All for Joomla All for Webmasters

HAXHI, EDUKIM PERSONAL

. Posted in Haxhi.

Pin It

Me emrin e Allahut Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut të madhëruar, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira qoftë mbi të Dërguarin e Tij salallahu alejhi ue selem, mbi familjen dhe shokët e tij e të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga mirësitë më të mëdha që na ka dhënë Allahu i madhëruar është se ka bërë akiden tonë nga gjërat kryesore në edukimin e vetes, ngritjen dhe vlerësimin e saj.

-Besimi në Allahun është i mjaftueshëm të mbjellë respekt në shpirtrat, për madhështinë e Plotfuqishmit subhanehu ue teala.

Imagjino kuptimet e emrave të Allahut dhe cilësive të Tij të cilat ta mbushin shpirtin me ndjenjën se Ai subhanehu ue teala është afër.

Es-Semi’a - Dëgjuesi, El-Alim - i Dituri, El-Basir - Shikuesi etj, emra të cilët të bëjnë të mos i afrohesh gabimit me lehtësi. Na largojnë dëshpërimin kuptimi i emrave: i Gjithëdituri, i Gjithënjohuri, etj., emra nga ky varg i ndritshëm nga i cili vjen madhështia dhe krenaria. Gjithashtu, edhe cilësitë e Tij subhanehu ue teala sikur i Madhi, i Lartësuari, të cilat e kanë hak të studiohen e të meditohen nga dijetarët muslimanë.

-Besimi në melaiket edukon tek ne vetëkontrollin.

Ndërsa sheriati dhe akidja kanë ndikim të madh në edukim, p.sh: namazi të ndalon nga të këqijat, e të bën të mësohesh të jesh i rregullt e i përpiktë.

-Zekati është shkollë më vete për mësimin e sakrifikimit e dhënies e pastrimin e shpirtrave.

-Agjërimi na mëson durimin me të gjitha llojet e tij.

Ky lloj edukimi i personalitetit ndodhet tek të gjitha ibadetet, vetëm se duket qartë madhështia e saj në këtë ibadet të lartë të cilin e kanë kryer të gjithë enbijatë e salihinët, e do të qëndrojë ibadet i përmallueshëm për muslimanët deri Ditën e Kiametit. Ky ibadet është haxhi, i cili e favorizon personin të dalë nga të gjitha gjynahet dhe mëkatet të bëhet si atë ditë që e ka lindur nëna (pa gjynahe), ashtu siç është saktësuar ky lajm nga i Dërguari i Allahut salalahu alejhi ue selem.

Nga ndikimet edukative në nivel personal dhe mbarë umetit është si më poshtë:

1. Rrënjosjen e çështjes së njësimit në zemrat e besimtarëve dhe konfirmimin e saj.

Me këtë realizohet sinqeriteti i cili është kushti i ibadetit të saktë. Pikësëpari nijeti i haxhit është vetëm për hir të Allahut të madhëruar: “…E kryeni haxhin dhe umren për Allahun...” Bekare, 196. Gjithashtu ka thënë Allahu i madhëruar në mes të ajeteve të haxhit: “…e braktisni pisllëqet e idhujve, e braktisni fjalën e rremë. Jini adhurues vetëm të Allahut e mos bëni ortak me të askënd.” Haxh, 30-31.

Edhe në telbija, e cila është shenjë e haxhit, duket qartazi njësimi i Allahut, ku thuhet: “Lebejk All-llahume lebejk, lebejk la sherike leke lebejk…” “Të përgjigjem Ty, O Allah të përgjigjem Ty, të përgjigjem Ty i Cili je i pashoq, të përgjigjem Ty…”

2. Bashkimi në pasim.

Edhe ky është kusht në saktësinë dhe pranimin e ibadetit. Ky pasim është në zbatimin e fjalëve, veprave e vendimeve të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, gjë e cila i vërteton njeriut njësimin e pasimit dhe e shpëton nga shirku i bindjes dhe i bidatit. Përmbledhjen e të ardhurave dhe kapërcimin e paragjykimeve, ku vetëm prej Pjegamberit salallahu alejhi ue selem merren ritet e haxhit.

