Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “U ngjita një ditë në shtëpinë e Hafsës dhe pashë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke kryer nevojat e tij, i drejtuar nga Shami dhe me shpinë nga Kabja.”
E transmeton grupi.
Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga të drejtuarit nga Kibla kur urinon, ndërsa unë e pashë atë një vit para se të ndërronte jetë, të drejtuar nga ajo.”
E transmetojnë të pestë, përveç Nesait.
Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “Të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i thanë se disa njerëz e konsiderojnë të ndaluar drejtimin nga Kibla me organet e tyre, e ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: A e kanë bërë këtë? Atëherë kthejeni banjën time nga Kibla.”
E transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxheh.
Transmetohet nga Meruan el Esfer se ka thënë: “Pashë Ibën Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ta vendosë devenë e tij nga drejtimi i Kiblës dhe urinoi pas saj. Unë i thashë: O Ebu Abdurrahman! A nuk është ndaluar kjo gjë? Ai tha: Po, por ajo është ndaluar kur je në vend të hapur, ndërsa nëse ndërmjet teje dhe Kibles ka pengesë që të mbulon ty, atëherë nuk ka problem.”
E transmeton Ebu Daudi.
Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"
Burimijetes.com
06.03.2011