All for Joomla All for Webmasters

Të drejtat dhe obligimet ndaj bashkëshortëve

. Posted in Familja islame.

Pin It

 

dora e bashkeshorteveNa bëhet e qartë rëndësia që ka martesa, megjithatë duhet theksuar se martesa nuk është ashtu sikur e pandehin disa si një lidhje e momentit, lojë e argëtim, apo një kënaqësi e çastit; përkundrazi martesa është përgjegjësi dhe seriozitet, e cila ka nevojë për durim dhe vetëpërmbajtje.

 

Kështu që, një martesë që të jetë e suksesshme, ka nevojë që çdo njëri nga bashkëshortët të njohë të drejtat dhe detyrat karshi partnerit të tij, dhe mbi të gjitha, të kuptojë se baza e asaj që na bën ta ruajmë të paçënueshme lidhjen martesore dhe marrëdhëniet me bashkëshortin është fakti se martesa është adhurim për të cilin duhet të kujdesemi njësoj siç kujdesemi për namazin dhe agjërimin!

 

Thelbi dhe baza në marrëdhëniet bashkëshortore është mirësjellja mes tyre, Allahu thotë në Kuran:

"Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira." En Nisa, 19.

 

Ndërsa Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Silluni mirë me gratë, sepse gruaja është krijuar nga brinja (e burrit) dhe pjesa më e lakuar te brinja është pjesa e sipërme, nëse do të përpiqesh ta drejtosh atë, ke për ta thyer, e nëse e lë ajo do të mbetet e lakuar, prandaj silluni mirë me gratë."([1])

 

Njerëzit kur janë në publik, në përgjithësi përpiqen që të jenë serioz dhe të sjellshëm, ndërsa kur janë në shtëpi janë më të çliruar dhe nuk i ruajnë këto zyrtarizma, gjë e cila mund t'i bëjë që të zhvishen dhe nga sjellja e mirë me familjen, ndaj dhe Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Më i miri ndër ju, është ai i cili sillet mirë me bashkëshorten (familjen) e tij, dhe unë jam më i miri ndër ju në sjellje me famijlen".([2]) Po ashtu ka thënë në një hadith tjetër: "Besimtari me imanin më të lartë është ai që ka moral më të mirë, dhe më i miri ndër ju është ai që sillet më mirë me bashkëshorten e tij."([3])

 

Disa burra gabojnë kur mendojnë se nëse sillesh mirë me gruan, me butësi dhe tolerancë, apo nëse e ndihmon në disa nevoja që ka, atëherë ke humbur seriozitetin dhe dukesh i dobët, si dhe i ke dhënë mundësi gruas për t'i marrë ajo frenat në dorë. Ndaj këta njerëz i gjen që shpesh sillen me kapadaillëk me gratë, nuk pranojnë diskutime apo t'i japë gruaja ide, në mënyrë që të ruajnë burrërinë.

 

Në fakt kjo nuk është shenjë e burrërisë, madje nuk është as nga virtytet e fisnikëve; sepse fisnik është ai të cilin në shtëpi duket sikur e ka mundur gruaja për shkak të zemërgjerësisë dhe tolerancën që ka me gruan; ndërsa jashtë shtëpisë i druhen dhe i bëjnë vend, për shkak të burrërisë dhe maturisë së tij.

Ur'uetu bin Zubejr përcjell se e ka pyetur Aishen (tezen e tij):

O nëna e besimtarëve, si sillej Profeti kur ishte në shtëpi?

Ajo u përgjigj: "Sillej siç sillet çdo bashkëshort në shtëpinë e tij, ndihmonte gruan, riparonte sandalet dhe qepte rrobat." ([4])

 

Është për të ardhur keq kur dëgjon që bashkëshorti sillet në mënyrë brutale me bashkëshorten e tij dhe vë dorë mbi të për gjëra të vogla dhe të cilat nuk kërkojnë gjithë këtë stërmundim. Profeti, salallahu alejhi ue selem, u drejtohej muslimanëve duke thënë: "Të mos e rrahë askush prej jush bashkëshorten sikur të ishte skllav, e në fund të ditës fle sërish me të!"([5])

 

Ndërsa Aishja transmeton se Profeti salallahu alejhi ue selem nuk ka goditur kurrë me dorën e tij ndonjë grua, e as ndonjë skllav, vetëm kur luftonte në luftë".([6])

 

Madje Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të, na tregon një ngjarje që ne burrat duhet të meditojmë e të marrim mësim. Një ditë Profeti, salallahu alejhi ue selem, ishte me musafirë në shtëpinë e Aishes, dhe një nga gratë e tij solli ushqim për Profetin dhe miqtë e tij. Kur erdhi shërbëtori me pjatën e ushqimit, ajo e pengoi dhe ena ra në tokë dhe u thye ndërsa ushqimi u shpërnda nëpër dhomë. Profeti, salallahu alejhi ue selem, filloi ta mblidhte ushqimin dhe tha: "Nënën tuaj e kapi xhelozia". Më pas urdhëroi që t'i kthente një enë të saktë në këmbim të asaj që u thye.([7])

 

Ndërsa për sa i përket bashkëshorteve, ato duhet të kuptojnë se shtëpia është si një anije e vogël e cila ka nevojë për një kapiten i cili udhëheq, pra kapiteni i kësaj anije është burri i cili duhet respektuar, dëgjuar dhe bindur në ato gjëra me të cilat Allahu është i kënaqur. Allahu thotë:

"Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre .Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu." En Nisa, 34.

 

Kur e pyetën Profetin, salallahu alejhi ue selem, se cila është gruaja më e mirë, ai tha: "Është ajo e cila i bindet kur e urdhëron, që të gëzon kur e shikon dhe që ruan nderin dhe pasurinë." Nesai dhe Hakim, hadithi është i mirë sipas imam Albanit.

 

Përzgjodhi dhe përshtati: Bledar Haxhiu

Burimi Jetës

10.07.2017

([1])Buhari dhe Muslimi.

([2])Tirmidhiu dhe Ibnu Maxhah, e ka saktësuar Albani.

([3])Tirmidhiu dhe Ibnu Maxhah, e ka saktësuar Albani.

([4])Ahmedi dhe Buhari në Edeb Mufred, e ka saktësuar Ibën Hibani dhe Albani.

([5])Buhari.

([6])Muslimi dhe Ahmedi.

([7])Buhari.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com