All for Joomla All for Webmasters

Cili është vendimi për agjërimin e saj në këtë rast?

. Posted in FETVA. Vizita: 1275

fShare
6
Pin It

pike gjaku

Pyetje: Unë linda (fëmijën) në muajin Sha'ban, më pas u sëmura dhe gjaku i lehonisë zgjati vetëm tre ditë, pastaj u ndal; kështu që mora gusël dhe u fala. Nuk pata më gjakderdhje derisa përfundoi muaji Sha'ban dhe Ramazani filloi. Pas një jave të Ramazanit, mjeku më dha një antibiotik, kështu që unë vazhdoja agjërimin por nuk kisha gjakderdhje gjatë ditës; vetëm disa pika u paraqitën përpara akshamit. Kjo vazhdoi për pjesën tjetër të muajit të Ramazanit dhe unë nuk e kam të qartë nëse isha pastruar apo jo, por agjërova tërë muajin. A duhet ta përsëris agjërimin apo jo?

 

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!

Së pari: Nuk ka kohëzgjatje minimale për lehoninë. Nëse lehonia e një gruaje mbaron pas lindjes, edhe vetëm pas pak ditësh, atëherë ajo duhet të marrë gusël dhe të falet e të agjërojë.

Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:

Kur një grua pastrohet (d.m.th.: mbaron gjakderdhja), edhe nëse është vetëm një ditë ose disa ditë pas lindjes, atëherë ajo është e pastër dhe duhet të falet. Agjërimi i saj është i vlefshëm dhe është e lejueshme që burri i saj të ketë marrëdhënie me të.

Fetaua "Noor 'ala ad-Darb", Ibn Uthejmin.

 

Mund të përcaktohet nëse një grua është pastruar - pas menstruacioneve ose lehonisë (gjakderdhje pas lindjes) - nga një nga dy shenjat:

  1. Fillimi i sekrecioneve të bardha.
  2. Thatësi e plotë, në mënyrë që të mos ketë gjurmë gjaku ose shkarkim të sekrecioneve të verdha ose kafe.

Këto pak pika të gjakut që u shfaqën pas një pastrimi të plotë nga lehonia, nuk konsiderohen si pjesë e lehonisë. Bazuar në ketë, gruaja duhet të falet dhe të agjërojë.

 

Në fetvanë e "al-Lajnah ad-Daaimah" (vëll. II, 4/259) thuhet:

Gruaja e tij lindi ditën e nëntë të Ramazanit dhe nëntë ditë pas lindjes gjakderdhja u ndal, kështu që ajo mori gusël dhe filloi të falet e të agjërojë. Kur erdhi nata ajo vuri re se kishte disa pika të gjakut, por ajo nuk pa ndonjë gjë të tillë gjatë ditës. Cili është vendimi për këtë, dhe a është i vlefshëm namazi dhe agjërimi i saj?

Përgjigje: Nëse kjo grua pa një ndërprerje të plotë të gjakderdhjes ose shkarkimit të bardhë, atëherë namazi dhe agjërimi i saj janë të vlefshme, sepse për të ka të njëjtin gjykim si gratë që janë të pastra (pra, pa menstruacione ose gjakderdhje pas lindjes). Ajo që sheh nga disa pika gjaku natën nuk konsiderohet si nifas dhe nuk përshkruhet si gjak, kështu që nuk gjykohet për të si për lehoninë.

 

Shejkh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) u pyet:

Është një grua që, pas dy muajsh lehoni dhe pasi u pastrua, filloi të shikonte disa pika të vogla gjaku. A duhet të ndalojë agjërimin dhe të mos falet? Ose çfarë duhet të bëjë ajo?

Përgjigje: Nëse kjo grua u pastrua dhe përfundimisht pa shenjen që tregonte se kishte përfunduar menstruacionet apo lehoninë - me të cilën nënkuptoj fillimin e shkarkimit të sekrecioneve të bardha, i cili është i njohur për gratë - pastaj çdo gjë që shfaqet pas shenjës së pastërtisë: shkarkimet kafe ose të verdha, ose njollat ​​e gjakut, ose lagështia, asnjë nga këto nuk është menstruacion. Kështu që, nuk e pengon atë të falet, të agjërojë apo ta pengojë burrin të kryej marrëdhënie me gruan e tij, sepse nuk është menstruacion. Umu Atija ka thënë: "Ne i konsideronim shkarkimet e verdha dhe kafe si të mos ishin aspak te rëndësishme." Transmetuar nga el-Buhariu. Ebu Daudi shtoi: "... pas shenjës së pastërtisë." Me sened të saktë.

Bazuar në këtë, ne themi se çdo gjë e kësaj natyre që ndodh pas shenjës së pastërtisë nuk ka rëndësi dhe nuk e pengon gruan të falet ose të agjërojë, ose të ketë marrëdhënie intime me burrin e saj. Por ajo nuk duhet të nxitojë derisa ta shohë shenjen e pastërtisë, sepse disa gra, kur mbaron gjakderdhja, nxitojnë të marrin gusël para se të shohin atë. Prandaj gratë e sahabëve do të dërgonin copat e tyre - domethënë pambuku mbi të cilën kishte gjak - tek nena e besimtareve, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe ajo do t'u thoshte atyre: "Mos u nxitoni, derisa të shihni shkarkimin e bardhë."

www.ibnothaimeen.com/all/books/article_16919.shtml

Dhe Allahu e di më së miri.

Përktheu: M. Tafa

Burimi i Jetës

27.05.2018

fShare
6
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com