All for Joomla All for Webmasters

PASTËRTIA E MUSLIMANIT NËSE SHKËPUTET NGA AI DIÇKA KUR VDES

. Posted in Pastertia.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

E përmendëm më parë fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Muslimani nuk ndotet (trupi i tij nuk bëhet i ndotshëm).” Ky hadith është i përgjithshëm; qoftë ai (muslimani) i gjallë apo i vdekur.

Buhariu thotë: Ibën Abasi ka thënë: “Muslimani nuk bëhet i papastër, qoftë i gjallë apo i vdekur.”

Ndërsa nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hodhi gurët, theri kurbanin dhe donte të rruante kokën (në haxh), i tha berberit të tij që të rruante pjesën e djathtë të kokës, pastaj thirri Ebu Talhën el Ensari dhe ia dha ato (flokët) atij. Pastaj i drejtoi berberit pjesën e djathtë të kokës dhe i tha që t’ia rruante atë. Pasi ia rruajti ato, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia dha Ebu Talhës dhe i tha: ‘Ndaja ato njerëzve!’.” 

Ky hadith është muttefekun alejhi.

 

Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) donte të rruante kokën për shkak të hixhames (nxjerrjes së gjakut me kupa), Ebu Talha mori në dorë flokët e gjysmës së kokës së tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shkoi me to tek Umu Selimi. Thotë (Enesi): Umu Selimi i përziente ato në parfumin e saj.”

E transmeton Ahmedi.

 

Transmetohet gjithashtu nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se:“Umu Selim i shtronte të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) një qilim ku ai flinte në kohën pasdrekes. Kur ngrihej, ajo merrte nga djersa dhe flokët e tij (të rëna në qilim), e i fuste në një poçe, pastaj i përziente me një lloj parfumi. Thotë: Kur iu afrua vdekja Enes ibën Malikut, ky e porositi atë që ta vendoste atë (parfumin me përzierje) në qefinin e tij.”

E transmeton Buhariu.

 

Në hadithin e marrëveshjes së Hudejbijes; nga transmetimi i Misver ibën Mahrame dhe Mervan ibën el Hakem; se Urveh ibën Mesud: “U ngrit nga ku ishte ulur tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe pa se çfarë vepronin shokët e tij me të (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Sa herë që ai pështynte, ata garonin se kush ta merrte atë dhe nëse binte ndonjë fije nga floku i tij, ata e merrnin atë.” 

E transmeton Ahmedi.

 

Transmetohet nga Uthman ibën Abdullah ibën Muheb, se ka thënë: “Familja ime më dërgoi te Umu Seleme për një gotë ujë. Ajo solli një enë me zilkë prej argjendi ku gjendeshin qime floku nga ato të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe sa herë që dikë e zinte syri (e merrnin mësysh), shkonin tek ajo me enë në dorë, ndërsa ajo e tundte enën ku kishte qime, pastaj i jepte të pinte prej ujit të saj. Unë (Uthmani) vështrova në enën e saj dhe pashë disa qime floku të kuqe.” 

E transmeton Buhariu.

 

Transmetohet nga Abdullah ibën Zejd, muezini, se: “Ai pa të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në vendin ku thereshin kurbanet dhe bashkë me të një burrë prej kurejshëve që i ndante ato (kurbanet). Pastaj i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) rroi kokën e tij dhe i mblodhi flokët në një rrobe, pastaj i dha atij një pjesë të tyre, ndërsa disa të tjera ia ndau disa burrave të tjerë. Pastaj preu thonjtë e tij (i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ia dha atij. Thotë (transmetuesi): Flokët e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që kemi ruajtur ne janë të lyera me këna dhe një lloj bime tjetër.”  E transmeton Ahmedi.

Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"

Burimijetes.com

18.06.2010

 

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com