All for Joomla All for Webmasters

ZEKATI I BIZHUTERIVE (3)

. Posted in Zekati.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Mendimi i saktë rreth kësaj çështjeje dhe arsyet e kësaj zgjedhjeje[1]

Të thuash të drejtën argumentet e hanefive janë kërcënuese për ata ose ato të cilët nuk e nxjerrin zekatin e arit dhe argjendit (pra monedhave të floririt e të sermit), porse pyetja shtrohet: a mbetet gjykimi i bizhuterive i njëjtë me atë të monedhave të floririt me të cilat kihet për qëllim përfitimi dhe shtimi i pasurisë, apo ato (bizhuteritë) dalin nga ky gjykim sepse përdoren për të përmbushur nevojat dhe shijet personale dhe me të cilat nuk kihet për qëllim përfitimin dhe shtimin e tyre?

Mendimi im[2] rreth kësaj çështjeje është se nuk ka zekat tek bizhuteritë e arit dhe të argjendit dhe kjo për disa arsye:

Edhe nëse nuk bëjmë polemikë rreth faktit se hadithet që kanë përmendur ata që mendojnë se është detyrë nxjerrja e zekatit të bizhuterive, -duke besuar se ato janë të sakta-, përsëri ne themi se nuk mundet që të japësh një gjykim të tillë, ndërkohë që shikojmë se një numër i konsiderueshëm sahabësh kanë vepruar të kundërtën e këtij hadithi.

Ajo që argumenton faktin se ky mendim ka qenë i përhapur tek sahabët dhe tabi’inët në atë kohë, është ajo që transmeton Jahja bin Seid se ai ka pyetur Umretu bintu Abdurrahman për zekatin e bizhuterive dhe ajo ka thënë: “Nuk kam parë dikë që të japë zekat për to.” [3]

Nëse dikush thotë se ne nuk ecim me atë se si kanë vepruar njerëzit kur ne kemi hadithe të qarta që obligojnë nxjerrjen e zekatit të bizhuterive dhe mund të ndodhë që ata të mos i kenë dëgjuar këto hadithe!

Them se, të mendosh që një numër i tillë sahabësh dhe tabi’inësh nuk i kanë dëgjuar këto hadithe është e pamundur, sepse këtë e vërteton edhe fakti që në mesin e tyre është Aishja, nëna e besimtarëve, e cila ka transmetuar hadithin me të cilën argumentohen hanefitë.

Por, nëse dikush thotë se është obligim të punojmë me atë që sahabi transmeton e jo me atë që punon, atëherë, të them të drejtën, i këtij mendimi jam edhe unë –megjithëse hanefitë të cilët janë të mendimit mbi obligimin e zekatit, nuk punojnë më këtë rregull, por me të kundërtën e tij-, porse nuk ka mundësi që Aishja të kundërshtojë fjalën e Profetit (salallahu alejhi ue selem), i cili njëkohësisht mbart në vetvete kërcënim të ashpër –për ato që nuk e nxjerrin zekatin e tyre– vetëm se mund të ketë dëgjuar diçka prej Profetit e cila e ka anuluar një gjykim të tillë[4].

Kadi Ebu Uelijd el Baxhi ka thënë rreth kësaj çështjeje: “Ky medhheb[5] ka qenë i përhapur tek sahabët dhe

njeriu më i ditur rreth kësaj çështjeje është Aishja, bashkëshortja e Profetit (salallahu alejhi ue selem), të cilës nuk i humb gjë rreth gjërave të tilla. Po ashtu, Abdulli bin Umeri është vëllai i Hafsës e cila njëkohësisht ka qenë bashkëshorte e Profetit dhe është e pa imagjinueshme që Profeti të mos i thotë diçka rreth bizhuterive që ajo ka poseduar. Sikurse është e pa imagjinueshme që ajo të mos dijë gjë rreth gjykimit të tyre.” [6]

Nëse dikush që kundërshton dhe thotë se Aishja dhe Ibnu Umeri nuk e nxirrnin zekatin e bizhuterive, sepse ai nuk kishte arritur nisabin –masën e zekatit-, duhet të dimë se gjurmët që tregojnë se Aishja nuk e nxirrte zekatin e bizhuterive janë transmetuar nga Kasim bin Muhamed –i cili është njëri nga shtatë dijetërët e Medinës në kohën e tabi’inëve- dhe nuk mund të imagjinohet që ky tabi’in të thotë se ajo nuk e nxirrte zekatin e bizhuterive, ndërkohë që nisabi i tyre nuk kishte arritur, sepse diçka e tillë do të ishte pa kuptim.

Gjë tjetër në lidhje me këtë pikë, nëse do pranonim se bizhuteritë e tyre se kishin arritur nisabin, atëherë pyetja shtrohet: Kush na vërteton ne se Aishja e cila transmeton hadithin e dy byzylykëve të argjendit e kishin arritur nisabin? Çdo përpjekje që do ndërmerret për të vërtetuar diçka të tillë, shumë mirë ne mund ta përdorim si argument në anën tonë që të vërtetojmë se vajzave për të cilat kujdesej Aishja e kishin arritur nisabin e bizhuterive të tyre.

