All for Joomla All for Webmasters

KOHA E NAMAZIT TË JACISË DHE DOBIA E VONIMIT TË TIJ

. Posted in Namazi.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Muzgu është e kuqërremta e qiellit. Kur të zhduket ai, është bërë i detyruar (ka hyrë koha) namazi i jacisë."

E transmeton Darakutni. Ky hadith argumenton për obligueshmërinë e faljes së namazit në fillim të kohës së tij.

Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e vonoi namazin e jacisë një natë dhe Umeri thirri: -I zuri gjumi gratë dhe fëmijët! –Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli dhe tha: -Faljen e këtij namazi nuk është duke e pritur kush tjetër përveç jush. –Në atë kohë nuk kryhej falja e namazit veçse në Medine. –Pastaj tha: -Faleni atë ndërmjet kohës së zhdukjes së të kuqërremtës së qiellit dhe një të tretës së natës."  E transmeton Nesai.

Transmetohet nga Xhabir ibën Semura se ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e vononte namazit e jacisë."

E transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Nesai.

Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: "Ata e falnin namazin e jacisë në kohën ndërmjet zhdukjes së të kuqërremtës së qiellit dhe një të tretës së parë të natës." E transmeton Buhariu.

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Sikur të mos e rëndoja popullin tim, do ta urdhëroja që ta vononte faljen e jacisë deri në një të tretën e natës apo në mesin e saj." E transmeton Ahmedi, Ibën Maxheh dhe Tirmidhiu i cili e ka konsideruar të saktë.

Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin e drekës në mesditë, ikindinë kur dielli ishte i pastër (pa u skuqur, apo zverdhur), akshamin kur perëndonte dielli, jacinë ndonjëherë e vononte dhe ndonjëherë e shpejtonte; kur shihte se njerëzit ishin grumbulluar, e shpejtonte dhe kur shihte se ata vonoheshin, e vononte. Ndërsa namazin e sabahut e falnin, apo i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte me errësirë."  Muttefekun alejhi.

 

Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e vonoi faljen e jacisë deri sa kaloi shumica e natës dhe njerëzit që ishin në xhami fjetën. Pastaj doli dhe u fal, pastaj tha: -Kjo është koha e saj (e preferuar) sikur të mos e rëndoja popullin tim."

E transmeton Muslimi dhe Nesai.

Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e vonoi namazin e jacisë deri në mesnatë, pastaj tha: -Njerëzit e tjerë janë falur dhe kanë fjetur, ndërsa ju keni qenë në namaz për aq kohë sa keni qenë në pritje të tij. Enesi tha: -Atë natë më dukej sikur shihja tek shkëlqimi i unazës së tij." Muttefekun alejhi.

Transmetohet nga Ebu Seidi se ka thënë: "Një natë e pritëm të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për faljen e namazit të jacisë deri sa kaloi thuajse gjysma e natës. Pastaj ai erdhi dhe u fal me ne, pastaj tha: -Qëndroni në vendet tuaja sepse njerëzit tani janë në shtretërit e tyre, ndërsa ju vazhdoni të jeni në namaz që kur keni qenë në pritje të tij. Sikur të mos ishte dobësia e të dobëtit, sëmundja e të sëmurit dhe nevoja e nevojtarit, unë do ta vonoja faljen e këtij në namazi deri në mesnatë."

E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Them (autori): Vonimi i faljes së namazit të jacisë deri në mesnatë është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me fjalë dhe me vepër dhe kjo aprovon diçka shtesë mbi tekstet për një të tretën e natës, kështu që marrja e shtesës është më parësore.

 

Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"

Burimijetes.com

08.02.2012

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com