All for Joomla All for Webmasters

VLERA E DHJETË DITËVE TË DHUL HIXHES DHE DITËS SË ARAFATIT

. Posted in Haxhi.

Pin It

Me emrin e Allahut Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit.

Falënderimet dhe madhërimet i përkasin Allahut Fuqiplotë. Paqja, begatitë dhe mirësitë  e të Madhit Zot qofshin mbi vulën e të gjithë profetëve Muhamedin (alejhi selam) mbi shokët e tij, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin dhe pasojnë rrugën e tij të drejtë deri në ditën e fundit të kësaj bote.

Allahu i madhëruar thotë në librin e tij famëlartë: “Nëse do të donit t’i numëronit begatitë e Allahut ndaj jush nuk do të mund t’i numëronit dot.” Ibrahim, 34.

Nga këto begati të panumërta ndaj nesh janë edhe disa periudha të veçanta në të cilat njerëzit vepërmirë shtojnë veprat dhe punët e tyre. Nga këto periudha është edhe dhjetëditëshi i parë i muajit hënor të dhul hixhes dhe dita madhështore  e Arafatit.

Dihet që nga natyra e njeriut është neglizhimi dhe harresa, por kjo nuk do të thotë që t’i humbim shpresat prej mëshirës së Allahut të Lartësuar, por duhet t’i shtojmë veprat e mira sidomos në ato raste mjaft të favorshme ku veprat e mira shtohen e shumëfishohen.

Raste të tilla ia kujtojnë njeriut Zotin e tij nëse e ka harruar. Të tilla rate e thërrasin njeriun për meditim e pendim ndaj Krijuesit dhe Furnizuesit të tij Fuqiplotë.

Sa më shumë të kthehemi e të afrohemi drejt Allahut aq më e mirë do të jetë dhe gjendja jonë si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën.

Dhe ja, dhjetëditëshi i parë i këtij muaji po rend, dita e Arafatit po troket. A mos vallë do e lëmë të shkojë e të na rrëshqasë nga duart ashtu, siç na kanë kaluar sa e sa raste dobiprurëse.

Për këto dhjetë ditë është betuar Allahu në Kuran dhe siç e dimë Allahu betohet në çfarë të dojë prej krijesave të tij, por kur Ai (subhanehu ue teala) betohet në ndonjë gjë, kjo tregon për vlerën dhe rëndësinë e kësaj gjëje. Thotë: “Pasha mëngjesin dhe pasha dhjetë ditët dhe çiftin dhe tekun.” El Fexhr, 1-3. Ka për qëllim dhjetë ditët e para të muajit dhul hixhe, sepse Profeti (alejhi selam) thotë: “Dhjetë ditët janë dhjetë ditët e kurbanit, (teku) është dita e Arafatit dhe (çifti) është dita e kurbanit.” Transmeton Imam Ahmedi.

Ndërsa në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtojeni Allahun në ditët e caktuara.”Haxh, 28. Në një hadith Profeti (alejhi selam) thotë: “Nuk ka ditë në të cilat punët e mira të jenë më të dashura tek Allahu sesa kryerja e tyre në këto dhjetë ditë.” I thanë: “Edhe më të dashura se luftimi në rrugën e Allahut?” Edhe më të dashura se luftimi në rrugën e Allahut, veçse nëse ndonjëri merr pjesë në luftë me veten e tij dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën,- u përgjigj Ai. Transmeton Buhari.

Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) komenton dhe thotë: “Me sa duket, u është dhënë përparësi këtyre ditëve ndaj të tjerave, sepse në këto ditë gërshetohen një sërë adhurimesh kryesore, siç janë: namazi, agjërimi, sadakaja, haxhi, etj. Dhe nuk ndodh një gërshetim i tillë, veçse në këto ditë.

Disa kanë mendimin e gabuar se në këto ditë vetëm duhet të agjërosh, mirëpo fjala e Profetit (alejhi selam) që cituam më lartë (punët) që në arabisht do të thotë (el amal), përmbledh në vetvete të gjitha punët e mira. Nyja shquese (el) në gjuhën arabe është përmbledhëse dhe përfshirëse e të gjitha degëve dhe pjesëve që i përfshin termi (punë). Këtu do të përmendin kryerjen e atyre punëve dhe veprave të mira që janë më parësore dhe më të rëndësishme, njëkohësisht dhe më të lehta për t’u kryer. Këto vepra janë:

- Kryerja e namazeve të obliguara (farze), jo vetëm kaq por pëlqehet sidomos në këto ditë ardhja herët shpejt e herët në xhami jo për të bërë biseda, por për t’u falur e lutur dhe për ta përkujtuar Allahun sa më shumë. Allahu i madhëruar thotë: “Dhe besimtarët të cilët ndaj namazeve të tyre tregojnë kujdes).”

- Kryerja e sa më shumë namazeve vullnetare (sunet) sidomos falja e dymbëdhjetë rekateve në ditë, të cilat janë shkak që të ndërtohet një shtëpi në xhenet. Kujtojmë këtu, gjithashtu, edhe sunetet para dhe pas namazeve farze, si dhe namazin e paradites (duhasë), namazin e natës, namazin e vitrit, namazin pas abdesit, etj.

