All for Joomla All for Webmasters

SQARIMI SE IKINDIJA (NAMAZI I PASDITES) ËSHTË NAMAZI I MESËM

. Posted in Namazi.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin për të dërguarin Muhamed, për familjen e tij, si dhe për të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Transmetohet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në ditën e luftës së Ahzabit tha: “Allahu i mbushtë varret dhe shtëpitë e tyre me zjarr, ashtu si (ngase) na angazhuan nga namazi i mesëm deri sa perëndoi dielli."

Muttefekun alejhi. Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit, Ahmedit dhe Ebu Daudit thuhet: "Na angazhuan nga namazi i mesëm, namazi i ikindisë."

 

Transmetohet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: "Ne mendonim se ai (namazi i mesëm) ishte namazi i sabahut, por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: ‘Ai është namazi i ikindisë’ –d.m.th. namazi i mesëm."

E transmeton Abdullah ibën Ahmed në Musnedin e babait të tij.

 

Transmetohet nga Ibën Mesudi se ka thënë: "Idhujtarët e penguan të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga falja e namazit të ikindisë, derisa u skuq dielli apo u zverdh (në perëndim) dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: "Na angazhuan nga namazi i mesëm, namazi i ikindisë, Allahu i mbushtë barqet dhe varret e tyre me zjarr!"

E transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ibën Maxheh.

 

Transmetohet nga Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Namazi i mesëm është namazi i ikindisë."

E transmeton Tirmidhiu dhe ka thënë: Ky hadith është hasen sahih.

 

Transmetohet nga Semura ibën Xhundub se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Namazi i mesëm është namazi i ikindisë."

E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu. Ky i dyti e ka konsideruar të saktë. Në një transmetim tjetër të Ahmedit thuhet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Kujdesuni për namazet (në përgjithësi) dhe për namazin e mesëm (në veçanti). –Dhe na tha se ai është namazi i ikindisë."

 

Transmetohet nga El Bera ibën Azib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: "Në fillim zbriti ky ajet: ‘Kujdesuni për namazet dhe për namazin e ikindisë’ dhe ne e lexuam atë për aq kohë sa deshi Allahu, pastaj Allahu e abrogoi atë dhe zbriti ajetin: ‘Kujdesuni për namazet dhe për namazin e mesëm.’

–Një burrë tha: Atëherë ai (namazi i mesëm) është namazi i ikindisë?

-El Bera tha: Të tregova se si kishte zbritur ajeti në fillim, dhe si Allahu e abrogoi atë. Dhe Allahu e di më mirë."

E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Ky hadith është argument se namazi i mesëm është namazi i ikindisë, sepse ai është veçuar dhe është përmendur drejtpërdrejtë për përkujdesjen për të, pastaj erdhi ajeti abrogues i tekstit (i fjalëve) të atij ajeti, padyshim, por a e abrogoi domethënien e tij; këtu qëndron dyshimi, kështu që paraprihet e sigurta mbi këtë të dyshimtën.

Këtë e përkrah edhe ajo që është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai e zmadhonte çështjen e humbjes së këtij namazi nga koha e tij, në mënyrë të veçantë, siç transmeton edhe Abdullah ibën Umeri, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Atij që i humb (nga koha e tij) namazi i ikindisë, ai është sikur të ketë humbur familjen dhe pasurinë e tij."

E transmeton grupi.

 

Transmetohet nga Ebu Junusi, shërbëtori i Aishes, se ai ka thënë: "Aishja më urdhëroi t'i shkruaja asaj Kuranin në letër dhe më tha: Kur të arrish tek ky ajet më thirr: ‘Kujdesuni për namazet dhe për namazin e mesëm.’ Kur arrita tek ai ajet, e thirra atë dhe ajo më diktoi: ‘Kujdesuni për namazet, për namzin e mesëm dhe për namazin e ikindisë, dhe qëndroni para Allahut me bindje e përkushtim.’ –Aishja tha: ‘Këtë e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).’"

E transmeton grupi, përveç Buhariut dhe Ibën Maxhes.

Këtij hadithi mund t'i jepet drejtim duke thënë se namazi i mesëm është ai i ikindisë për shkak se përmendja e emrit të tij është argument për përforcimin e tij, ndërsa lidhësa "dhe" është shtesë, si në Fjalën e Allahut: "Ne i dhamë Musës dhe Harunit Furkanin [dhe] Dritë." El Enbija, 48. D.m.th.” Furkanin i cili është dritë. Po kështu edhe Fjala e Allahut: "Kur të dy iu nënshtruan (urdhrit të Allahut), dhe ai e shtriu atë me ballin përtokë (për ta bërë kurban), [dhe] Ne i thirrëm atij…"Es Safat: 103,d.m.th.: Ne i thirrëm atij.

E të tjera si këto.

 

Transmetohet nga Zejd ibën Thabit se ai ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin e drekës në mesditë dhe nuk falte namaz më të rëndë se ai për shokët e tij, dhe atëherë zbriti ajeti: "Kujdesuni për namazet dhe për namazin e mesëm." –Pastaj tha: Para dhe pas saj janë nga dy namaze."

E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

 

Transmetohet nga Usame ibën Zejd për namazin e mesëm, si ai ka thënë: "Ai është namazi i drekës. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin e drekës në mesditë dhe pas tij në namaz nuk plotësohej veçse një apo dy rreshta, sepse njerëzit pushonin dhe ishin në tregun e tyre. Atëherë Allahu zbriti ajetin: "Kujdesuni për namazet dhe për namazin e mesëm, dhe qëndroni para Allahut me bindje e përkushtim."

E transmeton Ahmedi.

Me këto dy hadithe janë argumentuar ata të cilët mendojnë se lejohet shpejtimi i namazit të drekës (falja në fillim të kohës së tij apo edhe më parë), në rast se i nxehti është i madh.

 

Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"

Burimijetes.com

02.10.2011

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com