All for Joomla All for Webmasters

ZEKATI I FITRIT

. Posted in Zekati.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka më profetë të tjerë, Muhamedin, familjen e tij shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Kiametit.

Këtu janë disa çështje të përmbledhura rreth zekatit të fitrit të shkëputura nga libri "Rregullat e zekatit të fitrit" të P rof. Seid ibn Uehf el Kahtatani. Jam përqendruar në çështjet më të rëndësishme që të ketë dobi për të gjithë vëllezërit muslimanë.       

1. Qëllimi me zekatin e fitrit.

Zekati i fitrit terminologjikisht është sadaka e cila është detyrë para Bajramit të Ramazanit, pastrim për agjëruesin nga të kotat, të këqijat e të turpshmet.

2. Origjina në obligueshmërinë e zekatit të fitrit.

Libri i Allahut - Fjala e Allahut të Lartësuar: "Ka shpëtuar ai që pastrohet. Dhe përkujton emrin e Zotit të tij e falet."

Suneti i Profetitalejhi selam - Hadithi i Profetit alejhi selam i transmetuar nga Abdullah ibn Umer: “E ka bërë detyrë Profeti alejhi selam zekatin e fitrit në Ramazan për çdo musliman." Buhariu, Muslimi.

Unanimiteti i dijetarëve- Kanë rënë dakord dijetarët se zekati i fitrit është detyrë. Ka thënë ibn Mundhir -Allahu e mëshiroftë!- se dijetarët kanë rënë dakord se zekati i fitrit është detyrë për çdo musliman, nëse ka mundësi nxjerrjen e tij, për veten, fëmijët dhe ata të cilët nuk kanë pasuri dhe për robërit që i posedojnë. 

3. Urtësia në obligueshmërinë e zekatit të fitrit.

Nuk ka dyshim se zekati i fitrit ka urtësi të shumta, por më të dukshmet e të rëndësishmet përmendim:

a) Pastrim për agjëruesin nga të kotat, të këqijat e të turpshmet, ngre nga ai mangësitë gjatë agjërimit dhe arrihet kështu gëzimi i plotë për agjërimin.

b) Ushqim për të varfrit, mjaftueshmëri, panevojshmëri nga të lypurit në ditën e festës, futja e gëzimit tek ata. Kështu bëhet dita e festës ditë gëzimi e lumturie për të gjitha shtresat e shoqërisë.

c) Lidhje midis muslimanëve: të pasurit e të varfërit në këtë ditë të gjithë të përkushtuar në adhurimin e Allahut, kënaqësia me mirësitë e Tij. Këto të përmbledhur në thënien e Ibn Abasit: "E ka bërë detyrë Profeti alejhi selam zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga të kotat, të këqijat e të turpshmet dhe ushqim për të varfrit."

d) Arritje e shumë shpërblimeve dhe sevapeve me nxjerrjen e tij tek ai që e meriton në kohën e përcaktuar, ashtu siç ka thënë Profeti alejhi selam në hadithin e transmetuar nga Ibn Abasi: "Kush e nxjerr atë para namazit të Bajramit është sadaka e pranuar (zekat fitri) e kush e nxjerr pas namazit ajo është sadaka prej sadakave (e zakonshme).

e) Pastrim për trupin. Allahu i Lartësuar e ka lënë një masë për të gjithë, janë barazuar në këtë sadaka i madhi e i vogli, mashkulli dhe femra, i pasuri dhe i varfëri, i liri dhe robi, i ploti dhe i mangëti, në një masë të njëjtë dhe ajo është një sa'a.

f) Falënderim për mirësitë e Allahut mbi agjëruesit për plotësimin e agjërimit dhe fshehtësi të tjera tek të cilat nuk mund të arrijë logjika e krijesave.

