All for Joomla All for Webmasters

SHITBLERJA (2)

. Posted in Shitblerja.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Llojet e shitblerjes

Shitblerjen mund ta ndajmë në mënyra të ndryshme, më poshtë do të mundohemi t’i përmendim ato:

1. Nga aspekti i mënyrës së aktit mund ta ndajmë:

a) Shkëmbim i monedhave me mallra. Kjo është mënyra më e përdorur e shitblerjes si p.sh: blerja e një makine me lekë.

b) Shkëmbimi i një malli me një mall tjetër dhe e cila quhet ndryshe tregti me këmbim (mukajada); p.sh: blerja e një libri me një orë.

c) Shkëmbimi i një valute me një valutë tjetër, ose ndryshe shkëmbimi valutor (sarf); p.sh: shkëmbimi i lekut me dollarë.

2. Për nga koha se kur merren (malli, apo vlefta e caktuar për këtë mall), ndahet në katër lloje:

a) Të jetë malli dhe vlefta në kohë ( në kohën e aktit të shitblerjes) dhe kjo është  tregtia.

b) Të japë vleftën në kohë dhe të vonojë dhënien e mallit. Kjo në gjuhën e sheriatit quhet selem.

c) Të japë mallin në kohë dhe të vonojë dhënien e vleftës; pra shitja me afat. Këtu hynë dhe shitja me këste.

d) Të jenë si malli ashtu dhe vlefta të vonuara; dhe kjo është blerja e borxhit me borxh.

Tri llojet e para të shitblerjes janë të lejuara, ndërsa lloji i katërt është i ndaluar.

3. Ndahet për nga rrugët e përcaktimit të vleftës (çmimit) në:

a) Shitja me fitim. Në këtë lloj tregtie, tregtari nuk i përmend blerësit çmimin me të cilin ai e ka blerë këtë mall, por i vendos atij (mallit) një çmim me anë të të cilit fiton diçka dhe kjo është origjina në tregti.

b) Shitja e besnikërisë. Kjo lloj tregtie është se tregtari i tregon klientit çmimin me të cilin ai e ka blerë këtë mall dhe më pas i vendos atij një çmim të caktuar. Kjo lloj tregtie ndahet në tri mënyra: 

- Shitja me fitim (bej murabaha). Kjo lloj shitblerje është që tregtari ti tregojë klientit çmimin me të cilin ai e ka blerë këtë mall dhe çmimin me të cilin ai e shet, por që ky i fundit të jetë më i madh se çmimi i blerjes. P.sh: thotë se këtë mall e kam marrë me njëmijë (1000) lek dhe e shes me njëmijë e pesëqind (1500) lekë.

- Shitja me humbje (bej el uedia). Kjo lloj është që tregtari t’i vendosë një malli një çmim më të vogël se ai me të cilin e ka blerë, si të thotë se e kam blerë me dhjetëmijë (10000) lekë dhe e shesë me tetëmijë (8000) lekë.

- Shitja me të njëjtin çmim (bej teulije). Kjo lloj është që tregtari ta shesë mallin e tij me të njëjtin çmim me të cilin e ka blerë atë, si të thotë se e kam blerë këtë mall pesëmijë (5000) lekë  dhe e shesë atë me të njëjtin çmim.

Përgatiti: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

29.03.2008

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com