3. Lirimi nga politeistët dhe kundërshtimin e tyre.

Edhe kjo është diçka e domosdoshme në legjislacionin islam. Gjë të cilën e bëri Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në vende të ndryshme në ritet e haxhit. Si p.sh: kryerjen e umres në muajt e haxhit, telbijen, qëndrimin në Arafat e në Muzdelife. Ah, sikur të merrnim mësim në dinjitet e lirim nga imitimi i politeistëve me të cilët janë sprovuar shumë prej muslimanëve. Të cilët nuk i kushtojnë rëndësi armikut pushtues, porse vrapojnë pas imitimit, burra e gra mbas gjërave të cilat nëse nuk janë të dëmshme të paktën janë të padobishme. E aq më keq të jenë dërrmuese të moralit.

4. Madhështia e simboleve të Allahut.

Kjo është nga qëllimet më të rëndësishme të haxhit, ku edukohet njeriu të madhështojë dhe të lartësojë këto simbole, duke nderuar dhe respektuar ata që i kryejnë këto rite.  Ka thënë Allahu i madhëruar në përmendjen e ajeteve të haxhit: “E kështu kushdo që i nderon simbolet e Allahut, atëherë kjo është me të vërtetë nga përkushtimi i zemrës.”Haxh, 32.

5. Edukim në moral të mirë e moral të lartë.

Nga këto janë dëlirësia, përmbajtja e zemërimit e lënia e debatit siç ka thënë Allahu i madhëruar: “Haxhi është në muajt e mirënjohur. Prandaj kushdo që  do të kryejë haxhin, mos të kryejë marrëdhënie intime me gruan, as të mos bëjë vepra të cilat të çojnë në gjynahe e as të mos sillet me padrejtësi (debat) në haxh.” Bekare, 197.

-Nga këto sjellje të mira janë gjithashtu butësia, qetësia e urtësia, siç ka thënë i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem kur dëgjoi zëra të lartë, zhurmë e shtyrje në shkuarjen në Muzdelife: “O ju njerëz, jini të qetë, sepse përkushtimi nuk është në të ngutur.” Trasmeton Buhariu.

-Gjithashtu, nga këto sjellje është edhe vetëmohimi dhe tejkalimin e interesave vetjake, duke u integruar në grup, në rroba të njëjta, në thirrje të njëjta e rite të njëjta.

-Gjithashtu, edhe edukimi për thjeshtësi ku në këtë vend nuk veçohet askush nga njëri-tjetri. E nuk ka për haxhiun veçori apo tipare ta dallojnë nga haxhilerët e tjerë në çështjet e fesë, sepse shtyllat, detyrat dhe sunetet janë të ngjashme për të gjithë haxhilerët.

-Nga këto është edhe edukimi i vetes në durim. Durim në vështirësinë e ibadetit, durim në largimin nga çka nuk e kënaq Allahun veçanërisht në ato vende ku njerëzit janë me shumicë, durim në gjithçka që i bie haxhiut duke ditur se çdo gjë është kader i Allahut.

-Nga këto janë edhe edukimi i vetes në sakrifikim, përpjekje e bujari, sepse haxhi është ibadet fizio-ekonomik.

-Nga këto është edhe realizimi i plotë i fjalës “vëllazëri”, del kjo qartazi kur haxhiu udhëton me grup e me shokë.

6. Edukim në përballimin e pasojave të gabimeve.

Duket kjo tek ai i cili ka kryer ndonjë gjë të ndaluar në ihram ose ka lënë ndonjë vaxhib pa kryer dhe duhet të paguajë kompensim. Nuk ka dyshim se ndenja për përgjegjësi dhe mbajtjen e saj është shenjë pjekurie tek njeriu e kjo është qëllimi i këtij edukimi.

7. Përkujtimi i Ditës së Kiametit. Ka disa pozicione të cilat i ndodhin haxhiut për këtë pikë:

-Dalja prej vendit të tij e ndarja nga familja e tij e përkujton atë me ndarjen e madhe me daljen e tij nga kjo dynja.

-Lënia e çdo gjëje të qepur e çdo zbukurimi, e përkujton atë me qefinin e daljen e njerëzve nga varret e tyre të zbathur të zhveshur e të pabërë synet.

-Udhëtimi, lodhja shumica e njerëzve duke iu shtuar këtyre edhe etjen e rrjedhjen e djersëve, e përkujton atë me qëndrimin e mbledhjen e njerëzve në urën e Siratit ditën e Kiametit.

