All for Joomla All for Webmasters

MORALI I MUSLIMANIT ME DIJETARËT, MËSUESIT DHE BESIMET E TJERA

. Posted in MORALI.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga morali që duhet të ketë besimtari ndaj dijetarëve që janë gjallë dhe atyre që kanë ndërruar jetë është se duhet t’i lutemi Allahut të Lartësuar që t’i falë ata, të mos i vështrojë mëkatet e tyre, t’i ndriçojë varret e tyre deri në Ditën e Kiametit, sepse jeta e tyre ka qenë në shërbim të fesë. T’i lutemi Allahut të Lartësuar që t’i mëshirojë ata dhe në Ditën e Gjykimit t’i ringjallë ata me grupin e profetëve dhe atyre të cilët janë shehidë dhe njerëz të mirë.

Duhet të kemi kujdes që të mos flasim me padituri kundrejt tyre, të mos i shajmë apo t’i vendosim atyre shprehje që ata nuk e meritojnë. Dihet se ai e cili shan një dijetar nuk e lë Allahu pa i dhënë dënim. Le të shikojmë se çfarë ka thënë Profeti (alejhi selam): “Në qoftë se dijetari jep një mendim mbi një çështje e cila është në përputhshmëri me Kuranin dhe Sunetin, ai ka dy sevape: një për atë që arriti t’ia qëllojë dhe një për mendimin që e dha. Në qoftë se dijetari gabon, Allahu i ka dhënë një sevap për mendimin.”

Kujdes, nuk duhet të kritikojmë nëse dijetari apo i pari i muslimanëve gabon e fjala e tij nuk përputhet me Kuranin dhe Sunetin, por nuk është obligim për ne që të marrim fjalën e tij.

Imam Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ne japim një mendim sot dhe e lëmë nesër. Nëse fjala ime është e saktë, ajo është rruga ime që duhet të ndjek. Nëse unë nga padituria kam kundërshtuar fjalën e Profetit (alejhi selam), atëherë merreni fjalën time dhe përplaseni.”

Gjithashtu, imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Secili merr fjalën e tij, por ajo mund të refuzohet, përveç fjalës së tij.” (dhe bëri me shenjë tek varri i Profetit (alejhi selam).

Nga morali i myslimanit me profesorin dhe mësuesin e tij është që të marrë prej tij fjalën e tij që buron nga Kurani dhe Suneti. Është gabim që të provokosh profesorin apo mësuesin me pyetje duke e bërë atë të pafuqishëm për t’u përgjigjur. Nëse dikush dëshiron të pyesë, le të pyesë me sinqeritet, duke i qëndruar larg provokimit dhe vënies në siklet, si dhe duke mos pyetur për të provuar diturinë e tij.

Nga sjellja dhe morali që duhet të ketë besimtari kundrejt besimeve dhe riteve të tjera, është që të zbatojmë atë që na ka thënë Allahu i Lartësuar në Kuran: “Nuk ka dhunë në fe.” Nuk ka obligim asnjëri nga ne që të kapë njerëzit dhe t’i fusë me forcë në Islam. Detyra jonë është që t’i ftojmë ata në Islam në formën dhe mënyrën më të mirë.

Për sa i përket jobesimtarëve, për sa kohë që nuk jemi në luftë me ta, nuk lejohet që t’i bëjmë dëm e padrejtësi atyre. Argumenti për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Nuk ju ka ndaluar Zoti për ata të cilët nuk ju kanë luftuar në fe dhe nuk ju nxjerrin prej shtëpive, t’i respektoni ata, jeni të drejtë me ta, se Allahu i do të drejtët.”

Ky është morali që ka pasur Profeti (alejhi selam) kundrejt tyre. Imam Buhariu në librin e tij të saktë, në kapitullin “Mendimi dhe gjykimi për atë që është idhujtar” argumentohet me hadithin e Profetit (alejhi selam) nga Andullah ibn Umer, i cili ka pasur një komshi hebre dhe e vizitonte atë.

E lusim Allahun e Lartësuar të ndjekim gjithmonë shembullin e njeriut më të zgjedhur, Muhamedit (alejhi selam) në çdo aspekt të jetës.

Përgatiti: Erion Sulo

Burimijetes.com

04.08.2007

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com