All for Joomla All for Webmasters

PËRMBLEDHJE RRETH NAMAZIT TË UDHËTARIT

. Posted in Namazi.

Pin It

 

Ibn Kajim thotë: Gjatë qëndrimit në Tebuk, Pejgamberi (alejhi selam) e shkurtoi namazin për njëzet ditë rresht. Megjithatë ai nuk u tha njerëzve se, nëse qëndron në një vend si udhëtar më shumë se njëzet ditë, atëherë nuk lejohet shkurtimi i namazit, pavarësisht se atij iu desh të qëndronte njëzet ditë. Qëndrimi në një vend të huaj si mysafir (udhëtar) i jep njeriut statusin e udhëtarit dhe, rrjedhimisht, të drejtën për të përfituar nga çdo dispozitë që lidhet me të. Ky status nuk ka të bëjë aspak me gjatësinë e kohës së qëndrimit në vendin e mbërritjes gjatë udhëtimit. Ky status zhvlerësohet veçse në rastin kur njeriu ngulet për të banuar në atë vend ose kur e ndan mendjen për t’u vendosur aty.

Dijetarët e hershëm dhe të vonshëm kanë mendime të ndryshme për këtë çështje. Në "Sahih-un" e Buhariut, vjen rrëfimi i Ibn Abasit, se: “Pejgamberi (alejhi selam), në një nga udhëtimet e tij, ku qëndroi nëntëmbëdhjetë ditë, e falte namazin të shkurtuar. Edhe ne, - vijon Ibnu Abasi, - nëse qëndrojmë diku nëntëmbëdhjetë ditë, e falim namazin të shkurtuar; dhe nëse qëndrojmë më gjatë, e falim atë të plotë.”

Nga fjalët e imam Ahmedit kuptohet qartë se ai ishte i mendimit që Ibn Abasi aludon për qëndrimin e Pejgamberit (alejhi selam) në Mekë gjatë çlirimit të saj, qëndrim pas të cilit ai synonte të nisej në luftë drejt Hunejnit. Kjo, pasi Ibn Abasi thotë: “Pejgamberi (alejhi selam), pas çlirimit të Mekës qëndroi atje tetëmbëdhjetë ditë”. Mirëpo, duke qenë se synonte të sulmonte Hunejnin, ai nuk kishte vendosur të qëndronte atje ndonjë kohë të përcaktuar. Pikërisht, ky është qëndrimi të cilin e rrëfen Ibnu Abasi (radijAllahu anhu).

Disa të tjerë thonë se Ibn Abasi aludon për qëndrimin e Pejgamberit (alejhi selam) në Tebuk, siç ka thënë Xhabir Ibn Abdullahi: “Pejgamberi (alejhi selam) qëndroi njëzet ditë në Tebuk dhe gjatë kësaj kohe i shkurtonte namazet." Këtë hadith e sjell imam Ahmedi në ‘Musned’-in e tij.

Abdurahman Ibn Misuer Ibn Mahrame rrëfen: “Kemi qëndruar së bashku me Sadin në një nga vendbanimet e Shamit dyzet netë. Sadi i shkurtonte namazet, kurse ne i falnim të plotë.” 
Nafiu tregon: “Ibn Omeri qëndroi në zonën e Azerbajxhanit gjashtë muaj, kohë kur e falte namazin të shkurtuar. Gjatë kësaj kohe ushtrinë ku merrte pjesë edhe Ibnu Umeri e kishte izoluar dëbora dhe nuk hynin dot në të .

Hafs Ibn Ubejdullahu thotë: “Enes Ibn Maliku qëndroi në Sham dy vjet, kohë kur falte namazin si udhëtar.”

Enesi thotë: “Shokët e Pejgamberit (alejhi selam) qëndruan në Rame Hurmuze shtatë muaj, dhe gjatë kësaj kohe e shkurtonin namazin.”

Hasani thotë: “Kam qëndruar me Abdurrahman Ibn Semuran për dy vjet rresht në Kabul. Ai e shkurtonte namazin dhe nuk e bashkonte.”

Ibrahimi thotë: “Sahabët qëndruan në El Raji një vit ose më shumë, dhe në Sexhestan dy vjet”. 
E tillë ka qenë tradita e Pejgamberit (alejhi selam) dhe e shokëve të tij, dhe domosdo ajo është e drejta.

Tani po japim disa qëndrime të dijetarëve rreth kësaj çështjeje:

– Imam Ahmedi mendon se, nëse udhëtari vendos që të qëndrojë në vendin e udhëtimit katër ditë e lart, atëherë duhet ta falë namazin të plotë. E nëse vendos të qëndrojë më pak se katër ditë, duhet ta falë të shkurtuar. Dëshmitë e lartpërmendura nga Pejgamberi (alejhi selam) dhe sahabët ai i shpjegon duke thënë se në asnjë rast ata nuk e kishin ndarë mendjen për të qëndruar gjatë. Ata ishin: “Do ikim sot, do ikim nesër”. Kështu ndodhte me udhëtimet e tyre.

Megjithatë, ky shpjegim nuk mund të pranohet, pasi duket qartë që, Pejgamberi (alejhi selam), kur çliroi Mekën, – dhe dihet vlera e Mekës, – qëndroi atje për të hedhur themelet e Islamit dhe për të shkatërruar bazat e idhujtarisë. Atje ai përpiloi strategjinë e tij në lidhje me arabët që ishin rreth e rrotull Mekës. Në këtë mënyrë, duhet të pranojmë pa diskutim se për të gjitha këto është i nevojshëm një qëndrim relativisht i gjatë, pasi ato nuk mund të arrihen kurrsesi për një ose dy ditë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Tebukun, ku Pejgamberi (alejhi selam) qëndroi për të pritur armikun. Dihet shumë mirë që mes tij dhe armikut ishte një distancë e madhe, e cila kërkonte shumë ditë për t’u kaluar. Ky qëndrim, me siguri, do të ishte më i gjatë se katër ditë.

