All for Joomla All for Webmasters

TREGOJA FËMIJËS REALITETIN ASHTU SIÇ ËSHTË

. Posted in Familja islame.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Çfarë do t’i thuash fëmijës tënd, nëse ai sheh dikë që lyp

Jeta të ofron shumë surpriza dhe të papritura. Jo rrallë jemi gjendur të papërgatitur nga pyetjet që na kanë bërë fëmijët tanë për gjërat që shikojnë në jetë, me të cilat hasen çdo ditë. Një nga këto ditë, vajza ime më pyeti për një lypës që pa në rrugë. Nuk e kuptonte se si mund të rrinte vetëm në rrugë, pa praninë e së ëmës.

Fillova me të një bisedë, duke e sqaruar, jo pa vështirësi, se si ishte puna, duke i shpjeguar thjesht, ashtu si ishte në të vërtetë situata.

Lypësi mund të jetë i sinqertë ose mashtrues dhe këtë gjë duhet t’ua bëjmë të qartë edhe fëmijëve tanë. Më erdhi vërtet keq kur dëgjova se si një prind i kishte thënë djalit të vet një herë, kur një lypës kishte trokitur në portën e tyre, ta shihte mirë trupin e tij, e nëse kishte ndonjë sakatllëk, ta besonte se ishte nevojtar dhe ta ndihmonte e nëse jo, ai, sipas tij, ishte mashtrues.

Në fakt ky nuk është koncept i drejtë dhe nuk është një edukim i vërtetë për fëmijën. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Lëmosha u takon të varfërve, të cilët, të angazhuar në rrugën e Zotit, nuk janë në gjendje të udhëtojnë (për të fituar). Ata janë modestë e nuk lypin dhe ai që nuk i njeh, kujton se ata janë pasanikë. I njeh ata në fizionominë e tyre. Ata nuk i mërzisin njerëzit duke lypur. Allahu është në dijeni për çdo gjë që shpenzoni prej të mirave."

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton nga Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) se ai ka thënë: “Një burrë mendoi të jepte sadaka. Doli dhe ia dha pa e ditur një hajduti. Njerëzit filluan të flasin: 'Filani ia dha sadakanë një hajduti.' Tha: 'Lëvduar qofsh o Zot! Po jap sërish sadaka.' Doli dhe, pa e ditur, ia dha sadakanë një prostitute. Njerëzit filluan të flasin: 'Filani ia dha sadakanë një lavireje.' Tha: 'Lëvduar qofsh o Zot! Po jap sërish sadaka.' Doli dhe ia dha pa e ditur sadakanë një të pasuri. Njerëzit sërish e përfolën: 'Filani ia dha sadakanë një të pasuri.' Tha: 'Lëvduar qofsh o Zot! Po si i dhashë sadaka një hajduti, një lavireje dhe një të pasuri?!' I thanë: 'Për sa i përket sadakasë që ia dhe hajdutit, ndoshta ajo do të ndikojë që ai të mos vjedhë më, ndërsa lavirja, ndoshta heq dorë nga imoraliteti dhe i pasuri, ndoshta kujtohet që të shpenzojë nga pasuria që i ka dhuruar Allahu'.”

Ne duhet t’i gjykojmë mirë gjërat. Nëse ndihmojmë të tjerët, e presim shpërblimin nga Allahu. Edhe nëse lypësi është mashtrues, ai është vetë përgjegjës para Zotit. E mira është që shteti të përkujdeset për lypësit me anë të organizatave bamirëse dhe të mos mbetet asnjë lypës në rrugë. Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) na mëson që të punojmë dhe të mos lypim, pasi kur lyp e ul shumë veten. Në një thënie të tij, Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) thotë: “Është më mirë për robin të mbajë një dëng me dru në shpinë, sesa të lypë tek të tjerët...”

U themi fëmijëve tanë se Zekerija (alejhi selam) ka qenë marangoz dhe se Dauti (alejhi selam) ka ngrënë nga djersa e vet. Të lypurit është një sëmundje që, veç të varfërve, mund të prekë dhe të pasurit.

Si t’i nxitësh fëmijët që të ndihmojnë të tjerët

Më poshtë po përmend disa elemente nxitës për t’i edukuar sa më mirë fëmijët tanë që të kenë dëshirë për të ndihmuar të tjerët dhe të jenë të dhënë pas sadakasë:

1.Duhet t’u kujtojmë atyre ajetet kuranore dhe hadithet që nxisin për bamirësi dhe sadaka.

2.Duhet t’u tregojmë atyre disa histori që nxjerrin në pah shpërblimin e bamirësit.

