All for Joomla All for Webmasters

Ndoshta janë çelësi i përmirësimit mes teje dhe fëmijës tënd

. Posted in Familja islame.

Pin It

 

femije dhe prinderPsikologët kanë shpikur mënyra të cilat i ndihmojnë prindërit të zbulojnë çka fëmija e tyre fsheh dhe mban sekret, në mënyrë spontane indirekte dhe pa u bërë pyetje të qarta që t'i frikësojnë ata.
Këtu do të sjellim pesë prej tyre. Provoji se ndoshta këto janë çelësi i përmirësimit të marrëdhënieve mes teje dhe fëmijës tënd.

 

1. Historia e zogut.


Tregoji fëmijës historinë e tre zogjve, babai nëna dhe djali i tyre, të cilët flenë shumë të qetë e të lumtur në fole mbi pemë. Papritur një ditë fryn një erë e fuqishme dhe foleja bie përtokë. Zogu baba fluturon në një degë dhe zogëza nënë fluturon në një degë tjetër.

Pyete fëmijën: Si mendon, ku fluturoi zogu i vogël?

Nëse të thotë se fluturoi tek babai, tregon se ai është i lidhur më tepër me babanë dhe nëse thotë nëna, ai është i lidhur më tepër me nënën e tij dhe e shikon atë si burim sigurie. Ndërsa nëse thotë se fluturoi në një degë tjetër, kjo do të thotë se ai ndjehet i pavaruar, i sigurt dhe i vendosur. 

 

2. Historia e frikës.


Tregoji fëmijës se ishte një fëmijë i cili qante shumë dhe thoshte se kishte shumë frikë.

Pyete fëmijën: Si mendon pse ka frikë dhe prej kujt frikësohet?

Përgjigja e fëmijës do të bëjë të kuptosh shumë prej gjërave personale që ai frikësohet prej tyre, apo edhe personat prej të cilëve frikësohet dhe mendon se ndodhja e tyre pranë e mërzit dhe e kërcënon sigurinë e tij.

 

3. Historia e udhëtimit.


Tregoji fëmijës se një person do të udhëtojë dikur shumë larg dhe nuk do të kthehet më asnjëherë.

Pyete fëmijën: Si mendon kush mund të jetë ky person?

Përgjigja e tij do të bëjë të kuptosh se cili është ai person të cilin ai e urren jashtë mase dhe dëshiron të largohet prej tij. Nëse do të thotë se ai që do të udhëtojë (jam unë) ai e urren veten e tij. Prandaj dëgjoje përgjigjen me kujdes!

 

4. Historia e lajmit të ri.


Tregoji fëmijës se ishte një here një fëmijë i cili sapo u kthye nga shkolla dhe nëna e tij e thirri e i tha: -Hajde këtu shpejt, kam një lajm të ri!


Pyete fëmijën: Si mendon çfarë mund të jetë ky lajm?

Përgjigja e fëmijës do të zbulojë gjërat të cilat ai i dëshiron, ato që frikësohet prej tyre dhe ato që mendon se mund të ndodhin.

 

5. Historia e ëndrrës së keqe.


Tregoji fëmijës se ishte një fëmijë i cili u zgjua në mes të natës nga gjumi i lodhur dhe i mërzitur. I tha nënës së tij se kishte pare një ëndërr të keqe.

Pyete fëmijën: Çfarë ka parë fëmija në ëndërr, si mendon?

Përgjigja e tij do të bëjë të ditur pikat e dobëta të tij dhe problemet që has në marrëdhëniet e tij me pjesëtarët e familjes dhe shoqërinë. 


Vërejtje!
Është shumë me rëndësi që mos t'i japësh opsione zgjidhje në përgjigje fëmijës e as të mos ta qortosh për përgjigjen e dhënë, nëse nuk të përshtatet ty. Mos i thuaj se mendoja prej teje përgjigje të tjera, sepse qëllimi i këtyre historive është të njohësh prej çka frikësohet dhe çfarë interesash ka fëmija yt dhe si të sillemi me të.


Përktheu F. Gurra

Burimi i Jetës

13.09.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com