All for Joomla All for Webmasters

FILLIMI DHE MBARIMI I KOHËS SË IKINDISË

. Posted in Namazi.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Transmetohet nga Abdullah ibën Amër se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Koha e namazit të drekës është deri sa nuk ka hyrë koha e ikindisë, ndërsa koha e namazit të ikindisë është deri sa nuk është zverdhur dielli. Koha e namazit të akshamit është deri sa nuk ka ikur e kuqërremta e qiellit (nga ana e perëndimit). Koha e namazit të jacisë është deri në mesnatë dhe koha e namazit të sabahut është deri sa nuk ka lindur dielli."

E transmeton Ahmedi, Muslimi, Nesai dhe Ebu Daudi.

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: "Koha e sabahut është deri sa nuk ka dalë briri (rrezja) e parë e diellit." Dhe në të thuhet: "Ndërsa koha e namazit të ikindisë është deri sa të zverdhet dielli dhe të rrëzohet (të perëndojë) briri (rrezja) e parë e tij."

Në këtë hadith ka argument se akshami ka dy kohë (fillimi dhe mbarimi), koha e namazit të drekës pasohet nga ajo ikindisë dhe vonimi i namazit të jacisë deri në gjysmën e natës, është e lejuar.

 

Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: "Ai është namazi i hipokritit; ulet dhe ruan diellin deri sa të jetë mes brirëve të djallit (duke perënduar), pastaj fal katër rekate të shpejta si ngrënia e zogut, nuk e përmend Allahun, veçse pak."

E transmeton grupi, përveç Buhariut dhe Ibën Maxhes.

 

Transmetohet nga Ebi Musa (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: "Tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi dikush dhe e pyeti për kohët e namazit, ndërsa ai nuk i ktheu përgjigje, por urdhëroi Bilalin të thërriste ezanin e sabahut kur filloi dalja e dritës dhe njerëzit nuk e njihnin njëri-tjetrin. Pastaj e urdhëroi të thërriste ezanin e drekës kur dielli e kaloi kupën e qiellit dhe dikush thoshte se ishte plotësuar gjysma e ditës apo ende nuk ishte plotësuar, -dhe ai ishte më i dituri i tyre.

Pastaj e urdhëroi të thërriste ezanin e ikindisë kur dielli ishte ende i ngritur lart.

Pastaj e urdhëroi të thërriste ezanin e akshamit kur perëndoi dielli.

Pastaj e urdhëroi të thërriste namazin e jacisë kur u zhduk e kuqërremta e qiellit.

Të nesërmen e vonoi namazin e sabahut saqë kur mbaroi namazi, dikush thoshte: lindi dielli, apo për pak sa lindi. Pastaj e vonoi namazin e drekës deri afër kohës në të cilën fali ikindinë një ditë më parë. Pastaj fali ikindinë dhe kur mbaroi namazi, dikush thoshte: Dielli u skuq. Pastaj e vonoi namazin e akshamit deri sa u zhduk e kuqërremta e qiellit (–ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: e fali akshamin pak para se të zhdukej e kuqërremta e qiellit).

Pastaj e vonoi namazin e jacisë deri në një të tretën e parë të natës.

Të nesërmen në mëngjes, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thirri pyetësin dhe i tha: ‘Koha e çdo namazi është ndërmjet këtyre dy kohëve’."   

E transmeton Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi dhe Nesai.

Hadith të ngjashëm me këtë por nga Burejde el Eslemi transmeton edhe grupi, përveç Buhariut.

Ky hadith aprovon dy kohët e namazit të akshamit dhe lejueshmërinë e vonimit të namazit të ikindisë deri sa është pa u zverdhur dielli dhe ai është më parësor se hadithi i Xhibrilit i përmendur më sipër, pasi që hadithi i Xhibrilit ka qenë në Mekë në fillim të çështjes, ndërsa ky është i mëvonshëm dhe përmban shtesë, kështu që është më parësor.

Nga hadithi përfitohet gjithashtu se vonimi i sqarimit nga koha e nevojës për sqarim është i lejuar.

Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"

Burimijetes.com

05.06.2011

 

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com