All for Joomla All for Webmasters

SHITBLERJA (12)

. Posted in Shitblerja.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Llojet e kushteve në shitblerje 

Kushtet në shitblerje ndahen në dy lloje:

Lloji i parë: Kushte të sakta dhe kjo është origjina e kushteve në shitblerje. Prej tyre mund të përmendim:

1. Kushte që përputhen me përmbajtjen e shitblerjes. P.sh.: dikush blen një makinë dhe i vë kusht biznesmenit që t'i japë garanci për të metat (defektet) fabrikuese që mund të ketë ajo. Biznesmeni mban përgjegjësi që në origjinë për këto të meta, u kushtëzua një gjë e tillë apo jo? Porse me kushtin këtu fitohet siguria.

2. Kushte sigurie.P.sh.: tregtari të vendosë kusht mbi blerësin, një person që garanton (pra që është përgjegjës në rast mos shlyerje të vleftës) apo t;i kërkojë lënien e diçkaje peng. Nëse dikush blen një makinë jo me lekë në dorë (në mënyrë që t'i shlyejë ato në një kohë të caktuar), atëherë tregtari mund t'i vendosë atij kusht që nëse vonohet duhet që garantuesi ta shlyej atë.

Ose dikush, p.sh.: blen një celular jo me lekë në dorë. Është e drejtë e tregtarit t'i kërkojë atij të lërë peng orën e tij, në mënyrë që nëse ky nuk e shlyen tregtarin atëherë ai ka të drejtë të shesë këtë orë, në mënyrë që të marrë vleftën e celularit. (Këtu bëhet fjalë nëse ora është e përafërt me vleftën e celularit).

3. Kushte cilësie.Që blerësi t'i vendosë kusht tregtarit te cilësia e mallit që ai do të blejë prej tij. P.sh.: dikush do të blejë një makinë volzvagen dhe i vë kusht tregtarit që ngjyra e saj të jetë e verdhë, apo që t'i vendosë kusht tregtarit që një pjesë të vleftës t'ia shlyejë në momentin e blerjes së mallit dhe tjetrin më vonë.

4. Kushte për përfitime të caktuara në mallin që po tregton, qoftë ky kusht nga ana e tregtarit apo e blerësit. Shembull për kushtin e tregtarit: t'ia shesë klientit makinën e tij me kusht që ta përdorë atë një javë. Ndërsa kushti i klientit: të blejë prej tregtarit një copë terital dhe t'i vërë kusht prerjen dhe qepjen e saj.

5. Kushte kufizimi (në kundërshtim me përmbajtjen e kontratës). Ky është kufizimi që i bëjnë kontraktuesit njëri-tjetrit në veprimin me mallin apo vleftën e tij. P.sh.: një person ka tokë afër me shtëpinë e tij dhe ia shet shokut të tij, me kusht që të mos e shesë atë, sepse ai nuk ka dëshirë të banojë afër tij dikush tjetër, apo t'ia shesë dikujt dyqanin dhe i vendos kusht që të mos e përdorë si disko, birrari, klub nate, etj.

6. Kushte kontrate në kontratë.  Kjo në rastin kur dikush bashkon dy shitblerje në të njëjtën kohë. P.sh.: t'i thotë dikujt se ta shes makinën time me shtatë milion (7000000) lekë me kusht që të më shesësh makinën tënde me dhjetë milion (10000000) lekë. E njëjta gjë është edhe në rastin kur bashkon shitblerjen me qiranë, si ti thotë dikujt: ta shes shtëpinë time më njëzetepesë milion (25000000) lekë, me kusht që të më japësh me qira shtëpinë tënde për një vit me pesëdhjetëmijë (50000) lekë në muaj. Këto kushte janë të sakta, përderisa nuk është ndonjë prej vleftave borxh.

7. Kushte ndëshkimore.() Këtu është kusht që projekti që duhet të zbatohet të jetë punë. P.sh.: bie dakord një person me një firmë ndërtimi për ndërtimin e një shtëpie (apo objekti çfarëdo) me një shumë prej shtatëdhjetë milion (70000000) lekë të vjetra. Nëse kjo firmë nuk e zbaton projektin në kohë, atëherë ulë prej vlerës reale (të shënuar në kontratë) 2% (më shumë a më pak) për çdo muaj të vonuar. Por, nëse kushti i asaj që do të zbatohet është para, atëherë nuk lejohet, sepse ajo çon në kamatë. Shembull për këtë mund të marrim atë që quhet "gjobat e vonesës". Rast konkret janë  firmat apo tregtarët që shesin makina apo ndërtesa jo me lekë në dorë dhe i vendosin kusht klientit se nëse vonohet në shlyerjen e borxhit, atëherë paguan gjobë 2% për çdo muaj të vonuar.

8. Kushte mbështetëse.Si t'i thotë dikush një personi: ta shita makinën për dy milion (2000000) lekë, nëse pranon im atë (babai im) dhe ai thotë: pranova. Nëse i ati i tij pranon atëherë detyrohet ta përmbushë kontratën.

Përgatiti: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

28.09.2008

- Kushti ndëshkimor është rënia dakord midis dy kontraktuesve për caktimin e një shumë si dëmshpërblim me të cilin detyrohet borxhliu (huamarrësi) ndaj kreditrorit (huadhënësit) në rast moszbatimi të projektit apo vonimin e tij. Ka dhënë fetva për një gjë të tillë Këshilli i Lartë i Dijetarëve të Fesë në Arabinë Saudite, "Studimet e Këshillit të Lartë të Dijetarëve:  2/711. 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com