All for Joomla All for Webmasters

MORALI I MUSLIMANIT ME TË DËRGUARIN E ALLAHUT

. Posted in MORALI.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Lartësuar në suren Kalem ka thënë: "Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit." , ndërsa Profeti (alejhi selam) ka thënë: "Më ka edukuar Zoti im e më ka dhënë një moral të shkëlqyer." Në një hadith tjetër transmetohet se profeti (alejhi selam) ka thënë: "Nëse një person ka moral të mirë mund të arrijë gradën e atij personi që falet natën e agjëron ditën."

Gjithashtu, transmetohet se profeti Muhamed (alejhi selam) ka thënë: "Nuk kam parë gjë më të rëndë në Ditën e Gjykimit në peshoren e muslimanit, sesa morali i mirë."

Gjithashtu, transmetohet në një tjetër hadith të saktë se Profeti (alejhi selam) ka thënë: "Më i afërt që do të jetë me mua në Ditën e Gjykimit është ai që ka moralin më të lartë."

Nga gjërat e mëdha në adhurim, të cilën na e ka treguar profeti Muhamed (alejhi selam) është ihsani, i cili do të thotë: ta adhurosh Allahun sikurse e shikon Atë, edhe pse nuk e shikojmë Ai  na shikon ne.

Secili prej nesh duhet të dijë se ka mbikëqyrës Allahun e Lartësuar në veten e tij, në qëndrimin e tij në shpirt, në qëndrimin e tij në rrugë, në zyrë e kudo. Secili prej nesh e ka për detyrë që të mendojë se Allahu e shikon në çdo çështje, në çdo veprim që e kryen në jetë.

Nga morali i muslimanit ndaj Allahut është që ne të vendosim dashurinë e Allahut të Lartësuar në zemrat tona.

Nga morali që i takon muslimanit ndaj profetit Muhamed (alejhi selam) është që ne ta duam atë më shumë se baballarët tanë, nënat tona, më shumë se familjet tona. Profeti (alejhi selam) ka thënë: "Nuk do të ketë besimin e plotë asnjë prej jush derisa unë të jem më i dashur për të se sa prindërit e tij, fëmijët e tij dhe se të gjithë njerëzit." Transmetohet se Umeri (radiallahu anhu) ishte një herë duke bashkëbiseduar me Profetin Muhamed (alejhi selam) dhe i thotë: "O i Dërguari i Allahut, unë të dua ty pas vetes sime." I thotë Profeti (alejhi selam): "Nuk e ke arritur besimin (nuk do ta kesh besimin e plotë) derisa unë të jem më i dashur për ty se sa vetja jote." Atëherë Umeri (radiallahu anhu) i përgjigjet: "Për Zotin, o i Dërguari i Allahut, ti  je më i dashur tek unë se sa vetja ime."

Një prej grave të ensarëve (medinasve) i vdiq babai, bashkëshorti dhe vëllai i saj, por kur e lajmëruan e i thanë se të gjithë ata kanë vdekur, ajo pyeti: "Si është i Dërguari i Allahut, më lajmëroni për të?" E lajmëruan duke i thënë se Profeti (alejhi selam) ishte mirë, por ajo nuk besonte derisa ta shikonte me sy, e kur e pa tha: "O i Dërguari i Allahut, çdo fatkeqësi, përveç fatkeqësisë sate, fshihet. Çdo fatkeqësi që mund t'i ndodhë muslimanit, përveç fatkeqësisë sate, është e lehtë." Kjo është ajo grua ensare me besimin e plotë, të qartë dhe të pastër. Po kështu ishte edhe besimi i sahabëve të Profetit (alejhi selam) në Besëlidhjen e Akabes. Ata i dhanë besën Profetit (alejhi selam) për ta mbrojtur e për ta ndihmuar atë, edhe në qoftë se do t'i kushtonte me fëmijët e tyre, familjet e tyre dhe veten e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed): Në qoftë se ju e doni Allahun, më pasoni mua t'ju dojë Allahu."

Nuk plotësohet dashuria ndaj Profetit (alejhi selam) vetëm në qoftë se do t'i bindemi urdhrave të tij dhe të largohemi prej atyre gjërave që Allahu na i ka ndaluar.

Nga morali që duhet të ketë besimtari ndaj Profetit (alejhi selam) është se ai duhet të bëjë dua për të; d.m.th.: të bjerë salavat sa herë që dëgjon emrin e tij. Profeti (alejhi selam) ka thënë: "Koprrac është ai person që u kujtova tek ai dhe nuk ka rënë salavat mbi mua."

Gjithashtu, nga morali i lartë është që ne të ndihmojmë sunetin e tij, rrugën e tij deri në ditën kur ta takojmë Allahun e Lartësuar dhe të luftojmë bidatin. Gjithashtu, ne duhet të vazhdojmë të punojmë me sunetin e Profetit (alejhi selam) dhe të kemi ndërmend porositë e tij në kohën kur ai jepte shpirt, i cili thoshte: "Ju kam lënë juve dy gjëra, në qoftë se ju kapeni fort pas tyre, nuk keni për të humbur. Ju kam lënë Librin e Allahut (Kuranin) dhe Sunetin tim."

Nga morali që i përket muslimanit ndaj Profetit (alejhi selam) është që të kujtojë fjalën e tij kur ka thënë:"Kam pasur dëshirë që unë të shikoja vëllezërit e mi." I thanë sahabët: "O i Dërguari i Allahut, nuk jemi ne vëllezërit e tu?" Profeti (alejhi selam) tha: "Ju jeni shokët e mi, vëllezërit e mi nuk kanë ardhur ende. Sevapi i njërit pre tyre është sa për pesëdhjetë sevape." Thanë: "O i Dërguari i Allahut, prej nesh apo prej jush?" Tha: "Pesëdhjetë prej jush."

Profeti (alejhi selam) i përshkroi ata se janë një grup i vogël prej njerëzve të cilët janë të rrethuar me njerëz të këqij. Gjithashtu ka thënë: "Ata janë që rregullojnë gjërat të cilët njerëzit i kanë shkatërruar." Po ashtu na ka lajmëruar Profeti(alejhi selam): "Ata do të jenë në kohën e fundit (afër Kiametit). Ai i cili e kap fenë është si ai i cili kap prushin."

Gjithashtu, nga morali që duhet të ketë muslimani ndaj Profetit (alejhi selam) është edhe zbatimi i ajetit kuranor: "O ju të cilët keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj kundrejt zërit të Profetit."

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) për këtë ajet ka thënë se kur e dëgjonte këtë ajet qante, nëse ishte i shtrirë ulej, nëse bashkëbisedonte me një person tjetër e linte bisedën, deri sa të mbaronte ai person fjalën e Profetit (alejhi selam).

Kjo ishte në përgjithësi morali dhe edukata që duhet të zbatojë çdo musliman në lidhje me Profetin (alejhi selam).

Përgatiti: Erion Sulo

Burimijetes.com

02.07.2007

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com