4. Zekati i fitrit është farz për cdo musliman në ditën dhe natën e festës.

Një sa'a (rreth 3 kg) ushqim nga ushqimi i tij i përditshëm dhe i familjes së tij, nga hadithi i Profetit alejhi selam i transmetuar nga Abdullah Ibn Umer: "E ka bërë detyrë Profeti alejhi selam zekatin e fitrit në Ramazan për çdo musliman të lirë ose rob, burrë apo grua, të vogël apo të madh një sa'a hurma ose ose një sa'a elb." Ky transmetim nga Muslimi, ndërsa te Buhariu : "E ka bërë detyrë profeti alejhi selam zekatin e fitrit një sa'a me hurma ose elb, për robin, të lirin, mashkullin, femrën, të madhin e të voglin prej muslimanëve dhe ka urdhëruar për nxjerrjen e tij para daljes së njerëzve në namazin e Bajramit."

Në transmetimin e Buhariut nga Nafi ibn Umer: “Bëri detyrë Profeti alejhi selam zekatin e fitrit në Ramazan mbi mashkullin dhe femrën, të lirin e robin një sa'a hurma ose një sa'a elb. Ishte Ibn Umeri që jepte hurma. Kur u përhapën hurmat midis banorëve të Medinës filloi të jepte elb dhe ishte Ibn Umer që e jepte për të madhin e të voglin, ia jepte atyre që e pranonin (e mblidhnin) dhe e jepte 2 ose 3 ditë para Bajramit.

Është e pëlqyeshme që të nxirret zekati i fitrit dhe për shtatzënën sipas asaj që ka vepruar Uthmani radiallahu anhu.

Gjithashtu, jepet për robin dhe këtë e nxjerr zotëria e tij nga hadithi i Ebi Hurejres nga Profeti alejhi selam: "Nuk ka detyrë muslimani prej sadakasë për robin e tij veç sadakasë së fitrit."

5. Koha e nxjerrjes së zekatit të fitrit.

Shkallët e nxjerrjes së zekatit të fitrit:

1. Lejimi i nxjerrjes së tij një apo dy ditë para festës, nga hadithi i Abdullah ibn Umer…: "E nxirrnin fitrin një ose dy ditë para Bajramit." Dhe në transmetimin e Imam Malikut: “Ibn Umer e dërgonte zekatin e fitrit tek ai që mblidhte zekatin e fitrit 2 ose 3 ditë përpara."

Ka thënë Komisioni i Përhershëm i Kërkimeve Shkencore dhe Fetuave në udhëheqjen e dijetarit Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz Allahu e mëshiroftë: “Koha e nxjerrjes së tij është nata e festës së Bajramit deri para namazit të Bajramit dhe lejohet të nxirret 2 ose 3 ditë përpara.

2. Koha e detyrueshme: Perëndimi i diellit në ditën e fundit të Ramazanit. Kush martohet, ose zotëron një rob, apo i lind një fëmijë ose pranon Islamin para perëndimit të Diellit ka detyrë nxjerrjen e zekatit të fitrit, e nëse është pas perëndimit nuk e ka detyrë. Gjithashtu, kush vdes pas perëndimit të Diellit të ditës së fundit të Ramazanit e ka detyrë fitrin.

Ka thënë Komisioni i Përhershëm i Kërkimeve Shkencore dhe Fetuave për kohën e detyrueshme për nxjerrjen e zekatit të fitrit: "Fillon nga perëndimi i Diellit në ditën e fundit të muajit Ramazan dhe këtu fillon nata e parë e muajit sheual dhe mbaron me namazin e Bajramit, se Profeti alejhi selam urdhëroi për nxjerrjen e tij para namazit të Bajramit.

3. E pëlqyeshme është nxjerrja e tij ditën e festës para namazit të Bajramit, se Profeti alejhi selam urdhëroi për nxjerrjen e tij para se të dalin njerëzit në namazin e bajramit siç është në hadithin e Ibn Umerit: "Kush e nxjerr atë para namazit të Bajramit është sadaka e pranuar (zekat fitri) e kush e nxjerr pas namazit ajo është sadaka prej sadakave (e zakonshme)."

4. Nuk lejohet vonimi i tij pas namazit të Bajramit, sipas mendimit më të saktë. Kush e vonon atë deri pas namazit pa arsye ka detyrë të pendohet dhe ta nxjerrë atë menjëherë. Ka thënë dijetari Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz -Allahu e mëshiroftë!-: “Është detyrë nxjerrja e tij para namazit të Bajramit e nuk lejohet vonimi i nxjerrjes së tij pas namazit të Bajramit."

