All for Joomla All for Webmasters

TURPI DHE MBULESA

. Posted in Familja islame.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut i Cili me mirësinë e Tij mbulon turpësit, që me mëshirën e Tij shkarkon barrën ë të penduarve e që i ka kërcënuar me dënim të dhembshëm ata që shfaqin gjynahet e tyre me mos kokëçarje. E falënderoj dhe i dërgoj lavde Atij si një njeri i cili ka nevojë gjithmonë për mëshirën dhe suksesin e Tij në çdo moment.

Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin besnik me udhëzimin e të cilit Allahu hapi zemrat e mbyllura dhe me dritën e të cilit ndriçoi sytë e verbuara e me shembullin e të cilit Ai rregulloi shumë jetë të prishura. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.

Këtë fjalë ia drejtoj çdokujt që beson dhe shpreson tek Allahu dhe Bota tjetër. Këto fjalë që dua të flas, nuk po i them që të argëtohemi e as që të mbushim kohët boshe, porse këto janë këshillë dhe përvojë e jetës të cilën ia drejtoj vetes dhe motrës muslimane, e cila ndoshta është dhe në buzë të greminës e që është në rrezik të bjerë në çarqet e sekserëve të poshtërimit si dhe armiqve dhe grabitësve të vlerave.

Pashë se era e perëndimit po e trondit hixhabin tek ajo që e ka veshur dhe po mundohet të heqë mbulesën nga e mbuluara dhe po shoh nënën të frikësohet se mos i thyhet krenaria dhe motrën të kujdeset që të mos i zbulohen pjesët e turpshme nga trupi i saj dhe vajzën e sinqertë dhe të pastër që po sprovohet me modat mashtruese.

Prandaj, sot, i drejtohem këtyre grupe njerëzish në ka vend në zemrat e tyre për turpin dhe për krenarinë titull, sepse nuk përfiton nga këto fjalë, vetëm se ato që kanë këto cilësi. Ndërsa atyre që Allahu ua ka vulosur zemrat, çfarë mund të posedoj unë për to? 

Nuk ka dyshim se mbulesa e gruas tregon për turpin e saj, të dyja këto janë të lidhura bashkë, sikur mishi me kockën. Nëse gruaja toleron ndonjërën prej tyre, atëherë vetvetiu ka toleruar edhe tjetrën; nëse ka diçka mangët në mbulesën e saj, atëherë patjetër që ka mangët diçka në turpin e saj dhe kjo e fundit do të ndikojë patjetër në mbulesën e saj.

Turpi është një moral që nxit për veprimin e punëve të mira dhe lënien e të shpifurave, sepse ai është pjesë e besimit; sa më i fortë të jetë besimi, aq më shumë do të ndikojë turpi te besimtarja. I dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Turpi është pjesë e besimit”. Akoma ka mbetur prej profetësisë shenja që ekzistojnë tek ne. Një fjalë e urtë thotë: nëse nuk ke turp bëj ç’të duash, por a e di se kjo fjalë e ka prejardhjen nga hadithi i Profetit tonë alejhi selam i cili ka thënë: “Ajo që mbajnë mend njerëzit nga profetësitë e para, është: nëse nuk ke turp, vepro ç’të duash.”

Zbulimi dhe lakuriqësia është ligji i iblisit (shejtanit)

Historia e prindërve tanë Ademit dhe Havasë me Iblisin, na tregon përpjekjet që bën armiku i njerëzimit për të zbuluar turpësitë dhe për të përhapur shthurjen dhe se këto janë qëllime kryesore të tij. Allahu thotë: “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme.” El Araf, 22.

Pra, djalli është nismëtari i thirrjes për zhveshjen dhe lakuriqësinë, sepse ai e di se cila është arma më efikase për shkatërrimin e shoqërisë. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk kam lënë pas meje sprovë më të madhe për burrat sesa gratë”.