8. Edukimi në nënshtrim dhe përulësi urdhrit të Allahut dhe përpjekja e tij në të.

Duket kjo kur personi i jep përparësi kënaqësisë së Allahut dhe asaj çka Ai e pëlqen ndaj kënaqësive të epsheve të veta, gjë e cila e ngre në gradë të lartë, ku nuk ndjehet njeriu i rehatshëm e as i qetë, vetëm se në atë çka e pëlqen Allahu i madhëruar prej tij. Në këtë rast besimi i njeriut ngrihet lart me mirësinë e Allahut dhe ndihmën e Tij subhanehu ue teala.

9. Rrënjosjen e kuptimit të fjalës vëllazëri në besim e bashkim islamik.

Haxhi është konferencë e madhe islamike botërore. Vërtetohet në të bashkimi, të cilët janë të njëjtë në burimin e legjislaturës, në nijetin e veprat e tyre, në kohën ku kryejnë këto rite edhe vendin, rrobat, dhikrin e këtyre ditëve dhe ritet që kryejnë. Të gjitha ndryshimet e tjera si: ngjyrat, gjuhët, krahinat, vendet shkrihen ndërmjet muslimanëve.

Fatkeqësisht e kundërta është e saktë këto ditë, vetëm Allahut të madhëruar i ankohemi.

10. Lidhja e haxhilerëve me të parët e tyre, ku ritet e haxhit përmbajnë vepra të cilat na kujtojnë me babanë tonë Ibrahimin alejhi selam e udhëtimin e tij me bashkëshorten e tij Haxher e djalin e saj foshnje Ismailin alejhi selam për në Meke e deri në fund të historisë së tyre. Duke kaluar edhe tek pjesa tjetër e mbarë e njerëzimit, nga të Dërguarit e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të gjithë, e deri sa arrijmë tek haxhi i lamtumirës me më të mirin Resul dhe vula e tyre salallahu alejhi ue selem. Pastaj e plotësojmë udhën me sahabët e tabiinët, dijetarët e salihinët e deri në ditët tona. E sa dobi ka në historitë e këtyre të mëdhenjve e sa shembulli mirë janë këta për ne!

11. Shtimine përmendjes së Allahut të madhëruar.

Haxhi është një nga simbolet islame ku dhikri i Allahut ia ka shtuar edhe më tepër lavdin e madhështinë. Ka thënë Allahu i madhëruar: “...e përkujtojeni Allahun tek vendet e shenjta…” Bekare, 198.

E në një hadith thuhet: “Është bërë tavafi rreth Kabes, edhe ecja ndërmjet Safasë e Mervas dhe hedhja e guralecave, për të ngritur dhikrin e Allahut në tokë.” Transmeton Ebu Daudi, e ka dobësuar Albani, Allahu e mëshiroftë!

12. Mësimi si të jesh i rregullt e i sistemuar.

Në kryerjen e riteve të haxhit ka renditje e rregulla të cilat nuk pranojnë të  cenohen. Sa njerëz ka të cilët zakonisht shkojnë sipas qejfit e dëshirave të tyre e nuk rregullohen vetëm se në haxh.

13. Edukim të besimit. E nga këto janë:

-Edukim i vetes në largim prej mëkateve e shmangien prej tyre. “Haxhi është në muaj të mirënjohur…” Haxh, 197.

-Edukim i vetes në përpjekje të shtimit të ibadeteve dhe shfrytëzimin e kohës në maksimum. “…E çka bëni prej veprave të mira Allahu i di...” Bekare, 197.

-Edukimi i vetes në shtimin e duasë, (lutjeve) e shijen e përuljes Allahut të madhëruar. Ka thënë Pejgabmberi salallahu alejhi ue selem: “Duaja më e mirë është duaja e ditës së Arafatit.” Transmeton Tirmidhiu dhe e ka saktësuar Albani.

-Në haxh ka gjashtë vende në të cilat duaja është e pranuar. E kjo është mirësi e madhe nga Allahu i madhëruar: Tavafi, Safa dhe Merva, ditën e Arafatit, në vendet e shenjta (Muzdelife), mbas hedhjes së guralecave tek pengesa e vogël, e hedhjen e guralecave tek pengesa e mesme. Duke u vënë në dije se haxhi i gjithi është treg i fituar i duasë i pendimit e i teubes.