Në këtë pikë po ndalemi pak dhe po përmendim një hadith që hedh shumë dritë rreth temës që po flasim. Ebu Hurejre tregon se ka dëgjuar Pejgamberin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) të thotë: “Tre njerëz nga beni israilët, Allahu dëshiroi t’i sprovojë. Njëri prej tyre ishte lebros, i dyti qeros, kurse i treti i verbër. Allahu u dërgoi një engjëll, i cili, së pari, shkon te lebrosi dhe i thotë: “Cila është gjëja më e dashur për ty?” Tha: “Do të kisha dëshirë të kem ngjyrë dhe lëkurë të mirë dhe të çlirohem nga kjo, pasi njerëzit më urrejnë.” Engjëlli e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e fitoi ngjyrën e mirë të lëkurës. Pastaj engjëlli i tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” Tha: “Devetë ose lopët.” (nuk i kujtohet saktë transmetuesit) Ai i dha një deve barsë dhe i tha: “Allahu të bekoftë me të!” Pastaj shkoi te qerosi dhe i tha: “Ç’dëshiron më shumë?” Qelani tha: “Flokë të bukura dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë.” Engjëlli e fërkon dhe ai shërohet e bëhet me flokë të bukur.  Engjëlli tha: “Cila pasuri është më e dashur për ty?” Qelani tha: “Lopët.” Engjëlli ia jep një lopë barsë dhe i thotë: “Allahu të bekoftë me të.” Pastaj engjëlli shkon te i verbëri dhe i thotë: “Ç’dëshiron më shumë?” I verbëri tha: “Të ma kthejë Allahu shikimin, që t'i shoh njerëzit.” Engjëlli e fërkoi dhe Allahu ia ktheu atij shikimin. Engjëlli tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” I verbëri tha: “Dhentë.” Engjëlli ia dha një dele pjellore. Te të tre pasuria u shtua e iu rrit, kështu që njëri e bëri një luginë me deve, i dyti e bëri një luginë me lopë dhe i treti e bëri një lu­gi­në me dele. Pas kësaj engjëlli shkon te zgjebuni në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë: “Unë jam një njeri i mjerë, më janë këputur lidhjet në këtë udhëtim, prandaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç Allahut, e pastaj ti. Të lutem, në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë kaq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve që të mund ta vazhdoj rrugën.”  Ish-zgjebuni, tani i pasur, tha: “Jo, unë kam shumë borxhe.” Engjëlli i tha: “Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë një zgjeban, nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër, të cilin Allahu e ka pasuruar?”  Tha: “Unë këtë pasuri e kam trashëguar nga të parët e më­dhenj.” Engjëlli tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë Allahu në gjendjen që ke qenë.” Pastaj engjëlli shkon te qerosi, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë, ashtu siç i tha zgjebanikut, por edhe ky i përgjigjet, ashtu siç iu përgjigj zgjebuni. Engjëlli tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë Allahu në gjendjen që ke qenë më parë!” Pastaj engjëlli i shkon ish të verbrit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme dhe i thotë: “Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur lidhjet në këtë udhëtim, prandaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç Allahut e pastaj ti. Të lutem me atë që të ka kthyer shikimin, më jep një dele, që të vazhdoj rrugën.” Ish i verbëri tha: “Vërtet, unë kam qenë i verbër, por Allahu ma ka kthyer shikimin, merr vëlla çfarë të duash dhe lër çfarë të duash! Pasha Allahun, asgjë sot nuk të ndaloj të marrësh në emër të Allahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm.” Engjëlli tha: “Mbaje krejt pasurinë, ju vetëm keni qenë të sprovuar. Allahu është i kënaqur me ty, ndërsa është i hidhëruar me dy shokët e tu.”

3. Duhet t’u tregojmë fëmijëve histori aktuale që nxisin për bamirësi dhe punë të mira.

4.Dialogu me ta për dobitë e sadakasë në këtë botë dhe në botën tjetër.

5.Duhet t’u mësojmë atyre se si Islami e ka luftuar varfërinë dhe jo të varfrit, ka luftuar dembelizmin dhe ka nxitur për punë.

6.T’u japim fëmijëve një sasi të hollash që ta kenë për të ndihmuar nevojtarët dhe ta kenë këtë praktikë të përditshme.

7.Në qoftë se ndonjë nga prindërit dëshiron të japë sadaka, le t’ia japë fëmijës së tij që ta çojë atë sadaka tek të varfrit.

8.Organizimi i konkurseve ndërmjet fëmijëve se kush prej tyre është më dorëdhënës.

9.Angazhimi i tyre në fushatat për bamirësi.

10.Njohja e tyre me organizatat bamirëse dhe aktivitet që ato kanë.                                                         

Përktheu: Arsen Muskurti  (Hamza)

Marrë nga libri: "Terbijetu El Etfal"

Autor: Abdullah Nasih el Uluan

Burimijetes.com

01.01.2009

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com