Zbulimi dhe lakuriqësia është sjellje e banorëve të zjarrit

Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dy lloje njerëzish prej banorëve të zjarrit nuk i kam parë ende; njerëz që mbajnë në duart e tyre shkopinj, që duken sikurse bishtat e lopëve dhe me to rrahin njerëzit dhe gra të veshura të zhveshura, të krekosura provokuese. Kokat e tyre duken si gunga të mënjanuara të devesë. Ato nuk hyjnë në Xhenet dhe nuk kanë për ta ndjerë erën e tij, edhe pse era e tij ndihet nga një distancë kaq e aq”.

Lakuriqësia është shenjë e injorancës

Allahu i lartësuar u drejtohet besimtareve të cilat tashmë e kanë zgjedhur Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Muhamedin salallahu alejhi ue selem si të dërguar duke u thënë: “Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes! Ahzab, 33.

Zhveshja dhe lakuriqësia janë prapambetje

Dikush mund të thotë: si mund ta thuash një gjë të tillë? Po është e vërtetë. Madje a nuk e kemi parë se dhe jomuslimanët sa herë që duan të na tregojnë standardin e prapambetjes na paraqesin pamjet e popujve të pazhvilluar të Afrikës apo gjetiu, të cilët tipar kryesor të tyren kanë lakuriqësinë.

Zhveshja dhe lakuriqësia shkaktojnë zhvlerësimin e pozitës së gruas

Nëse gruaja do të kujdesej për veshjen e saj, patjetër që do të ruante dinjitetin dhe nuk do të përfundonte si mostër për reklama në çdo artikull tregtar. Gruas së zhveshur aq shumë i ka rënë vlera saqë e gjen në reklamat e sapunit, sfungjerëve, shapkave e kudo, duke e bërë atë si mjet joshës, mall tregtie e asgjë më shumë.

Motër e nderuar! Brezat e parë të muslimanëve e kanë njohur ashtu si duhet rëndësinë e mbulesës, madje ato na kanë lënë qëndresa të gjalla prej të cilave ne përfitojmë, marrim forcë, por ndonjëherë na duket sikur kanë jetuar në një botë tjetër. Jo, të jesh e sigurt që kanë jetuar në botën tonë, por ky është fryt i imanit i cili bën çudira.

Ata ibën ebi Rabah (nxënës i ibën Abasit) ka thënë se Ibnu Abasi një herë më ka thënë: “A dëshiron të tregoj një grua prej banoreve të Xhenetit?” Sigurisht, - i thashë. Më tha: “Kjo grua e zezë (që po shikon) erdhi njëherë te Profeti salallahu alejhi ue selem, dhe i tha: ‘O i dërguar i Alahut! Mua më kap epilepsia ndaj lute Allahun që të ma largojë atë.’ Profeti, sallallahu alejhi ue selam iu përgjigj: ‘Nëse dëshiron bëj durim dhe ti do të kesh si shpërblim Xhenetin, por nëse dëshiron i lutem Allahut të të shërojë ty.’ Po, do të bëj durim, o i Dërguar i Allahut -u përgjigj ajo-, por lute Allahun që të mos zbulohem, sepse kur më kap sëmundja unë zbulohem."

Vërtet Xheneti është i dashur në zemrën e kësaj gruaje, por përsëri tek ajo qëndron thjeshtësia, turpi dhe ndrojtja.

Abdulla ibën Abasi sa herë që e shikonte këtë grua u thoshte atyre që kishte pranë: "Kush dëshiron të shohë banor nga banorët e Xhenetit le të shohë këtë grua".

A nuk e shikon, motra ime, se kjo grua nuk e shikonte për gjë epilepsinë kur ajo kujtonte se në këtë gjendje zbulohej. Dhimbja e turpit te kjo grua ishte më e madhe nga dhimbja e sëmundjes. Sikur ka dashur të thotë: mirë se vjen o sëmundje, mirë se vjen dhe ti o dhimbje, mirë se vjen çdo gjë që është për Allahun, vetëm të zbulohem jo, sepse atë nuk mundem dot ta duroj.

Ndërsa për ty, o motra ime, fillimisht nuk do kërkoja kaq shumë, por do të këshilloja: Nëse verërat e tjera ke dalë me kanatjere, këtë vit kujdes; merre kurajën dhe vish një bluzë më serioze. Ndërsa ti që fundin e ke patur të shkurtër apo të tejdukshëm, mundohu ta veshësh më të mirë këtë verë.

