All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETI 13

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

Dhe kur atyre u thuhet: "Besoni sikurse besuan njerëzit!" Ata thonë: “A të besojmë edhe ne ashtu sikurse besuan mendjelehtët?” Në të vërtetë, mendjelehtët janë pikërisht ata, por nuk e dinë.

Shpjegimi  i ajetit

Ue idha kile lehum aminu kema amenen-nasu  -   وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ آمِنُواْ كَمَا آمَنَ النَّاسُ

Dhe kur atyre u thuhet: "Besoni sikurse besuan njerëzit!"

Kur munafikëve u thuhet:  "Besoni edhe ju, me zemër dhe me gojë, sikurse besuan njerëzit, pra sikurse besuan sahabët, pasuesit e Profetit", ata përgjigjen me pretendime të kota duke thënë:

kalu e nu’minu kema amenes-sufeha -   قَالُواْ أَنُؤْمِنُ كَمَا آمَنَ السُّفَهَاء

Ata thonë: “A të besojmë edhe ne ashtu  sikurse besuan mendjelehtët?”

A të besojmë edhe ne sikurse besuan mendjelehtët? Tëposhtrit! Me fjalën mëndjelehtë kanë për qëllim shokët e Profetit alejhi selam (pasuesit e tij). Hipokritët mendojnë se imani i sahabëve është pasojë e mendjelehtësisë së tyre. Mendojnë se është pikërisht kjo mendjelehtësi që i detyroi ata t’i hyjnë luftës së ashpër me jobesimtarët dhe madje të braktisin edhe atdheun, (e pasuritë) e tyre. Të menduarit sipërfaqësor, i këtyre fatkeqëve hipokritë, i urdhëron ata për të kundërtën e asaj që vepruan pasuesit e Profetit alejhi selam. Kur ata pretendojnë mendjelehtësinë e sahabëve, me këtë, nënkuptojnë se ata (munafikët) janë analistë të zgjuar, mendimtarë të mëdhenj dhe të matur.

Por, përsëri Allahu i madhëruar ua hedh poshtë pretendimin e tyre dhe na njofton se mendjelehtët  janë pikërisht dhe vetëm ata.

Ela in-nehum humus-sufehau - أَلا إِنَّهُمْ هُمُ السُّفَهَاء

Ue lakil-la jea’lemun -وَلَـكِن لاَّ يَعْلَمُونَ      

Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët,

por nuk e dinë.

Nuk ka dyshim se pikërisht dhe vetëm ata janë mendjelehtët. Në të vërtetë, mendjelehtët janë ata, sepse esenca apo thelbi i mendjelehtësisë është: injoranca  e  njeriut rreth gjithçkaje që është në dobi të tij dhe të punuarit e gjithçkaje që e dëmton atë. Këto cilësi u shkojnë përshtat pikërisht atyre dhe janë në përputhje të plotë me gjendjen dhe punët e tyre (munafikëve). Ndërsa maturia dhe zgjuarsia e njeriut duket në njohjen e dobive dhe të mirave vetjake. Duket gjithashtu, në të punuarit pa u lodhur për të fituar dhe përvetsuar çdo gjë të dobishme për veten dhe për t’u larguar dhe shpëtuar nga çdo e keqe dhe dëm që asaj i kanoset. Këto cilësi u shkojnë për shtat dhe janë në përputhje të plotë  me gjendjen e sahabëve dhe të gjithë besimtarëve, si dhe me veprat e tyre. Duhet kuptuar që pretendimet nuk merren në konsideratë, thjesht, për hir të fjalëve boshe dhe të menduarit sipërfaqësor. Ato merren në konsideratë vetëm nëse janë të bazuara në argumentim të fortë dhe analizë të hollë.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

20.10.2009

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com