All for Joomla All for Webmasters

UDHËTIMI I LASHTË NË KOHËT MODERNE

. Posted in Haxhi.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Si shtyllë e pestë e Islamit haxhi është detyrë për ata besimtarë të cilët kanë mundësi fizike dhe financiare për ta kryer këtë udhëtim. Gjatë viteve numri i haxhinjve vjen duke u rritur. Nga qindra e mijëra njerëz të cilët e kryen haxhin me Profetin alejhi selam në vitin e 10 të hixhrit, sot kemi gati 2.5 milion çdo vit. Numri i tyre do të ishte 10 fish më i madh nëse nga autoritetet përkatëse nuk do të kishte kufizime.

Vitin që Profeti alejhi selam kreu haxhin, një sahab –Allahu qoftë i kënaqur me të!- ra nga deveja, e cila e shkeli duke i thyer qafën. Sahabi vdiq nga dëmtimi, ndërsa Profeti alejhi selam tha: "Lajani trupin me ujë dhe sidër dhe varroseni me të dyja veshjet. Mos ia mbuloni kokën e as mos e lyeni me kamfur se vërtet ai do të kthehet tek Allahu Ditën e Ringjalljes në gjendjen e telbijas (duke thënë: Lebejk Allahume lebejk)." Shënuar nga Buhariu dhe Muslimi. 

Në një rast tjetër Amër ibn el As radiallahu anhu tregonte: Kur Islami hyri në zemrën time unë shkova tek i Dërguari i Allahut alejhi selam dhe i thashë: "Ma jep dorën që unë të të premtoj përkrahjen time." Profeti alejhi selam hapi dorën e tij por unë e mbylla timen. Ai tha: "Çfarë nuk shkon, Amr?" Unë i thashë: "Dua të vë një kusht." Cili është ky kusht?- tha ai, alejhi selam. Unë thashë: "Që Allahu të më falë mua." Pastaj i Dërguari i Allahut tha: "A nuk e di se Islami fshin çfarë ka ndodhur para tij, se hixhreti fshin çfarë ka ndodhur para tij dhe haxhi fshin çfarë ka ndodhur para tij." Shënuar nga Muslimi.

Profeti alejhi selam ka thënë: "Kushdo që kryen haxhin dhe nuk bën ndonjë vepër të turpshme apo mëkat, ai kthehet i pastër nga gjynahet, ashtu siç ka lindur i pastër nga nëna e vet." Shënuar nga Buhariu.

Profeti alejhi selam ka thënë: "Shpërblimi për një haxh të pranuar nuk është gjë tjetër veçse xheneti." 

Ky është çelësi: shpërblimi me xhenet vjen nga haxhi i pranuar dhe pranimi është rezultat i pastërtisë së qëllimit dhe bindjes ndaj urdhrave të Allahut. Disa prej nesh kthehen nga haxhi duke ndjerë një qetësi të brendshme, disa e kanë të vështirë faktin që nuk kanë qenë të durueshëm gjatë gjithë haxhit, të tjerët shprehin pakënaqësi nga mosrehatia e duhur prej drejtuesve te udhëtimit.

Haxhinjtë perëndimorë në përgjithësi marrin shumë këshilla se çfarë duhet të bëjnë dhe të presin gjatë haxhit. Pavarësisht nga vështirësitë, haxhi ynë është një "piknik" po ta krahasosh me haxhin e Profetit alejhi selam dhe muslimanëve të atëhershëm. Në atë kohë nuk kishte avionë, as makina, as hotele me  pesë yje e as anijet nuk ishin të standardeve të sotme. Udhëtimi në det apo shkretëtirë i ekspozonte haxhinjtë ndaj piratëve dhe grabitësve. Udhëtimi për në Mekë kërkonte javë të tëra. Njerëzit u jepnin lamtumirë haxhinjve, sikur nuk do të ktheheshin më. Në Kuran thuhet për haxhinjtë: "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta."

Sot shumë pasagjerë udhëtojnë me avionë komod ku shërbehen ushqime nga më të ndryshmet, pastaj me autobusë me ajër të kondicionuar, dërgohen nëpër hotele ku janë afër me Haremin, ndërsa ne akoma ankohemi nëse ushqimi nuk vjen në kohë.

Cili është qëllimi i haxhit? Qëllimi i tij është të sprovojë durimin nga ana fizike, sakrificën nga ana frinanciare ose të na tregojë barazinë e umetit musliman para Allahut. Disa e quajnë qëndrimin në Arafat si përballjen e njerëzimit me Krijuesin Ditën e Gjykimit.

Nëse gjatë haxhit grumbullohen shumë njerëz, Ditën e Gjykimit çdokush do të jetë prezent. Ajo ditë nuk do të jetë si ditët e tjera. Po të reflektojmë në ajetin e parë të sures Haxh duket qartë se pse Allahu na thotë t'i frikësohemi Atij.

Frika dhe bindja ndaj Allahun në këtë botë janë opsionet e vetme për t'i shpëtuar frikës dhe hidhërimit të Ditës së Tubimit.

Haxhi na kujton se nëse ky udhëtim është i vështirë dhe kërkon një përgatitje të madhe, po për udhëtimin e fundit çfarë kemi përgatitur? Jo të gjithëve u jepet mundësia për të shkuar në haxh, por i gjithë njerëzimi, pa përjashtim, do të vdesë dhe do të bëjë udhëtimin e fundit.

Kur dikush e pyeti Profetin alejhi selam për fundin e kohës, ai u përgjigj: "Çfarë ke përgatitur ti për të?" Shënuar nga Buhariu dhe Muslimi.

"Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. Çka punoni nga e mira Allahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes keni dronë Time."

Shtëpia e Allahut që Ibrahimi dhe djali i tij ndërtuan është një mrekulli. Ajo është një dëshmi për mosndërprerjen e lavdërimit të Allahut.

Haxhi nuk është për të shkuar për pushim, por detyra jonë ndaj Allahut. Luksi nuk kontribuon në pranimin e këtij adhurimi, por gjatë haxhit ne duhet të përqendrohemi në rituale dhe t'i kërkojmë Allahut falje. Një zemër e qetë e cila kërkon falje dhe veprat e larta do të jenë shenja të mira, në dashtë Allahu që haxhi të pranohet.

Përktheu: M. Tafa

Burimijetes.com

29.11.2008

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com