All for Joomla All for Webmasters

EDUKATA E KËRKIMIT TË DIJES (18)

. Posted in MORALI.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun e Lartësuar,  i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka në mes tyre. Vetëm Atij i përulemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë e shpëtim. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të dërguarin  Muhamed dhe mbi familjen e tij  të pastër, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

 Dhënia e mendimeve në fe pa dije

Dhënia e mendimit në fe zë një vend të rëndësishëm. Dhënësi i mendimit përballet me qartësimin e çështjeve fetare që u përzihen njerëzve duke i orientuar ata në rrugë të drejtë. Këto mendime i nxjerrë vetëm ai që i posedon.

Njerëzit duhet t’i frikësohen Allahut dhe të flasin vetëm me dije. Duhet ta dinë se të Allahut janë krijimi dhe çështja. Nuk ka Krijues veç Allahut, Ai është Rregullatori i çështjeve të krijesës, nuk ka ligj të barabartë me ligjin e Allahut, Ai e bënë obligim ndonjë gjë, Ai e ndalon atë, Ai e bënë ndonjë gjë të pëlqyeshme apo të lejuar.

Allahu e urren atë që lejon dhe ndalon sipas epshit dhe dëshirës së tij dhe thotë: "Thuaju: ‘Më thoni, çfarë të mirash ju ka zbritur juve Allahu! Dhe ju vetë i keni bërë ato të ligjshme e të paligjshme.’ Thuaju: ‘A ju ka lejuar Allahu (të bëni kështu), apo ju shpifni gënjeshtër ndaj Allahut?’"

"Dhe çfarë mendojnë ata që trillojnë gënjeshtra kundër Allahut, për Ditën e Kiametit (a mendojnë se do të falen)? …"Junus, 59-60.

Allahu thotë: "Por mos thoni në lidhje me atë që jua thotë goja duke gënjyer: ‘Kjo është e ligjshme dhe kjo është e ndaluar’, që të shpifni gënjeshtër ndaj Allahut, (pasi) me të vërtetë ata të cilët shpifin gënjeshtra ndaj Allahut kurrë nuk do të fitojnë.

(Veç) një kënaqësi të shpejtë e kalimtare do të shijojnë, por për ta do të jetë ndëshkim i dhimbshëm"Nahl, 116-117.

Është krim i madh për një person kur thotë për një çështje kjo është e lejuar, apo e ndaluar, apo e domosdoshme e në të vërtetë nuk e di gjykimin e Allahut për të. Kjo nuk është vetëm një krim, por dhe një edukatë e keqe me Allahun.

O njeri! Ti e di se gjykimi është te Allahu dhe flet në fenë e Allahut dhe sheriatin (ligjin) e Tij pa dije?!

Allahu e afron thënien pa dije me shirkun (politeizmin), dhe thotë: "Thuaj: ‘(Por në të vërtetë) gjërat që i ka ndaluar Zoti im janë El-Fahisha (gjynahet e mëdha, çdo lloj afrimi me gratë jashtë martesës etj) që kryhen hapur ose fshehur, gjynahet (e tjera të çdo lloji), shtypja pa të drejtë, vënia shok Allahut në adhurim, gjë për të cilën Ai nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë, si dhe përfolja për Allahun për gjëra për të cilat ju nuk keni asnjë dijeni’.”  A'raf, 33.

Këta njerëz, që i japin mendime në fe njeri-tjetrit pa kurrfarë dije duke thënë se kjo është e ndaluar, kjo e obliguar, ose jo e obliguar -dhe në të vërtetë nuk kanë asnjë dije për to- a nuk e dinë këta se Allahu do t’i pyesë Ditën e Gjykimit. Këta në qoftë se i lejojnë dikujt atë që Allahu e ka ndaluar apo ia ndalojnë atë që Allahu e ka lejuar, pranojnë në vetvete gjynahun e tij e mbi ata bie ajo që ai punon, ku shkak është ajo që ata thanë.

Disa njerëz bëjnë krim tjetër kur shikon një person që kërkon mendim te një dijetar ai i thotë se nuk është nevoja të marrësh mendim, sepse kjo çështje është e qartë, kjo është e ndaluar, në të vërtetë ajo është e lejuar. Ose i thotë se kjo është e domosdoshme, në të vërtetë ajo nuk është e tillë. Ky është një krim i tij në sheriatin e Allahut dhe një mashtrim për vëllanë musliman, sepse jep mendime në fe pa patur dije.

Nëse një person pyet për një rrugë prej rrugëve të qytetit dhe i thua që ajo është këtej, e ti nuk e di, a nuk do ta marrin  njerëzit këtë si mashtrim? Si mund të flasësh për rrugën e xhenetit dhe ligjin e Allahut pa patur dije për të?

Disa mësues të cilësuar dijetarë bien në pozicionin e njerëzve të zakonshëm, flasin për ligjet e Allahut pa dije, i zbukurojnë ato, por ata janë njerëzit më injorantë në ligjet e Allahut.

Kur flet ndonjëri prej tyre thua sikur ti ketë zbritur shpallje e nuk mund të shqiptojë apo të thotë se nuk e di. Ai me këtë dëmton njerëzit e zakonshëm, sepse njerëzit ndoshta besojnë fjalën e tij dhe mashtrohen me të. Ata thëniet ia dedikojnë Islamit duke thënë se Islami thotë kështu, e shikon këtë gjë kështu, por kjo nuk lejohet, vetëm nëse thënësi e di se ajo është prej Islamit. Kjo rrugë është vetëm atëherë kur njihet libri i Allahut, suneti i Profetit -alejhi selam- ose konsensusi i myslimanëve (ixhma).