Nëse do të shohim në bazat e zekatit, do të gjejmë se përveç bizhuterive –të cilat mendoj se nuk kanë gjykimin e origjinës, për arsye se ato përdoren për nevojat personale, ka edhe mallra të tjera që dalin nga kjo origjinë e nuk jepet zekat për to, pra nuk qenkan vetëm bizhuteritë që konsiderohen të tilla.

Shembull për këtë, është zekati i deveve apo lopëve të cilat ushqehen në livadhe dhe nga kullota në pjesën më të madhe të vitit. Nëse numri i tyre arrin nisabin duhet që për to të nxirret zekat, por dijetarët kanë nxjerrë nga ky rregull –ose ndryshe origjinë– bagëtitë të cilat përdoren për nevoja personale[7] si; për

vaditje, qetë e parmendës, devetë që përdoren për ngarkesë e transport etj. Kështu mund të thuash se të njëjtin gjykim kanë edhe bizhuteritë e arit dhe argjendit. 

Gjë tjetër që i jep peshë mendimit se nuk ka zekat në bizhuteritë të cilat përdoren për nevoja personale, është fakti se në kapitullin e zekatit ka një rregull të përgjithshëm dhe që përfshin çdo mall: “Zekati i mallit merret nga po ai, nga kapitali dhe shtesa (fitimi) e tij dhe ky rregull nuk prishet vetëm se në raste të domosdoshme, si shembulli i nxjerrjes së deleve në vend të deveve, përderisa nuk arrin numri i tyre në njëzet e pesë kokë.

Këtu shtrohet pyetja, si mund ta nxjerrë gruaja zekatin e bizhuterive të saj, nëse ajo nuk posedon tjetër veç saj, sikurse është realiteti i shumë grave? Kjo d.m.th.: që ajo të detyrohet ose t’i shesë ato, ose një pjesë të tyre, ose të shesë diçka tjetër, në mënyrë që të nxjerrë zekatin e tyre. Po vallë a ka ardhur Sheriati me diçka të ngjashme si kjo, përveç rastit të deveve që përmendëm më lart? Apo, mos vallë Sheriati e ka obliguar zekatdhënësin që ta nxjerrë zekatin e mallit të tij nga një mall tjetër? Apo që ta ketë urdhëruar të shesë mallin që posedon në mënyrë që të nxjerrë zekatin e tij?

Të gjitha këto të çojnë të mendosh se nuk nxirret zekat për bizhuteritë të cilat përdoren për nevojat personale dhe Allahu e di më së miri.

Së fundi, dërgojmë përshëndetjet tona mbi zotërinë e njerëzimit, të dashurin tonë, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), mbi familjen e tij të nderuar, mbi shokët e tij besnik dhe të gjithë ata që ecin në rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Përgatiti: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

26.07.2007 


[1]Ky është mendimi që e kam parë më të drejtë rreth kësaj çështjeje, megjithatë kërkuesi dhe studiuesi rreth këtyre çështjeve nëse del në konkluzion në cilindo prej këtyre dy mendimeve nuk kritikohet, e njëjta gjë është edhe për vepruesit me këto mendime, sepse ata kanë dikë nga brezat e artë që kanë patur këtë mendim dhe ka vepruar me të, dhe Allahu është më i Dituri.

[2]Kjo shprehje nuk ka ardhur për të treguar se studiuesi i kësaj çështje është Muxhtehid e dijetar i madh. Jo, porse ne të gjithë jemi ose pasues, ose imitues; dhe kur zgjedh një mendim në çështjet që dijetarët nuk janë të një mendimi, atëherë duhet të shtrosh arsyet që të kanë shtyrë të zgjedhësh këtë mendim, sidomos kur atë ia tregon e paraqet edhe të tjerëve. E lusim Allahun të na ruajë nga mendjemadhësia!

[3]Këtë gjurmë e kanë nxjerrë Ibën ebi Shejbe dhe Ebu Ubejd në librin e tij “Emual”.

[4]Kjo gjithmonë nëse hadithet e veçanta rreth kësaj teme janë të sakta.

[5]Që përfaqëson mendimin se nuk ka zekat në bizhuteritë e arit dhe argjendit.

[6]“Munteka sherh Muata” vëll: II, f, 107.

[7]Prej këtyre janë dhe dijetarët e medhhebit hanefi; ata kanë thënë për bagëtitë të cilat përdoren për nevoja personale se nuk nxirret zekat për to edhe pse ato ushqehen në livadh e nga kullota në pjesën më të madhe të vitit. Por hanefitë nuk e kanë përdorur të njëjtin rregull në lidhje me bizhuteritë edhe pse ato përdoren për nevoja personale, por mendoj se nuk ka ndonjë argument nga i cili mund të përfitohet ky dallim.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com