All for Joomla All for Webmasters

ZEKATI I BIZHUTERIVE (2)

. Posted in Zekati.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Shkaku i prezencës së mendimeve të ndryshme rreth kësaj çështje

Në realitet dijetarët nuk kanë rënë në një mendim të përbashkët rreth kësaj çështjeje, sepse ata e kanë parë këtë nga këndvështrime dhe aspekte të ndryshme.

Ata që e kanë obliguar zekatin e bizhuterive të arit dhe argjendit kanë parë në origjinën e tyre -e cila është ar dhe argjend-, kështu i kanë mjaftuar argumentet e përgjithshme rreth obligueshmërisë së zekatit në ar dhe argjend për të dalë në përfundimin se dhe bizhuteritë e arit dhe argjendit kanë të njëjtin gjykim.

Ndërsa pala tjetër i kanë parë bizhuteritë se ato tashmë janë punuar e stolisur duke mos patur më ngjasim me monedhat e janë bërë si diçka me të cilën plotësohen nevojat individuale –si plaçka, rroba e mallrat të cilat përdoren për nevojat personale dhe për të cilat ka Ixhma se nuk ka zekat në to-, ndaj kanë thënë se bizhuteritë dalin nga dispozita e origjinës dhe u kanë mjaftuar për këtë disa gjurmë dhe thënie të sahabëve për të mbështetur këtë mendim.

Argumentet përkatëse të secilit grup

Hanefitë dhe ata që kanë mendimin e tyre janë argumentuar me një sërë argumentesh të përgjithshme, nga këto mund të përmendim fjalën e Allahut i cili thotë:

{وَالَّذِينَ يَكْنِزُونَ الذَّهَبَ وَالْفِضَّةَ وَلاَ يُنفِقُونَهَا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَبَشِّرْهُمْ بِعَذَابٍ أَلِيمٍ}

“Dhe atyre që grumbullojnë pasuri në ar e argjend (para, pasuri për të cilën nuk paguajnë zekat) dhe nuk e shpenzojnë në Rrugën e Allahut, lajmëroi për një dënim të dhimbshëm.” Teube, 34.

Po ashtu, hadithin e profetit (salallahu alejhi ue selam), i cili ka thënë: “Çdo pronar i arit dhe i argjendit i cili nuk e jep të drejtën e tij që ka në to, Ditën e Gjykimit ato do t’i shndërrohen në pllaka zjarri me të cilat do t’u digjet shpina, brinjët dhe balli, sa herë që ato ftohen do t’u përsëriten përsëri, e kjo në një ditë e cila është sa pesëqind mijë vjet. Ata do të jenë në këtë gjendje derisa të mbaroj gjykimi i njerëzve, pastaj do të shihet çështja e tyre se janë për në xhenet, apo për në zjarr.” Muslimi.

Ndërsa nga argumentet që kanë ardhur veçanërisht për bizhuteritë ata janë argumentuar me këto hadithe:

1. Amru bin Shuajb transmeton nga i ati dhe po ky nga i ati i tij, se një herë erdhi tek Profeti (salallahu alejhi ue selem), një grua me të bijën e cila kishte në dorën e saj dy byzylyk të trashë floriri. Profeti (salallahu alejhi ue selam), e pyeti: “A e jep zekatin e tyre”? Jo,- u përgjigj ajo. “A do të dëshiroje që në Ditën e Gjykimit Allahu të t’i kthente në dy byzylykë prej zjarri?” Ajo i hoqi dhe i hodhi tek Profeti (salallahu alejhi ue selem), dhe i tha: “Ato janë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”[1]

2. Aishja (Allahu qoftë e kënaqur me të!) transmeton se Profeti (salallahu alejhi ue selem) hyri në shtëpi dhe

pa në dorën e saj rrathë –të bërë nga monedha argjendi–. Ai e pyeti: “Çështë kjo o Aishe?” I kam bërë që të zbukurohem para teje, o i Dërguar i Allahut,- u përgjigj ajo. “A e jep zekatin e tyre?”- e pyeti përsëri ai. Jo,- iu përgjigj ajo. “Por, kjo të mjafton si dënim në zjarr”- ia ktheu Profeti (salallahu alejhi ue selem).”[2]

3. Umu Seleme transmeton e thotë: “Vendosja për zbukurim disa rrathë floriri dhe një herë i thash Profetit (salallahu alejhi ue selem) se a mos konsiderohen këto vallë si thesar?” Ai tha: “Nëse arrin masën për zekat, nxire atë, sepse nuk është thesar.”[3]

Ky grup mbështeten edhe në hadithe dhe gjurmë të tjera, porse ato nuk janë të sakta, ndaj dhe ne nuk po i përmendim e po mjaftohemi me hadithet e vërteta të cituara më sipër.

