All for Joomla All for Webmasters

ENËT E MOSBESIMTARËVE

. Posted in Pastertia.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Kur shkonim në luftë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjenim prej enëve të idhujtarëve dhe katruveve të tyre. Ne i përdornim ato dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk na thoshte gjë për këtë.”

E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Transmetohet nga Ebu Thealebe se ka thënë: “Thashë: ‘O i Dërguari i Allahut! Ne banojmë në një vend ku gjenden ithtarë të Librit, a të hamë me enët e tyre?’ Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: ‘Nëse gjeni të tjera, mos hani me to, e nëse nuk gjeni, atëherë lajini dhe hani me to’.”

Ky hadith është muttefekun alejhi.

Në një transmetim tjetër të Ahmedit dhe Ebu Daudit thuhet: “Toka jonë është tokë e ithtarëve të Librit, të cilët hanë mishin e derrit dhe pinë alkool. Si të veprojmë me enët dhe tenxheret e tyre?”

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Nëse nuk gjeni të tjera, lajini mirë me ujë dhe pastaj gatuani në to e pini prej tyre.”

Ndërsa në një transmetim të Tirmidhiut thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për enët e mexhusëve (adhuruesve të zjarrit) dhe ai tha: “Pastrojini mirë me ujë dhe pastaj gatuani në to.”

Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se një çifut ftoi të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të ngrënë bukë elbi dhe dhjam me ngjyrë të ndryshuar, e ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj ftesës së tij.” 

E transmeton Ahmedi.

Është përcjellë gjithashtu hadith i saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai ka marrë abdes nga ena e një idhujtari.

Ndërsa nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është përcjellë se ai ka marrë abdes nga ena e një të krishteri.

Disa dijetarë janë të mendimit se përdorimi i enëve të mosbesimtarëve nuk lejohet, vetëm pasi të lahen. Ata kanë për qëllim enët e atyre, e therura e të cilëve nuk lejohet të hahet nga muslimanët, po ashtu edhe ata të krishterë që ndodhen në një vend të atillë ku e hanë hapur mishin e derrit, apo që therin me eshtra e thonj kafshësh. Ndërsa për enët e të tjerëve përveç këtyre, ata nuk shohin ndonjë problem në përdorimin e enëve të tyre, duke bashkuar kështu ndërmjet haditheve.

Disa dijetarë të tjerë e kanë konsideruar të pëlqyeshme larjen e të gjitha atyre enëve pa përjashtim, duke u bazuar në hadithin e El Hasen ibën Ali (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) që thotë: “Kam mësuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fjalën: “Lëre atë që e ke të dyshimtë dhe vepro atë që nuk e ke të dyshimtë.”

E transmeton Ahmedi, Nesai dhe Tirmidhiu, i cili e ka konsideruar të saktë.

Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"

Burimijetes.com

24.10.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com