All for Joomla All for Webmasters

KUR ËSHTË BËRË DETYRË HAXHI?

. Posted in Haxhi.

Pin It

El-Haxh nga ana gjuhësore do të thotë: Synim.

Në terminologjinë fetare do të thotë: Adhurim që i përkushtohet vetëm Allahut të Lartësuar me kryerjen e ritualit sipas formës (mënyrës) së caktuar në kohën e përcaktuar.

Gjykimi i tij:

Haxhi është detyrë sipas Kuranit, Sunetit dhe konsensusit. Ai është një prej shtyllave të fesë islame.

Argument nga Kurani:

Allahu i Lartësuar thotë: "dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën." Al-Imran, 97.

Argument nga Suneti:

Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: "Feja Islame ngrihet mbi pesë (shtylla):..." e prej tyre përmendi: "kryerja e haxhit në Shtëpinë e Shenjtë për atë që ka mundësi."

Konsensusi:
Iben el-Mundhiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: "Umeti është i një mendimi se kryerja e haxhit është detyrë një herë në jetë."

Kur është bërë detyrë haxhi?

Disa dijetarë thonë se ai është bërë detyrë para hixhretit. Porse kjo fjalë konsiderohet "shadh". Fet'hul-Barij.

Kanë thënë: Është bërë detyrë pas hixhretit. Por, janë në kundërshtim se në cilin vit është bërë.

Shumica janë të mendimit se ai është bërë detyrë në vitin e gjashtë hixhri, sepse në lidhje me këtë ka zbritur fjala e Allahut të Lartësuar: "Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut!" El-Bekare, 196.

Hafidh Iben Haxheri (Allahu e meshirofte!) thotë se kjo është e sakta.

Kanë thënë: Është bërë detyre në vitin e nëntë.

Imami Ibnul-Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë se kjo është e sakta, duke thënë: "Për sa i përket fjalës së Allahut të Lartësuar: "ue etimmu..." ka zbritur në vitin e gjashtë, vitin e "Hudejbies/beselidhja e Hudejbies". Në këtë ajet nuk tregohet obligueshmëria e haxhit, por në të tregohet urdhri për plotësimin e tij dhe të umres kur fillon ritualin e tyre."

Kjo është fjala më e saktë. Ky është mendimi dhe i shejh Iben Uthejminit (Allahu e mëshiroftë!) në "Sherh Sahih el-Buhari" dhe "Sherh bulugil-Meram".

Imam Ibnul-Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!): "Nuk ka kundërshtim në mesin e dijetarëve se Profeti alejhis selam ka kryer vetëm një haxh, i cili njihet si "Haxhi i Lamtumirës" në vitin e dhjetë hixhri."

Haxhi i pranuar:

Hafidh Iben Abdulberr (Allahu e mëshiroftë!): "Haxhi i pranuar është ai në të cilin nuk ka syfaqësi, famë (njeriu nuk kërkon famë me anë të tij), fjalë të pahijshme, vepra të turpshme dhe kryet me pasuri hallall."

Shejh Iben Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): "Haxhi i pranuar është ai në të cilën përmblidhen:

Së pari: Të jetë i sinqertë vetëm për Allahun.

Së dyti: Të kryet me pasuri hallall (lejuar).

Së treti: Njeriu të kryejë në të gjërat që janë detyrë në mënyrë që të konsiderohet adhurim."

Haxhi i pranuar është që gruaja mos ta kryejë haxhin veçse me mahremin. Nëse ajo e kryen haxhin pa patur mahrem, ai nuk konsiderohet haxh i pranuar.

Përgatiti: Unejs Sheme

Burimi Jetës

03.09.2016

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com