All for Joomla All for Webmasters

NE ÇDO GJË E KEMI KRIJUAR ME KADER

. Posted in Familja islame.

Pin It

Në pamje të parë titulli lë të dëshirosh se në këtë temë do të flasim në mënyrë akademike për Kaderin (caktimin) e Allahut dhe shtjellimet që kanë të bëjnë me të, por në realitet ne do të trajtojmë vetëm një anë të kësaj çështje kaq të madhe dhe të rëndësishme në jetën e muslimanit, e cila ka të bëjë me: “Fëmijët dhe pajtimi me kaderin”.

Çdo musliman e di fort mirë, se është pjesë e imanit besimi në kaderin (caktimin) e Allahut, i mirë apo i keq qoftë, dhe se ai nuk mund ta plotësojë besimin, madje nuk e meriton atë, nëse nuk beson në caktimin që Allahu ka vendosur për të. Kjo është ana teorike tek çdo njëri prej nesh, ku në shumicën e rasteve çdo kush nga ne e kalon lehtësisht klasën, por kur vjen fjala në praktikë, atëherë e kuptojmë se sa shumë kemi nevojë të kujdesemi për të. A do të kënaqemi me atë që është caktuar për ne?

Çdo çift i sapo kurorëzuar, gjënë e parë që mendon janë fëmijët; nëna mendon për rrobat e babai për emrin, çdokush shpreh preferencën e tij se çfarë do të dëshironte: vajzë apo djalë. Por sapo kalon një apo dy vite martesë fillojnë shqetësimet, nëse ende nuk kanë fëmijë. Disa me të drejtë shkojnë e bëjnë kontrollet e duhura tek mjekët për të parë se ku çalon problemi, dhe kjo është shumë e drejtë, sepse Profeti lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu ka zbritur sëmundjen dhe ilaçin dhe çdo sëmundje ka ilaçin e saj; kurohuni o robër të Allahut, por mos u kuroni me haram”. (Tirmidhiu.) Porse shqetësues është fakti, se në mesin tonë ka ende nga ata që thonë se janë muslimanë dhe në këto raste e humbin toruan dhe shkojnë sa ke fallxhori, tyrbja, mekami, varret a gjetiu.

Sa keq, këta çifte nuk e kanë njohur Krijuesin e tyre Fuqiplotë, as realitetin e Fesë Islame me të cilën identifikohen dhe ende nuk e kanë kuptuar, se Allahu çdo gjë e ka krijuar me kader. Ata kanë kërkuar gjetiu atë që mund ta japë vetëm Allahu i Lartësuar, Ai që e ka caktuar atë, që kur ti ke qenë ende në barkun e nënës, madje pesëqind vjet para se të krijonte krijesat, nëse ti do të kesh fëmijë apo jo. Atëherë si mund ta lësh veten që ty të rrëshqasë këmba në këtë shtyllë të besimit e të tregosh pakënaqësi për atë që Allahu ka caktuar për ty, e aq më keq që t’ia kërkosh dikujt tjetër veç Tij! Megjithatë them se ndoshta ti e ke bërë një gjë të tillë pa dashje dhe nga mosdija, ndaj dhe e ndiej detyrim të t’i drejtoj dy fjalë.

Dije se caktimi i Allahut do të thotë, se Ai di çdo gjë në mënyrën më absolute: të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen; më pas ato i ka shkruar në një regjistër të ruajtur, të cilin e ka vendosur pranë vetes, pastaj ka dëshiruar ekzistencën e tyre e më pas i ka krijuar ato. Pra, të jesh i bindur, se atë që Fuqiploti nuk e ka dëshiruar, ajo nuk mundet kurrë të ndodhë. Prandaj çdo çift, i cili është sprovuar me mos lindje të fëmijëve duhet të jetë i duruar dhe njëkohësisht i kënaqur me atë që Allahu ka caktuar për ta.

E mirëkuptoj gjendjen e prindërve, të cilët nuk kanë fëmijë, sepse jam edhe vetë prind; e kuptoj ndjesinë që ata kanë në zemrat e tyre për ta patur një fëmijë. Një ndjesi e tillë është normale, është natyrshmëri e vendosur tek njeriu dhe nuk është e qortuar, sepse ata janë bukuria e kësaj bote, por e qortuar është që ky privim të shkaktojë moskënaqësi për caktimin e Allahut Fuqiplotë, që Ai ka vendosur për këta prindër. Dëgjo se si i drejtohet Allahu robërve të Tij: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë janë më të mira te Zoti yt, sa i përket shpërblimit dhe janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim)”. Kehf, 46.

O ju prindër, që jeni privuar prej fëmijëve! Të jeni të bindur se kjo është një sprovë për ju, se çfarë do të punoni e si do të reagoni. A do të jeni të kënaqur me caktimin që Allahu ka vendosur për ju, apo do të ankoheni për Të te krijesat që s’mundet t’ju ndihmojnë?

Ndoshta ju mendoni se kjo që ju ka goditur është e keqe për ju dhe ndodh që mirësia është tek e kundërta e asaj që ju mendoni: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini”. Bekare, 216.

Ku e di ti se në këtë që ka zgjedhur Allahu nuk ka mirësi për ty, edhe pse ajo në pamje të parë duket e keqe?! Ku e di ti se ndoshta ai fëmijë që e dëshironi kaq shumë mund të jetë shkak që ju të përfundoni në humbje a në zjarr –Allahu na ruajtë-. Mos vallë ti je më i mirë se Nuhu –Profet dhe i zgjedhur i Allahut në popullin e tij-, absolutisht që jo, atëherë pse nuk mediton për historinë e tij me djalin e vet, të cilën ne herë pas here e lexojmë në Kuran dhe ashtu pa e kuptuar as dhe vetë nuk arrijmë të përfitojmë prej saj: “…ndërsa Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!” (I biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji”. Nuhu iu përgjigj: “Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!” Një valë në mes tyre I ndau dhe ai u fundos”. Hud, 42-43.

Disa ajete më poshtë Allahu tregon e thotë: “Pastaj Nuhu iu lut Zotit dhe i tha: “O Zoti im, biri im është nga familja ime, premtimi Yt është i vërtetë dhe Ti je Gjykatësi më i drejtë!” (Allahu) tha: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe. Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. Hud, 45-46.

A nuk e shikon sesi Allahu ia mohoi këtë fëmijë Nuhut, dhe kjo për vetë faktin se lidhja më e ngushtë është lidhja e besimit, sepse lidhja e gjakut ndërpritet në dynja ndërsa ajo e besimit vazhdon dhe në tjetrën, dhe se fëmijë real është ai prej të cilit prindi ka dobi në këtë botë dhe në tjetrën!

Po në historinë e Musait me Hidrin a ke medituar ndonjëherë? “Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau. (Musai) Tha: “Përse vrave një njeri të pafajshëm, që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme”! “Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim”. Kehf, 74-80.

Po është e vërtetë që fëmija ndonjëherë të çon në të keqe dhe mohim. A do të kënaqeshe ti të kishe një fëmijë prej të cilit do të përjetoje poshtërimet më çnjerëzore?! Jam i sigurt që këtë nuk do ta doje, atëherë ku e di se ndoshta Allahu të ka privuar nga fëmijët për këtë shkak?

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

03.06.2013

 
 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com