All for Joomla All for Webmasters

ÇFARË KA ARDHUR PËR SPERMËN

. Posted in Pastertia.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Transmetohet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “Unë e fërkoja spermën (e tharë) nga rrobja e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj ai shkonte dhe falej me atë rrobe.” E transmeton grupi, me përjashtim të Buhariut.

Në një transmetim tjetër të Ahmedit thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e fshinte spermën nga rrobja e tij me një rrobe të parfumosur me një lloj bime, pastaj falej me të, ose e kruante atë (spermën e rënë në rrobe), nëse ishte tharë, pastaj falej me atë rrobe.”

Ndërsa në një transmetim tjetër të Buhariut, Muslimit dhe Ahmedit thuhet: “(Thotë Aishja:) E laja spermën e rënë në rrobën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj ai dilte për t’u falur dhe gjurmët e larjes dalloheshin në rrobën e tij si njolla uji.”

Ndërsa në një transmetim tjetër të Darakutnit, transmetohet se Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ka thënë: “E fshija spermën nga rrobja e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nëse ajo ishte e thatë dhe e laja atë, nëse ishte e njomë.”

Them (autori): Nga të gjitha këto tekste, del qartë se që të dyja ato (fërkimi dhe larja e rrobës ku ka rënë sperma) janë të lejuara.

Transmetohet nga Is’hak ibën Jusuf se ka thënë: Na ka treguar Sheriku nga Muhamed ibën Abdurrahman e ky nga Ata e ky nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ky ka thënë: “U pyet i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për spermën që bie në rrobe dhe ai tha: ‘Ajo është njësoj si qurret apo gëlbazat. Të mjafton ta fshish atë me një rrobe apo me barishte që mban erë të mirë’.” 

E transmeton Darakutni dhe thotë: Këtë hadith nuk e ka ngritur tek i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) veçse Is’hak el Ezrak nga Sheriku.

Them (autori): Kjo nuk ndikon në saktësinë e tij, pasi që Is’haku është imam nga i cili janë transmetuar hadithe në dy “Sahihat” e Buhariut dhe Muslimit, kështu që ngritja dhe shtesa e tij në hadith është e pranuar.

Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"

Burimijetes.com

11.04.2010

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com