All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE - AJETET 11–12

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

11. E kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë! “Ata thonë: “ Ne jemi  vetëm përmirësues (rregullues)!”

12. Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë.

 

Shpjegimi  i ajeteve

Ue idha kile lehum  la tufsidu fil erdi   -وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ لاَ تُفْسِدُواْ فِي الأَرْضِ         

E kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë!“

 

Këta hipokritë këshillohen që të ndalen nga shkatërrimi që po bëjnë  në tokë. Ky shkatërrim, shfaqet në shumë forma. Në formën e kufrit (mohimit të Zotit dhe të drejtave të Tij), në formën e të punuarit sipas asaj ku i fton mosbesimi dhe mosbindja e tyre. Në formën e shpërfilljes së urdhrave dhe veprimit të poshtërsive. Në formën e nxjerrjes së sekreteve të muslimanëve, për t’ua shfaqur ato qafirave. Në formën e miqësisë  së tyre me mohuesit, etj. Por kur ata këshillohen për t'u frenuar nga shkatërrimi që bëjnë në tokë,  thonë:

 

kalu  in-nema nahnu muslihun  -    قَالُواْ إِنَّمَا نَحْنُ مُصْلِحُونَ

Ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (rregullues)”

 

Këta bashkuan mes dy të zezave:

1. Ata përhapin shkatërrimin  në tokë;

2. dhe këtë shkatërrim e paraqesin si rregullim dhe përmirësim të rendit në tokë, duke e pershtjelluar  dhe e keqtreguar  të vërtetën.

Pra, ata veprojnë  duke shkatërruar dhe besojne se kjo është rruga  e drejtë, e saktë dhe e vërtetë. Ky, pa dyshim, është krim shumë më i madh se krimi i atij që bën poshtërsi, por e di dhe e beson në vetvete se kjo është poshtërsi . Ky i fundit është me afër udhëzimit dhe shpresës për t'u kthyer nga rruga e gabuar, se sa të parët. 

Munafikët thanë:

In-nema nahnu muslihun - Nuk ka tjetër rregullues ( në tokë) veç nesh.

Ata pretendojnë se të qenurit rregullues (të rendit në tokë) është cilësi e posaçme vetëm për ta. Me këtë, ata nënkuptojnë se besimtarët nuk janë kurrësesi rregullues në tokë. Por, Allahu i madhëruar ua hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë:

 

E la in-nehum  humul mufsidune -  أَلا إِنَّهُمْ هُمُ الْمُفْسِدُونَ

ue lakil-la jesh'urun -  وَلَـكِن لاَّ يَشْعُرُونَ

 

në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit,

por nuk e ndiejnë

   

S’ka dyshim se nuk ka shkatërim më të madh se shkatërimi që përhap e presupozon, mohimi i Zotit dhe i argumenteve të Tij. A ka shkatërrues më të madh se ai që pengon njerëzit nga rruga e Allahut dhe që përpiqet të mashtrojë Allahun dhe të dashurit e të zgjedhurit  e Allahut?!  Shkatërues janë të gjithë ata që miqësohen me këdo që i ka shpallur luftë Allahut dhe Profetit të Tij, dhe, si pa të keq, pretendojnë paturpësisht se ky quhet rregullim (i tokës). A ka shkatërrim më të madh se ky?!! Por, ata nuk mund ta ndiejnë dhe ta kuptojnë këtë fakt, sepse nuk kanë dijen e nevojshme që do tu mundësonte  ta kuptonin këtë. Dija (rreth besimit dhe fesë) që ata kanë, u vlen thjesht dhe vetëm për një gjë: që të mos kenë asnjë justifikim para Allahut Ditën e Gjykimit. Atyre u është ofruar informacion i mjaftueshëm, për të hedhur poshtë, çdo argumentim dhe justifikim të tyre para Allahut.

Veprimi e praktikimi i poshtërsive është  konsideruar si shkatërrim në tokë sepse është ai që e shkakton shkatërimin e gjithë të mirave  në tokë: bimësisë, farërave, frutave, pemëve etj. Shkak i çdo shkatërimi janë poshtërsitë (dhe kalimi i kufijve të Zotit).

Ndërsa rregullimi i tokës nënkupton që ajo të mbushet me mirësi dhe të lulëzojë  si pasojë e bindjes ndaj Allahut  dhe e besimit tek Ai. Sepse Allahu i madhëruar nuk i krijoi krijesat veçse për këtë qëllim dhe pikërisht për këtë arsye i vendosi në tokë. Ai i krijoi ata dhe u dhuroi furnizim dhe të mira të shumta, me qëllim që t’i ndihmojë ata në bindjen dhe adhurimin e Tij (ky është ekuilibri i Krijuesit). Por, nëse krijesat punojnë të kundërtën, kjo padyshim nënkupton shkatërrim (dalje nga ekuilibri). Kjo konsiderohet si nxjerrje e tokës  nga natyra e saj, për të cilën është krijuar.

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

03.10.2009

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com