Ai që s'është i aftë të agjërojë

. Posted in Agjerimi.

plak ne xhamiÇ'kërkohet nga ai që s'është i aftë të agjërojë për shkak të moshës së shtyrë apo sëmundjes së zgjatur?

Allahu e ka bërë të detyrueshëm agjërimin e muajit Ramazan për të gjithë muslimanët që kanë mundësi, dhe për ata që kanë shkak të vlefshëm islamikisht dhe kanë mundës i ta bëjnë këtë më vonë, atëherë ata duhet ta kompensojnë agjërimet e humbura. Ekziston edhe një tjetër kategori për t'u marrë në konsideratë dhe ata janë të cilët s'janë të aftë të agjërojnë gjatë Ramazanit dhe jashtë tij, për shkak të moshës së vjetër apo sëmundjes së vazhdueshme. Në këtë rast, Allahu i ka lehtësuar këto çështje për ta duke kërkuar nga ata që thjesht vetëm të ushqejnë një person të varfër me një gjysmësaa' nga ushqimi i përditshëm në vendin ku jeton për çdo ditë (të Ramazanit), duke qenë kjo zëvendësim për agjërimin.

Allahu thotë: "Allahu nuk e rëndon një person përtej mundësive të tij". (el-Bekare, 286)

Ai thotë: "Dhe për sa u përket atyre që mund të agjërojnë me vështirësi (dmth njeriun plak, etj) ata kanë (zgjidhje ose të agjërojnë ose) për ta ushqyer një nevojtar (çdo ditë)". (el-Bekareh, 184)

Në lidhje me këtë, Ibn Abas (radiallahu anhu) shpjegon: "Kjo është për të vjetrit që s'mund të agjërojnë". (Transmetuar nga el-Buhari)

Për sa i përket atij që vuan nga sëmundja e vazhdueshme, vendimi për të është si për të vjetrin, në atë se nga ai po ashtu kërkohet që ta ushqejë një person të varfër për çdo ditë (të Ramazanit).

Për sa i përket atij që s'është i aftë të agjërojë për shkak të ndryshimit të rrethanave, siç është:

Udhëtari

- Ai që është i sëmurë dhe pritet të bëjë më mirë

- Gruaja shtatzënë apo gji-dhënësja e cila ka frikë për vetveten apo fëmijën e saj

- Gruaja me menstruacione apo ajo që ka gjakderdhje të paslindjes.

Kushdo që bie në ndonjërën nga kategoritë e mësipërme, nga ai/ajo kërkohet që kompensojë agjërimin që humb për shkak të rrethanave të pranueshme islamikisht, siç thotë Allahu:

"...dhe kushdo që sëmuret apo është duke udhëtuar, numër të njëjtë (ditësh që ai nuk ka agjëruar duhet të kompensohen) nga ditët tjera". (el-Bekare, 185)

Pra, ai që është i sëmurë seriozisht në mënyrë që agjërimi do ta dëmtonte atë dhe udhëtari që e ka të lejueshëm shkurtimin e namazeve të detyrueshme, atëherë është nga Suneti që ata të përmbahen nga agjërimi në të tilla rrethana, siç thotë Allahu:

"...numër të njëjtë (ditësh që ai nuk ka agjëruar duhet të kompensohen) nga ditët tjera". (el-Bekare, 185)

Po ashtu, Allahu thotë: "Allahu ka për qëllim t'ua lehtësojë juve, dhe Ai nuk do që t'i vështirësojë gjërat për ju". (el-Bekare, 185)

Dhe dihej që pejgamberi (sallahu alejhi ue selam) parapëlqente më të lehtën nga dy zgjidhjet e lejueshme. Është përmendur në el-Buhari dhe Muslim, se pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: "S'është devotshmëri që të agjërohet gjatë udhëtimit".

Mirëpo, nëse udhëtari dhe ai që ka qenë mjaft i sëmurë agjërojnë me gjithë vështirësitë gjatë agjërimit, atëherë ai agjërim do të jetë korrekt ndonëse kjo nuk pëlqehet.

Për sa i përket gruas me menstruacione dhe asaj që ka gjakderdhje të paslindjes, atëherë s'është e lejueshme për to të agjërojnë në gjendje të tillë (derisa të plotësojnë afatin përkatës dhe të marrin gusl të pastrimit).

Në lidhje me gruan shtatzënë dhe gji-dhënësen, atëherë është e detyrueshme për to të kompensojnë agjërimet dhe ditët që kanë humbur pasi të kalojë Ramazani. Veç kësaj, ajo që s'ka agjëruar për shkak të frikës për fëmijën e saj, atëherë është e detyrueshme për të që ta ushqejë një person të varfër për çdo ditë të humbur.

Është e detyrueshme për muslimanët ta bëjnë qëllimin për agjërimin e detyrueshëm gjatë natës para ditës së agjërimit, siç është agjërimi i Ramazanit, agjërimi haraç apo agjërimi për një zotim apo betim, duke pohuar shkakun për të cilin ai po agjëron, d.m.th Ramazanin, gjobën, apo për shkak të ndonjë zotimi.

Kjo bazohet në hadithin e pejgamberit (salallahu alejhi ue selam) i cili ka thënë: "Vërtet, veprat janë sipas qëllimit dhe secilit do t'i takojë ajo për çfarë ka pasur qëllimin..."

Dhe në autoritetin e A'ishes, ai (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: "Kushdo që nuk bën qëllimin (nijetin) para se të mbërrijë Sabahu, agjërimi i tij s'është korrekt".

Pra, është e detyrueshme të bëhet qëllimi për një agjërim të detyrueshëm gjatë natës përpara ditës së agjërimit. Kushdo që bën qëllimin gjatë ditës, i tilli është sikur ai që zgjohet vonë pas Sabahut dhe pa ngrënë asgjë, atëherë agjërimi i tij s'pranohet nëse ai ka bërë qëllimin pas zgjimit në këtë gjendje.

Mirëpo, është e lejueshme për agjërimet vullnetare në atë që qëllimi është i pranueshëm nëse ai bëhet gjatë ditës, meqë A'isha transmeton se pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) e vizitoi atë në shtëpinë e saj një ditë prej ditësh dhe tha:

"A ke ndonjë gjë për të ngrënë?"...ajo u përgjigj: "Jo". Kështu ai tha: "Atëherë, unë po agjëroj". (Transmetuar nga Muslim)

Vini re! Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) nuk po agjëronte në atë kohë, meqë ai kishte kërkuar ushqim. Pra në këtë ka dëshmi për lejimin e vonimit të bërjes së qëllimit për të agjëruar me kusht që agjërimi të jetë vullnetar.

Shënim: kushti për pranimin e qëllimit për të agjëruar një agjërim vullnetar gjatë ditës, është që ju të mos keni ngrënë apo pirë asgjë prej sabahut e as të keni bërë ndonjë gjë që e zhvlerëson agjërimin. Nëse ai bën ndonjë nga këto, atëherë agjërimi për atë ditë s'është i pranueshëm. Në këtë drejtim, s'ka dallim opinionesh mes dijetarëve.

 

Shejh Ibn Feuzan në "el-Mukhes el-Fikij", vëll. I, 273-275.

Burimi Jetës

31.05.2017