All for Joomla All for Webmasters

FORMA MË E ULËT E AGJËRIMIT

. Posted in Agjerimi.

Pin It

Ta dish se ka mënyra të caktuara të agjërimit të cilave duhet t'u përmbahesh, me qëllim që agjërimi të zhvillohet në mënyrën e urdhëruar dhe që personi të arrijë dobitë e tij, t'i përmbushë objektivat dhe të mos i rezultojë si i sikletshëm dhe i padobishëm. Kjo është siç ka thënë pejgamberi (salallahu alejhi ue selam): "Ndoshta, krejt çka një person përfton nga agjërimi i tij është uria dhe etja".

Pra, agjërimi s'është vetëm lënie e ushqimit dhe e pijes, por ai nënkupton lënien e të folmes dhe veprimit të papërshtatshëm, të cilat janë të ndaluara apo të papëlqyeshme.

Një nga të parët tanë të mirë kishte thënë: "Forma më e ulët e agjërimit është ta lësh (vetëm) ushqimin e pijen".

Kjo meqë afrimi ndaj Allahut nëpërmjet lënies së gjërave të lejueshme s'mund të jetë i plotësuar, përveç mbasi të lësh atë që Allahu ka ndaluar në çdo rrethanë. Edhe pse një musliman është i obliguar ta lërë haramin gjatë gjithë kohës, kjo është edhe më detyruese kur të agjërojë.

Nëse personi kryen harame në kohë të tjera veç agjërimit, ai bën gjynah dhe meriton të dënohet. Por, nëse ai i kryen ato gjatë agjërimit, atëherë, veç të qenët gjynahqar dhe meritor për dënimin, kjo ndikon në agjërimin e tij ose duke e bërë atë të mangët, ose duke e zhvlerësuar.

Kështu, personi i cili përnjëmend agjëron është ai, që përmbahet nga ushqimi dhe nga pija, i ruan gjymtyrët e tij nga gjynahet, e ndal gjuhën nga e folmja e keqe, i ndalon veshët nga dëgjimi i këngëve, muzikës, përgojimit e thashethemeve, si dhe i ruan sytë nga shikimi në harame.

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) tha: "Ai që nuk e lë gënjeshtrën dhe veprimin sipas saj, atëherë Allahu s'ka nevojë që ai ta lërë ushqimin dhe pijen". (Buhari)

Ai që agjëron, duhet t'i shmanget përgojimit, thashethemeve dhe ofendimit të të tjerëve, bazuar në atë çka kanë përcjellë dy shejkhat (Buhari dhe Muslim) nga Ebu Hurejre se ai kishte thënë, dhe është ngritur si thënie e pejgamberit: "Agjërimi është mburojë. Nëse dikush prej jush agjëron, ai s'duhet të flasë keq, të bëjë gjynahe apo të sillet si injorant. Dhe nëse dikush e ofendon, ai duhet të thotë: 'Unë po agjëroj'".

Fjala “xhunneh” (mburojë - parzmore) do të thotë ajo që mbron personin nga arma e kundërshtarit. Kështu, agjërimi e mbron personin nga bërja e gjynaheve, pasojat e të cilave janë dënim në këtë botë e në tjetrën. Fjala “refeth” në hadith i referohet të folmes së fëlliqur dhe të pamoralshme. Imam Ahmedi ka transmetuar në formën merfu' se pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: "Vërtet, agjërimi është mburojë për sa kohë që nuk shpohet". U tha: "Çka e shpon atë?" Tha: "Gënjeshtra dhe përgojimi".

Kjo dëshmon se përgojimi e shpon agjërimin apo e lë një gjurmë në të. Kur mburoja të jetë shpuar, nuk i kryen punë më bartësit të saj. Në të njëjtën mënyrë, kur agjërimi i personit të jetë shpuar, më nuk i bën dobi atij që agjëron.

Përgojimi është ashtu siç e shpjegoi pejgamberi (salallahu alejhi ue selam), dhe kjo është të përmendësh vëllanë tënd ashtu siç e urren ai. Në Musnedin e Imam Ahmedit, është transmetuar se kjo e prish agjërimin:

"Një herë e një kohë, gjatë jetës së pejgamberit, po agjëronin dy gra dhe ato gati sa nuk vdiqën nga etja. Kjo iu përmend pejgamberit, por ai nuk i lejoi ato ta prishnin agjërimin. Pastaj ato prapë iu përmendën pejgamberit dhe ai i thirri ato dhe i urdhëroi të villnin atë që ishte në barqet e tyre. Ato të dyja vollën dhe e mbushën një sahan me qelb, gjak dhe copa të mishit. Pastaj pejgamberi tha: "Këto dyja agjëruan duke u përmbajtur nga ajo që Allahu e ka bërë të lejueshme për to, por e prishën agjërimin duke bërë atë që Allahu e ka ndaluar për to. Ato uleshin me njëra-tjetrën dhe nisnin të hanin mishin e njerëzve (d.m.th përgojonin)".

Ajo që ndodhi me këto dy gra në praninë e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selam) nga vjellja e gjërave të neveritshme, ishte nga mrekullitë që Allahu lejoi të ndodhte pranë të Dërguarit të Tij, në mënyrë që ai të mund të tregonte efektet e këqija të përgojimit të njerëzve. Allahu i patëmeta thotë:

"Mos përgojoni shoqi-shoqin. A do të donte dikush prej jush të hajë mishin e vëllait të tij të vdekur".  El-Huxhurat, 12.

Ky hadith tregon se përgojimi e prish agjërimin në kuptimin figurativ, domethënë e zhvlerëson shpërblimin e agjërimit.

Paqja dhe bekimet e Allahu qofshin mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

Marrë nga “Çka është e ndaluar dhe e papëlqyer për agjëruesin”

 Shejh Salih el-Feuzan

Burimijetes.com

01.07.2015

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com