All for Joomla All for Webmasters

Mëshirë edhe në divorc?!

. Posted in Familja islame.

Pin It

divorcTë flisje për divorcin para dy dekadash, ishte si të flisje për një tabu, që po ta shkelje, do të ndëshkoheshe nga të afërmit përpara të largmëve, shoqërisë, kujt të njihte e nuk të njihte. Rrallë dëgjoje, një në njëqind të ndahej. Por sot shqiptarët (si popull që i ka qejf ekstremet) kanë zgjedhur ekstremin tjetër. Mjafton t’u hedhim një sy shifrave të përllogaritura, 31 divorce në 100 martesa në vitin 2016 do të rezultonin se nuk janë pak. Pra, i bie rreth çereku i martesave dalin të pasuksesshme. Për sa i përket shkaqeve janë nga më të ndryshmet duke përfshirë: dhunën, largësinë, ekonominë e dobët. Po tek besimtarët? Për këtë nuk kam statistika, por nuk janë të rralla rastet që dëgjohen, ( janë më të pakta ndoshta ngaqë shumica e atyre që vënë kokën në sexhde e dinë mirë që divorci është hallalli më i urryer tek Zoti).

Jo më larg se 10 ditë, një besimtar i dha fund martesës duke e lënë gruan në xhami me gjithë fëmijën në mëshirë të fatit. Gruaja u ankua tek familja, por edhe kjo e fundit (jobesimtare) i tregoi rrugën. Dhe gruas me foshnjën iu bë qielli mbulojë e toka shtrojë, ngase destinacion tjetër as nga burri, as nga familja nuk gjeti. Shkaqet e ndarjes nuk i di, por ajo që më dhemb dhe dua të flas është hedhja në rrugë e asaj krijese që deri dje burri i thoshte: "Derisa vdekja të na ndajë". Çdokush prej nesh mund të degdisej si kjo femër e ngratë në mes të natës.
Divorcet siç e dimë janë me "kthim" dhe pa "kthim" ndërkohë që në Shqipëri unë i shoh që shumica e atyre që i ndajnë gratë përdorin vetëm një lloj atë "pa kthim" dhe më pas i bien pishmanit, sidomos kur janë në mes "aspirinat e martesës" fëmijët dhe duan të gjejnë ndonjë degë ku mund "të kapen" për ta rikthyer folezën e ngrohtë familjare, e fatkeqësisht nxitimi e zemërimi u ka kushtuar shtrenjtë ngase "kthim" prapa nuk ka.

Divorci, siç e dimë, është "me kthim" ( bejnunah sugra) ia mundëson burrit kthimin e gruas me akt dhe mehër të ri e kur është "pa kthim" (bejnunah kubra) akti martesor merr fund dhe nuk i lejohet burrit ta kthejë gruan veç nëse martohet me dikë tjetër.

Fatkeqësisht në divorc, shihet një spekullim-neglizhencë nga të dyja palët. I marrin kur të duan dhe i lënë kur të duan. Edhe "kadinj" s'kanë e s'janë e "kadinj" bëhen.
E sa raste ka që flenë "të qetë" të bashkuar pas divorceve, ndërkohë që janë në mes të haramit?! Divorcet e tyre u përngjajnë atyre që nuk kanë asnjë lidhje me fenë.
E sa të tjerë ka që divorcohen dhe i degdisin në rrugë, ndërkohë ajeti kuranor i urdhëron: "Dhe mos i nxirrni ato gratë nga shtëpitë e tyre". Pra shtepia është e "atyre" grave e ato nuk janë bërë të huaja akoma për ju. Me urtësinë e Tij Zoti e ka ditur që zemra e thyer, e ndarë, mund të kthehet e përmirësohet, pse jo dhe bashkohet.

Mëshirë edhe në divorc?! Po, po, mëshirë dhe hikme, urtësi, sepse kjo është fe prej të Gjithëditurit dhe Gjithëmëshirshmit, Zotit të të gjithë botëve.

Kur hyjmë në Islam, lipset të hyjmë tërësisht dhe jo të bëhemi si Beni Israilët: ç' të na pëlqejë nga libri hyjnor ta marrim e ç'të mos na pëlqejë ta lëmë. Zoti na mëson në librin famëlartë:

"Pyetni njerëzit e dijes, nëse nuk dini".

 

Myrvete Allmeta

Burimi i Jetës

06.09.2019


Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com