All for Joomla All for Webmasters

DHJETË DITËT E PARA TË MUAJIT DHULHIXHE

. Posted in Haxhi.

Pin It

Me emrin e Allahut Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit

Lavdërimi i takon vetëm Allahut, bekimi dhe paqja qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka të dërguar.

Nga begatitë e Allahut ndaj robërve të Tij është edhe caktimi i disa sezoneve për vepra të mira, ku ata i shtojnë këto vepra gjatë këtyre ditëve, bëjnë gara në këtë që të afrohen te Zoti i tyre. I lumtur konsiderohet ai që përfiton gjatë këtyre sezoneve dhe nuk lejon që t`i kalojnë kot. Nga këto sezone me vlerë janë dhjetëditëshi i parë i dhulhixhes. Për këto ditë Profeti salallahu alejhi ue selem ka dëshmuar se janë më me vlerë se çdo ditë tjetër dhe ai ka nxitur për bërjen e veprave të mira gjatë këtyre ditëve. Ajo që e shton edhe më shumë vlerën është se Allahu i Lartësuar është betuar në këto dhjetë ditë. Vetëm kjo na mjafton të kuptojmë madhërinë e këtyre ditëve, për shkak se i Madhëruari nuk betohet vetëm se në diçka të madhe.

E tërë kjo është shkas që nga besimtari të kërkohet të japë mundin gjatë këtyre ditëve, t`i shpeshtojë veprat e mira dhe të kuptojë formën e saktë të pritjes dhe shfrytëzimit të tyre. Në vazhdim do të sqarojmë vlerën e dhjetëditëshit të parë të dhulhixhes, vlerën e veprave gjatë këtyre ditëve dhe cilat vepra janë të preferuara të praktikohen.

Lusim Allahun e Lartësuar të na japë sukses të përfitojmë gjatë këtyre ditëve dhe të na ndihmojë në shfrytëzimin e tyre, ashtu si Ai është i kënaqur me ne!

Me çfarë duhet të pritet dhjetëditëshi i parë i dhulhixhes?

Është e zakonshme që besimtari të jetë në pritje të sezoneve të përgjithshme, nga këto edhe dhjetëditëshin e parë të dhulhixhes me këto gjëra:

1. Pendim të sinqertë.

Kërkohet nga muslimani që të jetë në pritje të këtyre ditëve me pendim të sinqertë dhe me vendosshmëri se do t’i kthehet Allahut, për shkak se me pendim robi arrin shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë:

“… Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” Nur, 31.

2. Vendosshmëria serioze për shfrytëzimin e këtyre ditëve.

Është e nevojshme për muslimanin të jetë i kujdesshëm që këto ditë t’i kalojë me thënie dhe vepra të mira. Kush mundohet për diçka, Allahu i ndihmon atij dhe do t’ia sigurojë shkaqet të cilat do ta ndihmojnë në kryerjen e këtyre veprave. Ai që është i sinqertë dhe i drejtë me Allahun edhe Allahu do të jetë i drejtë dhe i mëshirshëm me të. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut, 69.

3. Largimi nga mëkatet.

Sikurse që veprat e mira janë shkaktarë për afrimin ndaj Allahut, gjithashtu edhe mëkatet janë shkaktarë për largimin nga Allahu dhe distancim nga mëshira e Tij. Është shumë e mundur që njeriu të ndalohet nga rahmeti i Allahut, për shkak të mëkatit që e vepron, prandaj nëse ke ëndje për mëshirë, falje të mëkateve dhe shpëtim nga zjarri i xhehenemit ki kujdes nga mëkatet gjatë këtyre ditëve dhe ditëve të tjera. Ai i cili e kupton se çfarë kërkon, nuk i duket e rëndë çkado që sakrifikon.

4. Kryerja e veprave të mira si:

Agjërimi.Është sunnet që muslimani të agjërojë nëntë ditët e para të muajit Dhulhixhe. Sepse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, na ka thënë të shtojmë veprat e mira në këto dhjetë ditë, e agjërimi është nga veprat më të mira. Vepër për të cilën Allahu, në hadith kudsij ka thënë: "Çdo vepër e birit të Ademit është për të, vetëm agjërimi, ai është për Mua e Unë shpërblej për të". Buhari.

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem agjëronte nëntë ditët e Dhulhixhes. Transmetohet se disa nga gratë e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem kanë thënë: "Ishte Resulallahu salallahu alejhi ue selem që agjëronte nëntë ditët e dhulhixhes, ditën e Ashures, dhe tri ditë nga çdo muaj. Të hënë e parë të çdo muaji dhe dy të enjtet e tij." Nesai 4/205, Ebu Daud, sahih sipas Albanit.

Tekbiri.Sunet është gjithashtu tekbiri, tahlili dhe tesbihi (thëniet; Allahu ekber, la ilahe il Allah dhe subhanallah) në këto dhjetë ditë. Thënia e këtyre me zë në xhami, në shtëpi, në rrugë dhe në çdo vend në të cilin lejohet të përmendet Allahu i madhëruar. Në mënyrë që madhërimi i Allahut të jetë i dukshëm dhe për t’u shfaqur ibadeti.