b) Xhumhurët[4] tek të cilët janë tre imamët Maliku, Shafiu, Ahmedi e të tjerët që përmendëm më lartë,

janë argumentuar me një sërë argumentesh, nga këto mund të përmendim:

1. Kasim Bin Muhamed[5] transmeton se Aishja –gruaja e Profetit (salallahu alejhi ue selem), i vishte vajzave

të vëllait të saj –të cilat ishin jetime dhe nën kujdesin e saj- bizhuteri floriri dhe nuk nxirrte zekat për to.[6]

2. Nafi’i transmeton se Abdullah bin Umer i vishte vajzat dhe robëreshat e tij me flori dhe nuk nxirrte zekat për to. [7]

3. Transmetohet se Esmaja e bija e Ebu Bekrit i kishte stolisur rrobat e saj me flori me një vlerë prej afro 50 mijë.[8]

4. Po ashtu, transmetohet se kur e kanë pyetur Xhabir bin Abdullah për bizhuteritë, ai ka thënë se nuk ka zekat tek bizhuteritë. Kur i kanë thënë se vlera e tij arrin në 1000 dinarë, ai është përgjigjur: “Ta japë hua (nëse ia kërkojnë hua) dhe ta veshë.”[9]

5. Hasen el Basri transmetohet se ka thënë: “Nuk dimë ndonjë prej hulefave[10]që të ketë thënë se bizhuteritë kanë zekat.[11]

Po ashtu, ata kanë edhe shumë thënie të tjera rreth kësaj teme të cilat vërtetojnë se këta sahabë nuk nxirrnin zekat për bizhuteritë e arit dhe argjendit.


Përgatiti: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

20.07.2007


[1]Këtë hadith e kanë nxjerrë Tirmidhiu, Nesai dhe Ebu Daudi. Në lidhje me saktësinë e këtij hadithi, gjykimet e dijetarëve nuk janë të njëjta. Disa kanë shkuar në mendimin se ai është hadith i dobët e nuk mund të punohet me të; saqë imam Tirmidhiu ka thënë se në këtë kapitull nuk ka asnjë hadith të vërtetë. Në fakt zinxhiri i transmetuesve nga të cilët e ka marrë Tirmidhiu këtë hadith ka persona të dobët që nuk punohet me transmetimet e tyre, por ka një grup tjetër dijetarësh që kanë thënë se ky hadith është i saktë, sepse atë e ka transmetuar Ebu Daudi nga një rrugë tjetër zhinxhiri i të cilit përbëhet nga persona të besueshëm dhe, ndoshta, ajo që e ka shtyrë Imam Tirmidhiun që të arrijë në këtë përfundim është fakti se ai nuk e ka dëgjuar këtë hadith nga kjo rrugë. Pra, mendimi më i drejtë është se ky hadith është i saktë dhe është detyrë punimi me të sipas rregullave të hadithit. Këtë hadith e ka saktësuar imam Ibnu Haxheri, Albani etj.

[2]Këtë hadith e kanë nxjerrë Ebu Daudi, Hakimi dhe Darekutni. Imam Ibën Haxher ka thënë në “Telhijs” se ky hadith është në përputhje me kushtet e hadithit të saktë. “Telhijs” f, 184.

[3]Këtë hadith e kanë nxjerrë Ebu Daudi. Edhe për këtë hadith mendimet e dijetarëve nuk janë të njëjta; disa prej tyre e konsiderojnë të dobët e disa të saktë. Imam Albani ka konstatuar tre defekte në zinxhirin e këtij hadithi; por ka pohuar se ai ka dhe dëshmi të tjera të cilat e ngrenë në gradën e hadithit të mirë, ose të saktë. Me mendimin se ky hadith është i saktë është dhe Imam Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!). “Silsile sahiha” vëll: II. f, 58. “Nasbu er-rraje” vëll: II. f, 267.

[4]Fjala xhumhur d.m.th.:shumica e dijetarëve.

[5]Ky është djali i vëllait të Aishes dhe njëri prej shtatë fukahave të Medines.

[6]Këtë gjurmë e kanë nxjerrë: Malik në “Muata”, Bejhakiu në “Sunen el Kubra” dhe Shafi’u në “Musnedin” e tij.

[7]Këtë gjurmë e kanë nxjerrë: Bejhakiu në “Sunen el Kubra”, Shafi’u në “Musnedin” e tij dhe Malik në “Muata”.

[8]Ndoshta këtu e ka për qëllim dinarë floriri, sepse ajo ka qenë monedha e atëhershme dhe Allahu e di më së miri. Këtë gjurmë e ka nxjerrë Ibën ebi Shejbe.

[9]Këtë gjurmë e ka nxjerrë: Ibën ebi Shejbe.

[10]- Hulefatë janë ata prijësa të cilët erdhën pas Profetit në drejtimin e muslimanëve e të cilët janë Ebu

Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu.

[11]- Këtë gjurmë e kanë nxjerrë: Ibën ebi Shejbe.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com