Ja vlen që muslimania të ketë turp nga Zoti i saj, i cili vazhdimisht e shikon.

Vapa filloi që në maj, por kam frikë se më vonë do të jetë shfryrje e Xhehenemit.

Dëgjo se ç’thotë Zoti ynë për jobesimtarët dhe veshjen e tyre me të cilën do të vishen në Zjarr:

“Për ata që nuk besojnë janë përgatitur rroba prej zjarri, e mbi kokat e tyre do të hidhet ujë i valuar.”Haxh, 19.

 Le të qëndrojmë me një histori tjetër e të marrim mësime prej saj. Këtë ngjarje na e tregon nëna e besimtarëve Aishja –Allahu qoftë i kënaqur me të!-, e cila thotë se Profeti lëvdatat dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, një herë tha: ”Njerëzit do të ringjallen Ditën e Gjykimit lakuriq e këmbëzbathur.”  Ajo e habitur tha: “Burrat dhe gratë do të shikojnë njëri-tjetrin?”

Nuk ka dyshim se kjo pyetje buron nga shkalla e lartë që ka arritur turpi i saj. Ajo që e shqetësoi atë nga ky qëndrim madhështor (ringjallja në ditën e Gjykimit), ishte se ata do të dalin të zhveshur dhe se a mund të ruheshin nga shikimi te njëri-tjetri.

Pa diskutim, se kush e ka ruajtur veshjen e saj në këtë botë i intereson të dijë se si mund të ringjallet e zhveshur.

Pa kujtoje pak ditën që do të ringjallesh dhe do të pyesë Allahu se çfarë veshje ke mbajtur në dynja? Si do t’i përgjigjesh? Që jam veshur kështu dhe kështu! Por, si do të bëjmë kur Allahu të na thotë: A nuk u turpërove nga shikimi Im, i theve urdhrat e Mia dhe ju binde armiqve të mi të cilët të çuan në shkatërrim. 

Të përfytyrojmë pak banorët e Zjarrit -Allahu na ruajt prej tij!- nëse dhe ti do të ishe me ta si do të mundet që lëkura e trupit ta duronte këtë dënim?

“Sapo t’u digjet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atë me lëkurë tjetër, për të përjetuar dënimin”. En Nisa, 56.

Në momentin që do të veshësh fustane të çara sa andej këndej, funde të shkurtër e të ngushtë, mendo se çfarë veshin banorët e zjarrit: “Dhe atë ditë do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga; Rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat, Allahu do të shpërblejë cilindo për atë që ka punuar. Allahu është vërtet i shpejtë në llogari”. Ibrahim, 49-51.

Mendo dhe se cilat do të jenë shtresat e tyre dhe ç’gjendje të mjerueshme do të kenë.

“Për ata janë përgatitur shtretër zjarri dhe sipër tyre do të ketë mbulesa zjarri. Kështu i ndëshkojmë Ne keqbërësit”.El Araf, 41.

Përse nuk e ruan veten nga zjarri vuajtjet dhe mundimet e të cilit na i ka sqaruar Allahu kur tregon për banorët e tij në Kuran. A nuk mendon se ka ardhur koha për kthesë dhe pendim, përpara se të vijë momenti në të cilin mund dhe të thuash: “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen. Kur të fryhet në Sur (Ditën e Ringjalljes), atëherë, midis tyre nuk do të ketë lidhje farefisnore dhe ata as që do të pyesin për njëri-tjetrin. Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem. Zjarri do t’ua përcëllojë fytyrat dhe buzët (aq sa do t’u duken dhëmbët)”. El Muminun, 99-104. 

Unë e lus Allahun të më shpëtojë mua dhe juve nga dënimi i zjarrit, të na bëj nga garuesit për në bindje dhe të mira, të jemi larg nga të këqijat dhe shëmtirat! Amin!  

Eli Haxhiu

Burimijetes.com

20.06.2009

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com