Po kështu, për qëndrimin e Ibn Omerit në Azerbajxhan. Ai qëndroi gjashtë muaj i bllokuar nga dëbora dhe, ndërkohë, e falte namazin e shkurtuar. Pa dyshim që një dëborë e tillë nuk mund të shkrijë për katër ditë, aq sa të hapen rrugët.

Enesi gjithashtu qëndroi dy vjet në Sham, ndërsa sahabë të tjerë qëndruan në Rame Hurmuze shtatë muaj. Të gjithë këta e falnin namazin të shkurtuar. Këto luftëra e rrethime nuk mund të mendohet se mund të mbaronin për katër ditë.

Pasuesit e imam Ahmedit janë të mendimit që, në udhëtimet gjatë luftërave, ose kur mbetesh izoluar nga ndonjë tiran, apo për shkak të ndonjë sëmundjeje, lejohet të shkurtohen namazet, pavarësisht nga ndonjë ndjenjë sigurie se koha e qëndrimit për mbarimin e punës (hallit) mund të jetë e shkurtër apo e gjatë. Ky, pa dyshim, është mendimi i saktë, por kushti që kanë shtuar ata nuk është i argumentuar as me Kuran, as me traditën e Pejgamberit (alejhi selam), as me mendimin unanim të dijetarëve dhe as me veprën e sahabëve.

Kushti, sipas tyre, është që të mos kapërcehet kohëzgjatja që të jep statusin e udhëtarit, që, si e thamë më lart, sipas tyre është më pak se katër ditë. I pyesim ata: Me ç’të drejtë e vendosni këtë kusht dhe e kufizoni këtë të drejtë, ndërkohë që Pejgamberi (alejhi selam) qëndroi më shumë se katër ditë në Mekë dhe në Tebuk dhe, në të dyja rastet e fali namazin e shkurtuar. Ai nuk u tha sahabëve: ‘Unë nuk kam vendosur të rri në këtë vend më shumë se katër ditë.” E si mund të mos ua sqaronte atyre një gjë të tillë, ndërkohë që ata, duke e marrë atë si shembull, e shkurtonin namazin gjatë kohës që ai qëndronte në atë vend?! Pa dyshim, nëse periudha katërditore do të ishte e domosdoshme të sqarohej, Pejgamberi (alejhi selam) do ta bënte një gjë të tillë, pasi është një çështje shumë e rëndësishme, që nuk mund të lihej e errët.

Po kështu edhe sahabët, pas vdekjes së tij: ata nuk i kanë thënë askujt që, nëse qëndron më shumë se katër ditë, nuk duhet ta shkurtosh namazin.

– Imam Maliku dhe imam Shafiiu janë të të njëjtit mendim se, nëse udhëtari vendos të qëndrojë më shumë se katër ditë në destinacionin e tij, ai duhet ta falë namazin e plotë; e nëse vendos se do të qëndrojë më pak se kaq, duhet ta shkurtojë.

– Ebu Hanife thotë: “Nëse vendos që të qëndrojë për 15 ditë, duhet ta falë namazin e plotë, dhe nëse vendos të rrijë më pak, e shkurton atë.” Ky është edhe mendimi i Lejth Ibn Sadit. Ky mendim përcillet edhe nga tre sahabë: nga Omeri, nga i biri i Omerit dhe nga Ibn Abasi.

– Nga Seid Ibn Musejjibi vijnë dy mendime:

1. Nëse udhëtari planifikon të qëndrojë 4 ditë, e fal namazin të plotë.

2. Mendimi i dytë përkon me atë të Ebu Hanifes. 

– Ali Ibn Ebu Talibi mendonte që, nëse udhëtari planifikon të qëndrojë 10 ditë, duhet ta falë namazin të plotë. Ky është edhe një nga qëndrimet që vijnë nga Ibn Abasi. 
– El Hasani thotë që udhëtari e shkurton namazin përderisa nuk ka mbërritur në destinacion. 
– Aisheja ka thënë që udhëtari e shkurton namazin deri në momentin kur shkarkon pajimet, furnizimet e nevojshme të udhëtimit dhe kacekët.

Ajo që mund të thuhet me siguri është fakti që: të katër imamët janë të një mendimi se, nëse qëndron në një vend të huaj për një nevojë të caktuar, që njeriu pret ta kryejë, dhe nuk e ka vendosur saktësisht se sa do të rrijë, por mendon që do niset sot a nesër, atij i lejohet të shkurtojë namazin, sado që të zgjasë koha e qëndrimit.

Vetëm imam Shafiiu bën një përjashtim, sipas një transmetimi të ardhur prej tij, në të cilin ai shpreh mendimin se shkurtimi mund të vazhdojë 17 ose 18 ditë. Nëse kalon më shumë se kaq, nuk lejohet shkurtimi.

– Ndërkoh Ibn Mundhiri në librin e tij "El Ishraf" thotë: “Të gjithë dijetarët pajtohen se mysafirit i lejohet të shkurtojë namazin për aq kohë sa ai nuk ka vendosur qartë dhe prerë qëndrimin dhe sistemimin në vendin e udhëtimit, edhe nëse kalojnë vite të tëra në këtë gjendje.” 


“ZAD EL MEAD” 3

Burimi Jetës

16.07.2016

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com