All for Joomla All for Webmasters

Një thirrje për harmoni dhe dashamirësi mes bashkëshortëve

. Posted in Familja islame. Vizita: 1362

Pin It

lule bashkeshortoreLumturia martesore i ngjan mjaltit të prodhuar nga dy bletë; sa më të mëdha të jenë përpjekjet e tyre, aq më e ëmbël do të jetë. Nuk ka dyshim se lumturia martesore është përgjegjësi e të dy bashkëshortëve dhe kjo kërkon ekzistencën e dashurisë midis tyre.

Në të njëjtën kohë, themi se shtëpia e lumtur nuk varet vetëm nga dashuria, por edhe nga fryma e tolerancës e cila duhet të jetë e pranishme. Martesa në Islam nënkupton qetësi psikologjike, rehati shpirtërore dhe harmoni të përzemërt, po ashtu edhe bashkëpunim mes dy bashkëshortëve për të kryer së bashku udhëtimin e përhershëm të jetës.

Kurani e përshkruan marrëdhënien martesore në mënyrën më elokuente duke thënë: "Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë." [Kurani 30:21].

Kjo dashuri dhe përzemërsi mund të zgjidhë çdo problem sepse do të ketë probleme mes të dashuruarve që e duan njëri-tjetrin sinqerisht dhe jo vetëm për shkak të interesave personale.

Kjo është një thirrje për përzemërsi dhe dashuri mes bashkëshortëve dhe një thirrje për të parë gabimet.

 

Si mund të arrihet përzemërsia dhe harmonia mes bashkëshortëve?

Përzemërsia dhe harmonia mund të arrihen duke ndjekur  fazat e mëposhtme:

- Sinqeriteti i mirëfilltë i të dyve ka një ndikim magjik në jetën martesore.

- Kërkojini gruas të ulet pranë jush duke i dhuruar asaj shikime e përqafime që shprehin dashurinë për të.  Trajtojeni me dashamirësi gruan tuaj dhe ajo do t'ju bëjë të njëjtën gjë. Bëjeni atë të ndjehet se ju e vlerësoni  atë mbi veten tuaj dhe se jeni të dhënë për ta bërë atë të lumtur dhe për të ruajtur shëndetin e saj. Le ta dijë që ju sakrifikoni për hir të saj kur ajo është e sëmurë.

- Luani me gruan tuaj dhe bëni shaka me të për të ngjallur ndjenjat dhe emocionet e saj ndaj jush. Mësoni nga Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, i cili ka thënë: "Është më mirë të martohesh me një virgjëreshë që luan me ty dhe ti luan me të." [Buhariu]

- Edhe Umer ibn el-Khatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ishte një shembull serioziteti dhe maturie, tha: "Secili duhet të jetë si një djalë në mesin e familjes së tij [d.m.th.: në aspektin e zemërgjerësisë dhe mirësisë], por kur ai merret me njerëzit, ai duhet të jetë një burrë."

- Gruaja duhet ta ruaj bashkëshortin e saj me gjithë zemër duke u zbukuruar dhe parfumosur mirë.

- Shikoni gabimet e burrit tuaj me sytë e një të dashuruare, sepse kjo do t'ju bëjë të shihni gabimet e tij si gabime të parëndësishme.

- Jini të qeta kur burri juaj nervozohet dhe më vonë flitni me të për atë që bëri duke e qortuar atë përzemërsisht.

- Unë e këshilloj burrin që gjithmonë të jetë i qetë dhe të shmangë zemërimin, sepse zemërimi shkakton urrejtje. Nëse keni gabuar me gruan tuaj, kërkojini falje për gabimin dhe mos e kaloni  natën duke qenë i zemëruar me të, nën lotët e saj. Gjithmonë mbani mend se ajo që ju bëri të zemëruar është vetëm një çështje e parëndësishme që nuk meriton të shqetësojë jetën tuaj martesore. Kërkoni mbrojtje tek Allahu i Plotfuqishëm nga shejtani i mallkuar dhe përpiquni të jeni të qetë. Gjithmonë mbani në mend se lidhjet e dashurisë mes jush dhe bashkëshortes suaj janë shumë të pastra për t'u dëmtuar nga një zemërim i përkohshëm.

- E dashur bashkëshorte, përpiqu të arrish kënaqësinë e burrit tënd për të marrë atë që ju pëlqen. Një grua beduine i tha vajzës së saj: "Bëhu shërbëtore e tij dhe ai do të jetë skllavi yt".

