All for Joomla All for Webmasters

PASTRIMI I LËKURAVE ME REGJJE

. Posted in Pastertia.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Një shërbëtori të Mejmunes i dhanë sadaka një dele e cila ngordhi. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shkoi nga ajo, i tha: ‘Përse nuk ia merrni lëkurën ta regjni (ta thani) dhe ta përdorni atë?’ Thanë: ‘Por, ajo është e ngordhur?’ Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: ‘Asaj nuk i është ndaluar gjë tjetër përveç ngrënies së mishit të saj’.”

E transmeton grupi, me përjashtim të Ibën Maxhes, i cili e ka përmendur në hadithet e përcjella nga Mejmune dhe jo nga Ibën Abasi.

Ndërsa në transmetimet e Buhariut dhe të Nesait nuk përmendet regjja e tyre.

Në një transmetim tjetër të Ahmedit thuhet: “Një dele e Mejmunes ngordhi dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: ‘Përse nuk përfitoni nga lëkura e saj, duke e regjur (tharë), pasi që regjja e saj është si therja për kafshën’.”

Ky hadith tregon se regjja vepron ashtu si vepron therja e kafshës.

Në një transmetim tjetër të Ahmedit dhe Darakutnit thuhet: “E pastron atë (lëkurën) uji dhe gjethja e akacieve.”

E transmeton atë Darakutni bashkë me disa hadithe të tjerë (në të njëjtën temë), pastaj tha: Këto hadithe janë të sakta.

 

Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Çdo lëkurë që regjet, bëhet e pastër.”

E transmeton Ahmedi, Muslimi, Ibën Maxheh dhe Tirmidhiu, i cili thotë se Is’haku ka përcjellë nga En Nadr ibën Shemil se ka thënë: “Është për qëllim lëkura e kafshëve që u hahet mishi.”

 

Transmetohet nga Ibën Abasi, nga Seude, gruaja e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e cila ka thënë: “Një dele e jona ngordhi dhe ne e thamë lëkurën e saj. Atë lëkurë e përdorëm derisa u vjetërsua fare.”

E transmeton Ahmedi, Nesai dhe Buhariu, por ky i fundit thotë: “Nga Ibën Abasi se Seude...” dhe jo “nga Seude”.

 

Transmetohet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dha urdhër që të përfitohet nga lëkura e kafshës së ngordhur, nëse ajo regjet.”

E transmetojnë të pestët, përveç Tirmidhiut.

Në një transmetim tjetër të Nesait thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për lëkurën e kafshës që ngordh dhe ai tha: “Regjja e saj është therje për të.”

Ndërsa në një transmetim të Darakutnit; nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmetohet se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Pastrimi i çdo lëkure bëhet duke e regjur atë.”

Darakutni thotë: “Transmetuesit e këtij hadithi janë të gjithë të besueshëm.”

Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"

Burimijetes.com

07.07.2010

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com