All for Joomla All for Webmasters

EDUKATA E KËRKIMIT TË DIJES (11)

. Posted in MORALI.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun e Lartësuar,  i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka në mes tyre. Vetëm Atij i përulemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë e shpëtim. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të dërguarin  Muhamed dhe mbi familjen e tij  të pastër, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Kujdesi për kuptimin e asaj që ka për qëllim Allahu dhe i Dërguari i  Tij 

Një prej çështjeve të rëndësishme për nxënësin e dijes është çështja e të kuptuarit, d.m.th: të kuptuarit të qëllimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij -alejhi selam-.

Shumë  prej njerëzve u është dhënë dija, por nuk u është dhënë të kuptuarit. Nuk mjafton të mësosh librin  e Allahut dhe çfarë të lehtësohet prej Sunetit pa e kuptuar ashtu sikur do Allahu dhe i Dërguari i Tij -alejhi selam-.

Shumë prej defekteve te njerëzit është se argumentojnë me argumente që nuk kanë për qëllim atë që do Allahu dhe i Dërguari i Tij -alejhi selam- me të cilën shkojnë në humbje.

Gabimi në të kuptuarit është shumë më i rrezikshëm se gabimi nga injoranca, sepse injoranti gabon me injorancën e tij, pasi njihet si i tillë dhe mëson. Fatkeqësi është kur ai i cili e kupton gabim dhe mendon në veten e tij se është dijetar si dhe mendon se ky është qëllimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij -alejhi selam-.

Le të sjellim disa shembuj qartësues për rëndësinë e të kuptuarit.

Shembulli i parë:

Ka thënë Allahu: "(Kujto) edhe Daudin dhe Sulejmanin kur gjykuan për rastin e arës në të cilën dhentë e dikujt kishin kullotur natën dhe Ne qemë Dëshmues të Gjykimit të tyre. Dhe Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptojë çështjen dhe secilit prej tyre Ne i dhuruam Hukmin(Gjykimin e drejtë, Urtësi dhe Pejgamberi) dhe Dije (të fesë së Allahut)dhe i nënshtruam malet dhe zogjtë të lavdërojnë Madhështinë Tonë bashkë me Daudin. (E të gjitha këto) ishim Ne që i bënim". El Enbija, 78-79.

Allahu i Lartësuar e dalloi Sulejmanin nga Daudi në këtë çështje me të kuptuarit.  "Dhe Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptojë ... " Kjo nuk do të thotë se Daudi ka mangësi në dije " ... Ne i dhuruam Hukmin(Gjykimin e drejtë, Urtësi dhe Pejgamberi) dhe Dije (të fesë së Allahut)..."

Në  këtë ajet kuranor vërehet qartë dallimi i Sulejmanit me të kuptuarit, gjithashtu dhe Daudi dallohet. Allahu thotë: "... dhe i nënshtruam malet dhe zogjtë të lavdërojnë Madhështinë Tonë bashkë me Daudin..." Kjo është e drejta e çdo njërit prej tyre.

Allahu i përmend si pjesëmarrës në gjykim dhe dije, më pas çdonjërin prej tyre e dallon. Kjo tregon rëndësinë e të kuptuarit, kurse dija nuk është gjithçka.

Shembulli i dytë:

Kemi dy enënjë me ujë të nxehtë dhe tjetra me ujë të ftohtë, në një kohë dimri. Vjen një person dhe do të lahet prej xhunubit dhe disa njerëz i thonë se më e mirë është të përdorësh ujin e ftohtë, sepse aty është sakrifica, sepse i Dërguari i Allahut -alejhi selam-thotë: "A doni t’ju tregoj juve se si Allahu ju fshin juve gabimet dhe ju ngre në grada?’ Ata i thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Plotësojeni abdesin në vështirësi..." Shënuar nga Muslimi.

D.m.th: ta marrësh abdesin duke e përshtatur me kohën. Personi e dha mendimin se uji i ftohtë është më i mirë. A është ky një gabim në dije apo në kuptim?

Po, ky është një gabim në kuptim, sepse i Dërguari i Allahut -alejhi selam- nuk thotë të zgjedhësh ujin e ftohtë për abdes, por nuk e ndalon një gjë të tillë.

A do Allahu për robin e Tij lehtësimin apo vështirësinë?

Allahu thotë: "...Allahu ju dëshiron juve të lehtën dhe Ai nuk do që t’i vështirësojë gjërat për ju..." El Bekare, 185.

Apo thënia e të Dërguarit të Allahut -alejhi selam-:"Me të vërtetë feja është e lehtë." Shënuar nga Buhariu.

Nxënësi i dijes duhet ta dijë se çështja e të kuptuarit është një çështje shumë e rëndësishme. Ne duhet ta kuptojmë atë që ka për qëllim Allahu për robin e Tij dhe jo ta vështirësojmë.

Këto edukata, për nxënësin e dijes, duhet të ndikojnë në dijen e tij në mënyrë që ai të jetë shembull me punën e tij, një thirrës i mirë dhe prijës në fenë e Allahut.

Durimi, siguria i japin drejtimin në fe.

Allahu thotë: "Dhe Ne bëmë nga mesi i tyre prijës duke udhëzuar nën Urdhrin Tonë kur qenë të duruar dhe gjithnjë besuan me vendosmëri në Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet Tona)". Sexhde, 24.

Shkëputur nga "Kitabul ilm" i Shejh Muhamed ibn Salih el Uthejmin 

Përktheu: Tomor Boriçi

Burimijetes.com

09.04.2008

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com