14. Edukim në qëndrim në rrugë të  drejtë mbas haxhit, e faljen e gjynaheve e zbardhjen e fletushkave. Ka thënë Hasen el Basri rahimehullah: “Haxhi pranuar është atëherë kur personi kthehet prej tij, asketik (i larguar) nga dynjaja e dëshirën për ahiret. Dëshmon për këtë thënia e Allahut të madhëruar: “Ata të cilët drejtohen ua shton Allahu udhëzimin, e u dhuron përkushtimin (në këtë udhë).” Muhamed, 17.

15. Edukimin e vetes në thirrjen për në rrugë të Allahut, urdhërimin në të mirë e ndalimin nga e keqja.

Mbledhja e njerëzve e injoranca e disave prej tyre në rregullat e haxhit. Është rast i favorshëm për ftesën e tyre në rregullimin e saktësimin e kuptimeve dhe sjelljeve të tyre. Ka thënë Shuxha bin Uelid: “Isha në haxh me Sufjanin e gjuha e tij nuk pushoi nga urdhërimi në të mirë e ndalimi nga e keqja nga shkonte e nga vinte.”

16. Në veshjen e Ihramit edukim.

Kur njeriu i shmanget atyre gjërave të cilat ia ka lejuar Allahu nga zbukurimet e dynjasë atij të cilit nuk është në haxh, do ta ketë të lehtë t’u largohet gjërave të ndaluara gjatë gjithë kohës. Në këtë kohë nuk bëhet fjala për gjërat e ndaluara vazhdimisht, por bëhet fjala për disa gjëra të cilat në realitet janë të lejuara, por i ndalohen haxhiut për një farë kohe të kufizuar.

17. Në telbije ka edukim.

Në të vërtetohet njësimi i Allahut dhe përgjigja e urdhrit të Allahut, premtimin për bindje ndaj Tij dhe kundërshtimin e rrugës së politeistëve. Nëse dikush prej nesh fillon telbijen duke iu përgjigjur Allahut një herë në vit  e si i bëhet dembelizmit ndaj përgjigjes së Allahut për ditë?

18. Edukim në sinqeritet të nijetit dhe forcimin e vullnetit.

Me shkuarjen e personit në haxh, do të thotë se ai e ka mposhtur epshin e rehatisë e dëshirat e tij luksoze, është nisur drejt një udhe i cili e di shumë mirë lodhjen dhe vështirësitë që ka kjo udhë, por ai nuk ia vë veshin këtyre pengesave e thirrjeve. Sa nevojë kemi ne për të tillë moral, ku pengesat për të ecur rrugës së drejtë dhe zërat e të humburve janë aq të shumtë e me lloj-lloj pretendimesh!

19. Edukim në lënien e atyre zakoneve dembelizmi dhe ndërprerjen e marrëdhënieve me ata që zemra është e lidhur për ta më shumë se me Allahun e madhëruar, nga kënaqësitë e kësaj bote dhe njerëzit e saj. Realizohet shmangia nga këto, atëherë kur forca e lidhjes me kënaqësinë e Allahut dhe xhenetin e Tij është më  e madhe se kënaqësia me këto kënaqësi të përkohshme.

20. Në haxh ka edukim praktik.

Haxhiu është përgjegjës për kryerjen e riteve të haxhit dhe asgjë tjetër përveç tyre. Shkuarja e tij me kompani apo me shokë i jep atij mundësi të praktikojë më shumë, gjë të cilën nuk mund ta bëjë vetëm se në haxh.

21. Në haxh ka edukim në të mësuar dhe mësimin e të tjerëve.

Haxhiu i mëson rregullat  e kryerjes së haxhit dhe gjërat që e prishin këtë. Me shkuarjen e tij në ndonjë kurs para haxhit apo ndoshta pyet ndonjë dijetar gjatë haxhit, sepse pyetja e mirë është gjysma e dijes. Me marrjen e kësaj dije bëhet i aftë t’ua mësojë këtë edhe të tjerëve.

O Allah, na e lehtëso neve e na  bëj rrizk haxh të pranuar e na i fal gjynahet tona! Allahu i madhëruar e di më së miri.

Ahmed Abdul Muhsin El Asafi

Përktheu: F. Gurra

Burimijetes.com

24.11.2009

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com