Dhe ka thënë dijetari Muhamed Ibn Salih el Uthejmin për nxjerrjen e tij pas namazit të Bajramit: “E vërteta është se nxjerrja e tij në këtë kohë është e ndaluar dhe nuk e shlyen zekatin e fitrit."

6. Sasia e zekatit të fitrit dhe llojet e tij.

Sasia e zekatit të fitrit është një sa'a nga ushqimi i njohur të cilin e përdorin njerëzit në vend. Është  transmetuar në hadithin e Ibn Umerit se ka thënë: “E ka bërë detyrë Profeti alejhi selam zekatin e fitrit në Ramazan një sa'a me hurma ose elb.

7. Sasia një sa'a me të cilën nxirret zekati i fitritështë sa'a që ka qenë në kohën e Profetit alejhi selam.

Ka thënë Komisioni i Përhershëm i Kërkimeve Shkencore dhe Fetuave: "Sasia e detyrueshme në zekatin e fitrit për çdo person është një sa'a me sa'an e Profetit alejhi selam dhe sasia e tij në peshë është afërsisht 3 kg."

8. Personat që meritojnë t’u jepet zekati i fitrit: të varfrit dhe meskinët.

Ka thënë dijetari Muhamed Ibn Salih el Uthejmin: “Dijetarët kanë përmendur dy thënie:

a) U jepet atyre që u jepen zekatet e tjera, aq sa u jepet dhe atyre që dëshirojmë t’u përfitojmë zemrat e tyre dhe borxhlinjve.

b) Zekati i fitrit i jepet vetëm të varfërve dhe kjo është e sakta.

9. Gjykimi i nxjerrjes së zekatit të fitrit në vlerë monetare.

Ka thënë dijetari Ibn Kudame -Allahu e mëshiroftë!-: Nuk e shlyen zekatin e fitrit nxjerrja e tij në vlerë monetare se kjo është në kundërshtim me argumentet.

Ka thënë dijetari Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz -Allahu e mëshiroftë!-: “Nuk lejohet nxjerrja e zekatit të fitrit në vlerë monetare, sipas shumicës së dijetarëve dhe kjo është më e sakta me argument, por është detyrë nxjerrja e tij ushqim ashtu siç ka vepruar Profeti alejhi selam dhe shokët e tij.” Dhe ka thënë: “Zekati i fitrit është adhurim siç kanë rënë dakord myslimanët dhe origjina në adhurime është që të ndalohet në ato që na janë transmetuar me argumente nga Kurani e Suneti. Nuk i lejohet askujt që të bëjë një adhurim vetëm se duke e bërë atë me çka është transmetuar nga ligjëruesi i urtë alejhi selam.”

Ka thënë Komisioni i Përhershëm i Kërkimeve Shkencore dhe Fetuave: “Nuk lejohet nxjerrja e zekatit në lekë, sepse argumentet fetare na tregojnë në obligueshmërinë e nxjerrjes së tij ushqim dhe nuk lejohet devijimi nga argumentet fetare, për fjalën e dikujt prej njerëzve, kushdo qofshin ata.

Profeti alejhi selam ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar”. Dhe në transmetimin e Muslimit: “Kush punon një punë që nuk është prej nesh ajo është e refuzuar”.

10. Zekati i fitrit është detyrë për muslimanin për veten e tij dhe ata për të cilët ka detyrë shpenzimin për ta.

Ka thënë Komisioni i Përhershëm i Kërkimeve Shkencore dhe Fetuave: "Zekati i fitrit është detyrë për vetë personin dhe për të gjithë ata të cilët e ka detyrë të shpenzojë për ta dhe prej tyre dhe gruaja, sepse e ka detyrë të shpenzojë për të."

E përmblodhi: Abdullah ibn Radij el Muijdij

Përktheu: Pëllumb Gurra

Burimijetes.com

19.09.2009

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com