All for Joomla All for Webmasters

SHITBLERJA (7)

. Posted in Shitblerja.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Zgjedhja në shitblerje

Në aspektin gjuhësor zgjedhja ka kuptimin: veçoj, caktoj, ndërsa në aspektin terminologjik e ka kuptimin: e drejta e kontraktuesit për prishjen e aktit apo vazhdimin e tij.

Llojet e zgjedhjeve në shitblerje

Lloji i parë: Zgjedhja e vendit.

Këtu kemi për qëllim vendin e shitblerjes apo të kontraktimit. Përderisa dy kontraktuesit nuk janë ndarë me njëri-tjetrin kanë të drejtë të zgjedhin mes përmbajtjes së kontratës apo të heqin dorë nga ajo dhe kjo është derisa ata të ndahen nga njëri-tjetri.

Argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton Hakim bin Hizam (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Shitblerësit kanë të drejtë të zgjedhin përderisa nuk ndahen nga njëri-tjetri. Nëse janë besnik në tregtinë e tyre dhe e përshkruajnë mallin (në mënyrë të drejtë) atëherë atyre do t’u dhurohet bereqet në tregtinë e tyre, por nëse ata mashtrojnë dhe i fshehin të metat (e mallit) atëherë tregtia e tyre nuk do të ketë bereqet". Buhari 2079 dhe Muslimi 1532.

Koha e zgjedhjes

Pranohet zgjedhja midis dy kontraktuesve nga koha e bërjes së aktit derisa ata të ndahen nga njëri-tjetri (me trupat e tyre) nga vendi i bërjes së kontratës, sido që të jetë qëndrimi me njëri-tjetrin i shkurtër apo i gjatë.

Nëse kontrata për një tregti bëhet me anë të telefonit, zgjedhja merret në konsideratë derisa të përfundojë telefonata. Nëse kontrata për një tregti bëhet me anë të internetit, atëherë koha e zgjedhjes është derisa të mbyllet faqja e bisedimit për këtë tregti. Nëse faqja është me mbushje formulari (në të cilin shkruhet malli që do blesh, adresa e blerësit, numri i llogarisë, etj), plotësimi i formularit dhe dërgimi i tij tek tregtari konsiderohet ofertë (nga ana e blerësit) dhe dërgimi i një shenje nga tregtari që tregon për pranimin e kësaj oferte quhet pranim. Me dërgimin e kësaj shenje nga tregtari mbaron dhe koha e zgjedhjes.

Mospranimi i zgjedhjes apo hedhja poshtë e saj

Lejohet mospranimi i zgjedhjes së vendit apo hedhja poshtë e tij.

Mospranimi i zgjedhjes është rënia dakord midis të dy palëve përpara aktit se në këtë shitblerje nuk ka zgjedhje dhe duhet që të pranohet shitblerja menjëherë pas kontratës.

Hedhja poshtë e zgjedhjes: Është që pasi të bëjnë aktin (kontratën) e shitblerjes të bien dakord për hedhjen poshtë të zgjedhjes. Tregtari (biznesmeni) mund të ketë nevojë për diçka të tillë kur qëndrimi midis tyre mund të jetë i gjatë, kështu që blerësi nuk ka më të drejtë zgjedhje pas kontratës që ka bërë me të.

Mashtrimi për shkak të hedhjes poshtë të zgjedhjes

Nuk lejohet për askënd nga kontraktuesit që të mashtrojë në mënyrë që të hedhë poshtë zgjedhjen, si p,sh të shpejtojë largimin nga vendi i kontratës me qëllim që të hedhë poshtë të drejtën e tjetrit në zgjedhje.

Argument për këtë është hadithi i Abdullah ibnu Umer -Allahu qoftë i kënaqur me të!- se Profeti –paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!- ka thënë: "Shitblerësit kanë të drejtë të zgjedhin përderisa nuk ndahen nga njëri-tjetri, vetëm nëse kanë rënë në ujdi për zgjedhje dhe nuk lejohet për të të largohet nga kolegu i tij duke patur frikë se mos e kthen atë (mallin apo lekët, sepse zgjedhja mund të ndodhë nga të dy palët. sh, p). Ahmedi 2/183, Ebu Daud 2079 dhe Tirmidhi 1247 i cili e ka konsideruar të mirë këtë hadith.

Përgatiti: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

03.06.2008

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com