Ummu Selemeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka njoftuar se i Dërguari i Allahut (sallallahu alejhi ue selam) ka thënë: "Çdo grua që vdes ndërsa burri i saj është i kënaqur me të do të hyjë në Xhenet." [ Tirmidhiu]

- Gjithmonë thirreni atë "i dashuri im" dhe tregojini atij se e doni atë, sepse kjo nuk është vetëm për të dashuruarit, por edhe për bashkëshortët.

- Nëse jeni një grua e  punësuar, mos lejoni që problemet e punës të shqetësojnë marrëdhënien midis jush dhe burrit tuaj. Lini të gjitha problemet që lidhen me punën tuaj në vendin e punës dhe kthehuni në shtëpi pa asnjë shqetësim.

- I dashur bashkëshort, nëse nuk i pëlqen ndonjë gjë gruas, mos harroni cilësitë e saj të mira për t'i shpëtuar çdo ndjenje të keqe ndaj saj. Kujtoni hadithin në të cilin Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, ka thënë: "Një besimtar nuk duhet të urrejë një grua besimtare (d.m.th. gruan e tij); nëse nuk i pëlqen një prej karakteristikave të saj, ai do të jetë i kënaqur me një tjetër".

Pra, përpiquni të anashkaloni cilësitë negative në personalitetin e gruas suaj dhe mos harroni se ajo ka shumë cilësi të tjera të mira për të kompensuar atë cilësi negative.

- Bëjeni gruan tuaj të ndjehet  e sigurt se ju kurrë nuk do ta zhgënjeni ose do ta braktisni atë.

- Merruni me sjelljen e gruas suaj dhe trajtojini gabimet e saj me durim dhe larg nga çdo sjellje armiqësore.

- Mos e fyeni gruan tuaj, sepse fyerjet do të brengosin zemrën dhe mendjen e saj. Abuzimet më të rrezikshme që nuk mund të falen nga gruaja jote janë humbja e durimit, rrahja e saj apo mallkimi i familjes së saj ose ngritja e dyshimeve për dëlirësinë e saj.

- "Ju jeni një grua e mrekullueshme, por ..." Shmangni këtë stil lavdërimi, sepse gruaja juaj do të harrojë gjithçka dhe vetëm do të kujtojë "por".

Këtu, duam të parashtrojmë pyetjen vijuese:

 

A ndikon harmonia dhe përzemërsia ndërmjet bashkëshortëve në jetën e anëtarëve të familjes?

Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të përmendim rëndësinë e përzemërsisë dhe harmonisë në jetën e familjes:

- Harmonia forcon marrëdhënien midis bashkëshortëve dhe rrit dëshirën e burrit për t'u afruar me gruan e tij.

- Harmonia dhe përzemërsia rifreskojnë jetën martesore dhe rinovojnë dashurinë e bashkëshortëve çdo ditë.

- Ato rrisin respektin e burrit për familjen e gruas së tij dhe anasjelltas.

- Harmonia dhe përzemërsia përhapin qetësi në shtëpi.

- Harmonia i bën të dy bashkëshortët të kuptojnë rolet e tyre me kuptimin e vërtetë të fjalës si bashkëshort dhe baba për burrin dhe si bashkëshorte dhe nënë për gruan.

- Harmonia dhe përzemërsia ripërtërijnë atmosferën e rritjes së besimit në shtëpi, përsosin shpirtrat dhe forcojnë marrëdhënien me Allahun e Plotfuqishëm.

- Harmonia dhe dashamirësia përmirësojnë marrëdhëniet midis bashkëshortëve, miqve dhe të afërmve të tyre.

- Harmonia dhe përzemërsia u mundësojnë prindërve t'i trajtojnë problemet e fëmijëve me mençuri dhe qetësi larg armiqësisë dhe zemërimit.

- Harmonia dhe përzemërsia përmirësojnë stabilitetin psikologjik të fëmijëve dhe marrëdhënien e tyre me prindërit. Në këtë mënyrë, ata do të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga prindërit  kur të përballen me ndonjë problem.

- Harmonia dhe përzemërsia pakësojnë mosmarrëveshjet me fëmijët duke arritur mirëkuptim të ndërsjellët ndërmjet fëmijëve dhe prindërve. Gjithashtu, arritjet arsimore të fëmijëve do të përmirësohen.

Allahu i Plotfuqishëm u dhëntë të gjitha familjeve muslimane harmoni për të udhëhequr jetë të lumtura!

 

 

Përktheu: M. Tafa

Burimi i Jetës

03.12.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2017 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com