Sadakaja.Duhet të përmendim se edhe sadakaja është e vlefshme në çdo kohë, por ka kohë ku ajo e rrit vlerën e saj dhe nga ditët në të cilat ajo ka një vlerë të lartë është dhe koha e dhjetë ditëve të para të Dhulhixhes.

Prandaj, vëlla i dashur dhe ti o motër e nderuar, ki kujdes në shfrytëzimin e këtyre ditëve, mundohu që t’i presësh sa më mirë dhe të mos kalojnë ashtu e të pendohesh, atëherë kur pendimi nuk ka dobi.

Të shpejtojmë dhe të kemi kujdes për çastet e këtyre dhjetë ditëve që mos të na kalojnë kot. Të Pendohemi tek Allahu për mëkatet që kemi bërë deri tani dhe të bëjmë sa më shumë ibadete, të falim sa më shumë namaze, të agjërojmë, të japim sadaka etj.       

Por, cila është vlera e dhjetëditëshit të parë të dhulhixhes?

1.     Allahu i Lartësuar është betuar në këto dhjetë ditë. Kur Allahu betohet në diçka, kjo aludon në madhërinë e saj dhe vlerën që ka, për shkak se i Madhërishmi nuk betohet vetëm se në diçka të madhe. Allahu i Lartësuar thotë:

“Pasha agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun!” Fexhr, 1-3.

Dhjetë netët për të cilët Allahu betohet këtu janë dhjetë të dhulhixhes, ky është mendimi i shumicës së komentatorëve të Kuranit; Ibën Kethiri thotë se kjo është e sakta.

2. Këto ditë janë ato ditët që Allahu i quan të njohura dhe në të cilat është caktuar dhikri (përkujtimi i Allahut).

Allahu i Lartësuar thotë: “…Dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (të njohura), (në shenjë falënderimi) dhe për atë që i ka furnizuar me kafshë…” Haxh, 28. Shumica e dijetarëve thonë se ditët e caktuara (të njohura) janë dhjetë ditët e para të dhulhixhes; nga ata që kanë thënë kështu janë: Ibën Omeri dhe Ibën Abasi.

3. Profeti salallahu alejhi ue selem, ka dëshmuar se këto ditë janë më të vlefshmet se të gjitha ditët e tjera.

Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat vepra e mirë është më e dashur tek Allahu sesa në këtë ditë (të dhulhixhes).” I thanë: “As lufta në rrugë të Allahut?” Tha: “As lufta në rrugë të Allahut, përveç nëse del ndokush me veten e tij dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë”. Transmeton Buhariu.         
Transmetohet gjithashtu nga Xhabiri se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ditët më të mira në këtë botë janë dhjetë ditët e dhulhixhes.” Dikush pyeti: “A nuk arrin këtë vlerë lufta në rrugën e Allahut?” Ai tha: “Nuk e arrin këtë vlerë as lufta në rrugën e Allahut, përveç atij që i bie fytyra në dhe.” Bezari, Ibën Hibani dhe Shejh Albani e cilëson të saktë.

4. Në këtë dhjetëditësh ndodhet edhe dita e Arafatit.

Dita e Arafatit është dita e haxhit të madhnë të cilën Allahu e plotësoi fenë e Tij. Ajo është dita e faljes së mëkateve, dita e shpëtimit nga zjarri. Në këto dhjetë ditë të dhulhixhes po të mos ishte vetëm se kjo ditë do të mjaftonte për ngritjen e vlerës së këtyre dhjetë ditëve. Agjërimi në këtë ditë është falje gjynahesh të dy viteve, të vitit të kaluar dhe atij të ardhshëm. Në këto ditë gjithashtu është dita e Kurban Bajramit, e cila është nga ditët më të rëndësishme të vitit në përgjithësi. Ditë në të cilën bashkohen disa ibadete e adhurime të cilat nuk vijnë në një ditë në asnjë ditë tjetër të vitit.

5. Në këto dhjetë ditë gjendet edhe dita e nahrit (kurbanit).

Kjo ditë është më e vlefshme se të gjitha të tjerat te disa dijetarë, madje më e vlefshme edhe se dita e Arafatit. Resulullahu (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Dita më e madhe tek Allahu është dita e nahrit, pastaj dita e ballafaqimit me armikun.” (Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu dhe e cilëson Albani si të saktë)

6. Në këto ditë përmblidhen ibadetet më të rëndësishme.

Hafidh Ibën Haxheri thotë: “Ajo që nënkuptohet këtu si shkaku i veçimit të këtyre ditëve është se në këto ditë mblidhen adhurimet më të rëndësishme: namazi, agjërimi, sadakaja, haxhi, kurse ditëve të tjera nuk ndodh ky bashkim.”

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

18.11.2009

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com