All for Joomla All for Webmasters

ZEKATI I BIZHUTERIVE (1)

. Posted in Zekati.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Madhëruar me urtësinë e Tij të madhe ka vendosur dispozita të cilat i përshtaten krijesave të Tij dhe janë në përputhje me natyrshmërinë e tyre.

Një nga këto dispozita është se Ai ka lejuar që gruaja të veshë stoli, qofshin ato nga ari (floriri) apo argjendi (serm), në të kundërtën ka ndaluar që meshkujt të veshin stoli ari dhe ka lejuar për ta nga argjendi, vetëm veshjen e unazës.

Ebi Musa el Esharij transmeton se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Floriri dhe mëndafshi janë të lejuara për gratë e umetit tim e janë të ndaluara për burrat e tij.” [1]

Është përcaktuar një gjë e tillë, sepse gruaja ka më tepër nevojë se burri për zbukurim dhe se stolitë e tilla janë më të përshtatshme për natyrën e saj, sesa ajo e burrit, ndaj dhe kur këta të fundit vendosnin stoli ari përveç se në shpata, përqesheshin nga shoqëria dhe shiheshin me sy përbuzës.

Megjithatë, nuk është ky thelbi i temës tonë, porse ajo erdhi si hyrje dhe si sqarim i gjykimit të veshjes së bizhuterive të floririt nga ana e grave, ndaj le të hymë pa humbur kohë në temën tonë:

A duhet nxjerrë zekat për këto bizhuteri ari e argjendi nëse ato arrijnë nisabin[2]

Fillimisht, është mirë që të sqarojmë se është detyrë nxjerrja e zekatit të floririt dhe argjendit, sigurisht nëse arrijnë nisabin[3]. Një gjykim i tillë është i përcaktuar nga Kurani, Suneti dhe Ixhmai.[4]

Po ashtu, vlen të theksojmë se dijetarët kanë rënë dakord mbi obligueshmërinë e nxjerrjes së zekatit në lidhje me bizhuteritë për përdorim të ndaluar (si bizhuteritë e floririt për burrat, sepse ato janë të ndaluara për ta).[5]

Ndërsa në lidhje me temën tonë, dijetarët e fikhut nuk janë të një mendimi të përbashkët. Ata në lidhje me bizhuteritë e arit që i përdorin gratë për veshje (po ashtu dhe sermin që përdorin burrat si unazë), kanë dy mendime:

1.Se bizhuteritë e arit dhe argjendit, nëse arrijnë nisabin, është detyrë që të nxirret për to zekat, duke patur

kështu gjykimin e arit dhe argjendit që shërben për monedha dhe bizhuterive që përdoren për tregti.

Të këtij mendimi janë nga sahabët: Umeri, Ibnu Abasi, Amru ibn As, Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!

Nga tabi’inët[6]e pasardhësit e tyre: Seid bin Xhubejr, Ata bin ebi Rrabah, Ibnu Meheran, Muxhahid, Xhabir bin

Zejd, Ibn Shubrume, Umer bin Abdulaziz, Zuhri, Abdulla bin Shedad, Euzai dhe Ibnu Habib.

Ndërsa nga medhhebet[7] e njohura janë: hanefitë, të cilët e mbrojnë dhe mbështesin këtë mendim, po ashtu,

gjendet dhe një thënie e Imam Shafiut në medhhebin e ri të tij, por që sot nuk praktikohet nga pasuesit e tij.

2. Mendimi se nuk ka zekat në bizhuteritë e arit dhe argjendit, nëse ato përdoren për stoli dhe jo për tregti edhe

nëse arrin në përmasa të mëdha, megjithëse disa prej tyre e kanë përkufizuar që të mos kalojë normalitetin.[8]

Të këtij mendimi janë nga sahabët: Aishja (bashkëshortja e Profetit dhe vajza e Ebu Bekrit), Esma bintu Ebi

Bekër, Ibnu Umeri, Xhabir dhe Enes ibn Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!

Nga tabi’inët e pasardhësit e tyre: Kasim bin Muhamed, Sha’bi, Katade, Muhamed bin Alij, Ebi Theur, Ishak,

Umretu bintu Abdurrahman, Taus, Hasen el Basrij, Seid bin Musejeb dhe Ebu Ubejd.

Ndërsa nga medhhebet e njohura janë: malikitë, shafitë dhe hanbelitë. [9]

Përgatiti: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

17.07.2007


[1]E ka nxjerrë këtë hadith: Ahmedi, Ebu Daudi, Nesai dhe Tirmidhiu i cili ka thënë se është hasen sahih (i mirë e i saktë), po ashtu këtë hadith e ka konsideruar si të saktë imam Bagauiu dhe Albani.

 [2] Nisab është sasia e caktuar e pasurisë me sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi – nisabi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit.

[3]Nisabi i arit (floririt) është: 85g, ndërsa i argjendit (sermit) është: 596g.

[4]Ixhmai është rënia dakord e të gjithë muxhtehidinëve në një kohë prej kohërave rreth një çështjeje të caktuar.

 [5] Meusuatu el fikhije vëll: XIX, f. 116.

[6]Tabi’inë janë brezi që vjen pas sahabëve, pra të gjithë ata persona të cilët janë takuar me ndonjë nga sahabët konsiderohen si të tillë.

[7]Medhheb është term me të cilin emërtohen shkollat juridike të cilat u morën me studimin e jurisprudencës dhe çdo çështjeje që ka lidhje me të. Medhhebet kryesore janë katër:

Medhhebi Hanefi, zanafilla e të cilit ka qenë në Kufe të Irakut, nismëtari i së cilës ka qënë Imam Numan bin Thabit (Ebu Hanife).

Medhhebi Maliki, zanafilla e të cilit ka qenë në Medinën e Profetit, nismëtari i së cilës ka qenë Imam Malik bin Enes.

Medhhebi Shafi, zanafilla e të cilit ka qenë në Bagdad të Irakut e më pas u transferua në Egjipt, nismëtari i së cilës ka qenë Imam Muhamed bin Idris Shafi.

Medhhebi Hambeli, zanafilla e të cilit ka qenë në Bagdad, nismëtari i së cilës ka qenë Imami i Ehli Sunetit, Ahmed bin Hambel, Allahu i mëshiroftë të gjithë!

[8]Në këtë grup do të vendosim edhe ata të cilët kanë thënë se zekati i bizhuterive nxirret vetëm një herë –pra jo çdo vit–, po ashtu edhe të atyre që kanë thënë se zekati i bizhuterive është dhënia hua e tyre, sepse qëllimi këtu është se të gjithë këta kanë pohuar

se për bizhuteritë e arit dhe argjendit nuk nxirret zekat, sikurse nxirret për floririn dhe argjendin, qoftë ajo pllakë apo monedha.

[9]Këto fakte janë marrë nga këto burime: Mugni vëll: III, f. 375; Mexhmu fetaua vëll: XXV, f. 16-17; El-Emual f. 441-442; Muhala

Ibën Hazm vëll. VI, f. 76.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com