Disa njerëz me kurajë, pa frikë dhe pa patur turp prej Allahut, thonë për atë që është e ndaluar qartësisht se nuk mendoj të jetë e ndaluar. Po kështu dhe kur është obligim i qartë thotë se nuk mendoj të jetë obligim. Këto veprime të këtyre njerëzve janë ose nga padija për të, ose për inati, ose për të sjellë dyshime robërve të Allahut në fenë e Tij.

Vëllezër! Prej logjikës, besimit, frikës së Allahut dhe lartësimit të Tij, personi për atë që nuk e di duhet të thotë: Allahu është i dijshëm, pyet tjetër kënd. Kjo është prej logjikës së shëndoshë, sepse njerëzit kur shohin qëndrimin e tij e besojnë atë.

Ky e njeh veten e tij dhe e vendos atë në vendin që i takon. Gjithashtu, prej besimit të plotë dhe frikës ndaj Allahut nuk flitet për fenë e Allahut atë që nuk e di.

Ka qenë i Dërguari i Allahut -alejhi selam-më i ditur prej njerëzve në fenë e Allahut, e pyesnin për atë që nuk i kishte zbritur prej shpalljes, priste deri sa t’i zbriste shpallja. Allahu u përgjigjej për atë që pyetej i Dërguari i Tij.

Allahu thotë: "Të pyesin ty (O Muhamed) se ç’është e lejuar për ta (për t’u ushqyer). Thuaj: Të lejuara për ju janë Et-Tajjibat (të gjitha ushqimet e mira dhe të pastra, të lejuara nga Allahu)...’" Maide, 4.

Allahu thotë: "Të pyesin ty (O Muhamed) edhe për Dhulkarnejnin. Thuaju: ‘Unë do t’ju rrëfej diçka nga historia e tij’." Kehf, 83.

Allahu thotë: "Të pyesin ty (O Muhamed) për Orën (Çastin e Fundit të kësaj bote dhe fillimin e Jetës së Pasosur): ‘Kur është përcaktuar koha e tij?’ Thuaju: ‘Dija për të është Vetëm tek Zoti im. Askush nuk ta shpall kohën e tij përveç Atij ...’" A'raf, 187.

Kanë qenë nga më të mëdhenjtë e sahabëve kur i paraqiteshin çështje dhe nuk e dinin gjykimin e Allahut për të, heshtnin.

Ka thënë Ibn Mes'udi – kënaqësia e Allahut qoftë me të!–: "O njerëz! Kush pyetet për dije dhe e di atë le ta thotë. Kush pyetet dhe nuk ka dije le të thotë Allahu është i dijshëm, sepse për atë që nuk e di, është prej dijes të thuash: Allahu është i dijshëm".

U pyet Shabiu për një çështje dhe tha: “Nuk e zotëroj.” Shokët e tij i thanë: “Të turpëruam.” Ai tha: “Melekët nuk u turpëruan kur thanë: ‘ ... Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti’ …" Bekare, 32.

Ka shembuj të shumtë, për dhënien e mendimeve pa patur dije, prej tyre është të sëmurit kur i ndoten rrobat, nuk mund t’i pastrojë ato, por i thonë: ‘Ti nuk falesh deri sa ato të pastrohen.” Ky është një mendim i gabuar dhe i rremë. I sëmuri, nëse nuk ka mundësi që të pastrohet, falet edhe sikur rrobat apo trupi i tij të jenë të papastër.

Allahu thotë: "Kini pra frikë Allahun dhe përmbushni detyrimin e Tij sa të mundeni... " Tegabun, 16.

I sëmuri falet sipas mundësisë që i jepet. Falet në këmbë, nëse nuk mundet ulur, nëse nuk mundet shtrirë duke përkulur pak kokën dhe nëse nuk mundet me sy. Në qoftë se është me mëndje të shëndoshë le të bëjë nijetin e veprave me zemër dhe t’i thotë thëniet me gojën e tij. P.sh. të thotë: Allahu ekber, më pas të këndojë Fatihan dhe një sure, më pas të thotë: Allahu ekber dhe ta bëj nijet sikur është në ruku, më pastë thotë: Semiall-llahu limen hamideh, të bëjë nijet sikur është ngritur nga rukuja, më pas të njëjtën gjë vepron edhe në veprimet e mbetura. Bën nijet, me zemrën e tij, për veprimet që nuk ka mundësi t’i kryejë dhe nuk duhet ta vonojë namazin nga koha e vetë.

Si shkak i mendimeve të rreme dhe të gabuara, disa muslimanë, largohen nga kjo botë pa u falur. Po ta dinin se i sëmuri falet sipas mundësisë që ka do të largoheshin nga kjo botë  me namaz.

Në këto çështje dhe në të tjera të ngjashme me to, njerëzit e  zakonshëm duhet të marrin gjykimin e tyre prej dijetarëve, me qëllim që ta njohin gjykimin e Allahut dhe të mos flasin në fenë e Allahut për atë që nuk e dinë.

Shkëputur nga "Kitabul ilm" i Shejh Muhamed ibn Salih el Uthejmin 

Përktheu: Tomor Boriçi

Burimijetes.com

06.06.2008

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com