- Agjërimi, gjithashtu, konsiderohet si vepër e mirë, sidomos në këto dhjetë ditë, sepse siç trasmeton Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur me të!) Profeti (alejhi selam) katër gjëra nuk i linte kurrë: agjërimin e ditës së ashures, agjërimin e këtyre dhjetë ditëve, agjërimin e tri ditëve në çdo muaj dhe faljen e dy rekateve pas sabahut.” Trasmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Nisau.

Të gjithë dijetarët e këtij umeti unanimisht kanë rënë dakord se është e pëlqyeshme agjërimi i këtyre dhjetë ditëve.

-Përmendja e Allahut të Lartësuar (dhikri), dihet që kjo është e pëlqyer në çdo kohë, mirëpo në këto dhjetë ditë kanë më shumë vlerë tekbiret.

-Garimi në punë të mira, siç thotë Allahu i Madhëruar: ”Garoni, nxitoni në vepra prej të cilave meritoni falje mëkatesh prej Zotit tuaj e xhenete gjerësia e të cilave është sa e qiejve dhe e tokave të përgatitur për të devotshmit.” Al Imran, 133.

- Pendimi, thotë Allahu: “O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me pendim të sinqertë.” Tahrim, 8.

- Vizitat, sidomos ndaj të afërmve dhe myslimanëve, thotë Allahu i madhëruar: “Kini frikë Zotin me emrin e të cilit përbetoheni dhe mbani lidhjet farefisnore.” Nisa, 1.

Për të mos folur pastaj për ditën e Arafatit, ditën më të mirë të vitit. Ashtu sikurse nata e Kadrit është nata më e vlefshme e vitit ashtu edhe dita e Arafatit është dita më e vlefshme e vitit.

Këtë ditë e ka madhëruar Allahu e ka ngritur mbi të gjitha ditët e tjera. Në këtë ditë Allahu e ka plotësuar fenë dhe dhuntinë e tij ndaj njerëzve. Në këtë ditë falen gjynahet dhe shpëtohen njerëzit nga zjarri i xhehenemit.

Transmetohet nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se një herë një hebre i ka thënë: “O prijësi i besimtarëve, një ajet që gjendet në librin tuaj e që ju e lexoni, sikur të na kishte zbritur neve do ta merrnim ditën e zbritjes së këtij ajeti ditë feste. Cili është ky ajet?- i thotë Umeri? “Sot e përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë time dhe për ju e zgjodha Islamin si fe” - i përgjigjet hebreu. Atëherë Umeri i thotë: “Ne e dimë ditën dhe vendin e zbritjes së këtij ajeti, në ditën e xhuma në vendin e Arafatit dhe që të dyja këto ditë janë ditë feste për ne (njëra javore dhe tjetra vjetore).” Transmeton Buhari dhe Muslimi.

“Agjërimi i kësaj dite shlyen mëkatet e dy viteve, shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që vjen.” Transmeton Muslimi.

Duhet shpeshtuar në këtë ditë lutja dhe kërkimi falje Allahut të madhëruar për lirim nga zjarri i xhehenemit, sepse Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Lutja më e mirë është lutja e Arafatit, kurse fjala më e mirë që kam thënë unë dhe Profetët para meje është: La ilahe ila Allah uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir - Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, i Vetëm e pa shok, Atij i takojnë mbretërimi dhe lavdërimi dhe Ai për çdo gjë është i Plotfuqishëm.

Në këtë ditë duhet të bashkojmë ndërmjet shpresës dhe frikës, t’i frikësohemi dënimit të Allahut dhe të shpresojmë faljen e Tij.

Nuk ka ditë që Allahu të nxjerrë njerëz nga zjarri i xhehenemit si në ditën e Arafatit.

Ditën e Arafatit Allahu mburret para engjëjve duke u thënë: “Shikojini robërit e mi! Kanë ardhur të pluhurosur e të rraskapitur nga çdo skaj i largët. Dëshmoni që unë ua kam falur sot gjynahet.”

Nuk ka ditë që shejtani të shikohet më i poshtëruar e më betejë humbur sesa në këtë ditë, sepse gjithë mundin që ka bërë gjatë vitit i shkatërrohet për një ditë.

Dita e Arafatit është dita e pajtimit, sepse falen të gjitha gjynahet dhe hapet një fletë e re për veprat tona, çdo gjë që kemi vepruar deri atëherë fshihet. Është njësoj sikur t’i kemi marrë ndonjërit borxh dhe ai të vijë një ditë e të na thotë: “T’i kam falur të gjitha borxhet që me ke”.

A nuk e meriton që dashurinë që kemi për të Madhin Zot ta shtojmë edhe më shumë për hatër të kësaj dite të madhe, ditë të cilën e ka caktuar Allahu për të na falur mëkatet tona.

Të mos harrojmë kurbanin me anë të të cilit shprehim devotshmërinë ndaj Allahut, Krijuesit tonë. Allahu nuk ka nevojë as për mishin e as për gjakun tonë. Ai në Kuran thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi dhe as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj.” Sa më i majmë aq më mirë, një dele mjafton për një familje dhe një lopë për shtatë.

Dhe Të Madhin Zot lusim që të na e bëjë të mundur realizimin me sukses të adhurimeve në këto ditë të vlefshme dhe e lusim gjithashtu të na i pranojë veprat dhe punët tona të mira! Dhe lutja e fundit është: Falënderimet i takojnë Allahut Zotit të botrave!

Kujtim Hasani

Burimijetes.com

17.11.2009

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com