All for Joomla All for Webmasters

HISTORI E BUKUR E DHURIMIT PA KUFI

. Posted in Familja islame.

Pin It

Me emrin e Allahut të  Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Kohë më  parë gjendej një  pemë e madhe molle.Pranë saj gjendej dhe një fëmijë i vogël, i cili luante me pemën çdo ditë.Ai ngjitej e luante mbi degët e pemës dhe hante prej frutave të saj… më pas shtrihej të flinte në hijen e saj.Fëmija e donte pemën shumë, por edhe pema e donte fëmijën dhe dëshironte të luante me të.

Kohët kaluan... dhe fëmija u rrit. Filloi të mos luante më me të si më parë.Dhe, një ditë prej ditësh, u kthye ky djalë tek pema, ndërkohë që ishte tejet i mërzitur.

Pema: -Eja dhe luaj me mua!

Djali: -Nuk jam më i vogël që  të luaj me ty.Unë kam nevojë për disa lojëra dhe nuk kam të holla që t'i blej ato.

Pema: -Unë nuk kam të holla, por t’i mund të marrësh të gjitha mollët që gjenden në degët e mia, shiti ato dhe me të hollat e mbledhura ble lodrën që dëshiron.

Djali ishte tejet i lumtur.U ngjit në pemë dhe i mblodhi të gjitha mollët që gjendeshin në pemë, dhe ashtu i lumtur shkoi e u largua.

Por djali më nuk po kthehej, ndaj dhe pema u brengos pa masë!Një ditë djali u kthye sërish, por tashmë ai ishte bërë burrë. Kur pema e pa se po kthehej tek ajo, u gëzua pa masë.

Pema: -Eja të luajmë bashkë!

Djali: -Nuk kam kohë të luaj, ia ktheu ai… tani jam bërë burrë dhe përgjegjës për familjen, dhe kemi nevojë për një shtëpi ku të mund të strehohemi, a ke ti mundësi të më ndihmosh?

Pema: -Sa keq! Unë nuk kam shtëpi, por ti mund të marrësh të gjitha degët e mia dhe me to të ndërtosh një shtëpi.

Burri i mori të gjitha degët që gjendeshin në pemë dhe u largua tejet i lumtur.Edhe pema ishte shumë e gëzuar që e shihte atë të lumtur…por ai nuk po kthehej më tek ajo.

Pema sërish u ndje e vetmuar dhe e kapluar nga trishtimi.

Në një ditë tejet të nxehtë vere, burri u kthye sërish, ndërsa pema si zakonisht ishte tejet e gëzuar.

Pema: -Eja luaj me mua, -i tha sërish pema.

Burri: -Tashmë jam thyer në moshë… dua të lundroj në çdo vend që të qetësohem.

A ke mundësi të më ndihmosh, -i tha ai, a mund të më japësh një varkë?

Pema: -Merr trungun tim dhe ndërto me të një varkë e lundro me të larg… gjeje kështu lumturinë.

Burri e preu trungun e pemës dhe ndërtoi me të një varkë, lundroi me të larg dhe humbi për një  kohë të gjatë, por sërish u kthye.

Pema: E trishtuar i tha: -Më vjen keq biri im, nuk më gjendet diçka të të jap. Unë tashmë nuk kam më as edhe një mollë.

Burri: -S’ka gjë, mua s'më ka mbetur as edhe një dhëmb në gojë që mund ta brej atë.

Pema: -Por, unë nuk kam as degë që ti të ngjitesh e të luash.

Burri: -Tashmë jam kërrusur dhe nuk mund të ngjitem më.

Pema: -Unë tashmë vërtet s'kam asgjë që të mund të jap. Qante e thoshte: -Nuk më ka ngelur gjë tjetër veç disa rrënjëve pajetë.

Burri: -Ajo që më nevojitet tashmë, është një vend ku mund të mbështetem e të rehatohem, vërtet jam tejet i lodhur pas tërë këto viteve.

Pema: -Rrënjët e pemës plakë, janë vendi më i përshtatshëm për të pushuar, ndaj eja dhe ulu tek unë që të rehatohesh.

Burri u ul mbi rrënjët e pemës, ndërkohë që ajo ishte tejet e lumtur, buzëqeshte dhe lotët e gëzimit i mbushnin sytë.

A e di se cila është kjo pemë?!

Ajo personifikon prindërit e tu.

Duaji prindërit e tu!

Përktheu: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

01.01.2012

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com