisht do të ndalem në këto rregulla në mënyrë që rinia të mos bjerë në gabime në momentin që dëshiron të martohet.

 

1. I riu musliman duhet të përpiqet që të gjejë një vajzë besimtare, muslimane, sepse në këtë mënyrë ata do të jenë më të denjë për të çuar deri në fund një martesë të suksesshme. Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Martesa me një grua bëhet për katër (motive): për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj, për bukurinë e saj dhe për besimin e saj. Zgjidh atë që është me fe, të mos humbësh!”[1]

Nga ana tjetër, edhe familja e gruas duhet ta pranojë kandidatin nëse është besimtar dhe me karakter dhe t’ia lehtësojë martesën sa të mundet, siç ka thënë Profeti, salallahu alejhi ue selem: “Nëse ju vjen (për t’ju kërkuar dorën e vajzës) dikush të cilit ia pëlqeni besimin dhe karakterin, martojeni me atë. Në qoftë se nuk veproni kështu, do të shkaktohet trazirë e prishje e madhe në tokë (çrregullime sociale dhe kanosje morale).”[2]

 

2. Që çifti i cili dëshiron të martohet të mos kenë ndonjë pengesë e cila pengon realizimin e martesës mes tyre, si p.sh: qenia e tyre të afërm si: nëna, motra, halla, tezja, dhe të gjitha ato që i ka përmendur Allahu në ajetet 23 dhe 24 të sures Nisa. Nga gjërat që janë pengesë në martesë është qenia e një prej partnerëve idhujtar, apo që vajza të jetë muslimanë, ndërsa djali hebre apo i krishterë. Ndërsa lejohet e kundërta.

 

3. Pëlqyeshmëria ndërmjet dy bashkëshortëve: Nuk lejohet që mashkullit t’i imponohet martesa me një femër të cilën ai nuk e do dhe as të detyrohet femra të martohet me një mashkull të cilin ajo nuk e pëlqen. I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk lejohet të martohet gruaja – e martuar më parë-, veçse me aprovimin e saj dhe nuk lejohet të martohet vajza, veçse me lejen e saj. Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, si është leja e saj?” Tha: “Nëse ajo hesht.”[3]

 

4. Kryerja e aktit, ose ceremonia e kurorëzimit; pra djali kërkon dorën e vajzës tek përgjegjësi i saj – babai, vëllai, etj-, dhe ai jep pëlqimin dhe pranon që vajza e tij të bëhet bashkëshortja e djalit i cili po i kërkon dorën dhe është i kënaqur që të jetë bashkëshorti i vajzës së tij.

 

5. Akti martesor pa kujdestarin e femrës është i pavlefshëm, bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk ka martesë, veçse me kujdestar.”[4]. Nëse gruaja e marton vetë veten e saj, atëherë martesa e saj është e pa vlefshme, pa marrë në konsideratë faktin nëse ky akt u ndërmor në mënyrë direkte nga ajo, apo ia ngarkoi këtë dikujt tjetër.

 

6. Detyrueshmëria e dhënies së mehrit. Mehri është pasuri të cilën burri ia jep nuses së tij si pasojë e lidhjes së aktit martesor. Dhënia e mehrit është detyrë për burrin, pa marrë parasysh nëse përmendet apo jo në aktin e martesës.

Nëse shuma e mehrit përcaktohet që në lidhjen e aktit martesor, atëherë është detyrë për bashkëshortin që ta japë atë, qoftë pak apo shumë, ashtu siç përmendet në akt. Nëse mehri nuk është përmendur gjatë aktit të martesës atëherë burri është i detyruar që t’i japë asaj mehrin e përafërt, të bashkëmoshatareve të saj në atë vend.

Mehri mund të jetë pasuri materiale, ashtu siç mund të jetë edhe përfitim. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) njërit prej sahabëve i përcaktoi si mehr për martesë, që t’i mësonte bashkëshortes së tij diçka prej Kuranit përmendësh.[5]

 

 

Përzgjodhi dhe përshtati: Bledar Haxhiu

Burimi Jetës

03.07.2017

([1]) Buhari.

([2])Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.

([3])Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.

([4])Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.

([5])Buhari dhe Muslimi.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com