All for Joomla All for Webmasters

KOHA E NAMAZIT TË SABAHUT DHE FALJA E TIJ NË ERRËSIRË DHE NË TË ZBARDHUR

. Posted in Namazi.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: "Gratë besimtare prezantonin namazin e sabahut me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), të mbështjella me rrobat e tyre, pastaj ktheheshin në shtëpitë e tyre pas faljes së namazit dhe ato nuk i njihte askush për shkak të errësirës."

E transmeton grupi.

Në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: "Dhe nuk e njihnin njëra-tjetrën."

Transmetohet nga Ebu Mesud el Ensari se I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e fali një herë namazin e sabahut në errësirë, pastaj një herë tjetër e fali kur zbardhi drita. Më pas ai vazhdoi ta falte namazin e sabahut me errësirë deri sa ndërroi jetë dhe nuk iu kthye më të falurit e tij kur zbardhte drita."

E transmeton Ebu Daudi.

Transmetohet nga Enesi, nga Zejd ibën Thabit, se ai ka thënë: "Hëngrëm syfyrin me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj u ngritëm të falnim namazin (e sabahut). Thashë: -Sa ishte distanca kohore ndërmjet tyre? –Sa leximi i pesëdhjetë ajeteve (nga Kurani), -tha ai."

Muttefekun alejhi.

Transmetohet nga Rafiu ibën Hadixh se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Faleni sabahun në të zbardhur sepse kjo është me shpërblim më të madh."

E transmetojnë të pestë, ndër të cilët Tirmidhiu thotë: Ky hadith është Hasen Sahih.

Transmetohet nga Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: "Nuk e kam parë kurrë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ta ketë falur namazin jo në kohën e tij, përveç dy namazeve; ai bashkoi ndërmjet akshamit dhe jacisë në Muzdelife dhe e fali sabahun e asaj dite para kohës së vet."

Muttefekun alejhi. Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: "Para kohës së vet, me errësirë."

Ndërsa në një transmetim tjetër të Ahmedit dhe Buhariut; nga Abdurrahman ibën Jezid, thuhet: "Dola bashkë me Abdullahin dhe arritëm në Muzdelife dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali dy namazet (e akshamit dhe jacisë) secili më vete, me ezan dhe ikamet të veçantë dhe hëngri darkë ndërmjet këtyre dy namazeve. Pastaj fali sabahun kur agoi dhe dikush thoshte: hyri agimi, e dikush tjetër thoshte se nuk kishte hyrë ende.

Pastaj tha: - I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: "Këto dy namaze janë zhvendosur nga koha e tyre e zakonshme në këtë vend (në Muzdelife): namazi i akshamit dhe i jacisë. Dhe njerëzit nuk arrijnë në Muzdelife veçse në kohën e namazit të jacisë. Ndërsa namazi i sabahut është në këtë kohë."

Transmetohet nga Ebu er Rabij se ka thënë: "Isha me Ibën Umerin dhe unë i thashë: -Unë e fal namazin (e sabahut) me ty dhe ndonjëherë kthehem nga shoku që kam pranë por nuk ia shoh fytyrën, ndërsa një herë tjetër ti pret (për faljen e namazit) hyrjen e agimit? –Kështu e kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të veprojë dhe unë dua që ta fal namazin ashtu siç kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ta falë atë."  E transmeton Ahmedi.

Transmetohet nga Muadh ibën Xhebel se ai ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më dërgoi në Jemen dhe më tha: - O Muadh! Në dimër, fale namazin e sabahut me errësirë  dhe zgjate leximin në të aq sa mund të mbajnë njerëzit, por mos i lodh ata. Ndërsa në verë, fale namazin e sabahut në të dalë të dritës, sepse nata është e shkurtër dhe njerëzit flenë, ndaj jepu kohë që ta arrijnë namazin."

E transmeton El Husejn ibën Mesud el Begavi në "Sherhu es Suneh". E transmeton gjithashtu Beki ibën Muhlid në Musnedin e tij "El Musanef".

Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"

Burimijetes.com

09.09.2012

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com