All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE - AJETI 16

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

Më pas, Allahu i madhëruar, shfaq esencën, thelbin e gjendjes së tyre të vërtetë duke thënë:

“Ata e blenë humbjen duke dhënë si çmim udhëzimin, por tregtia e tyre nuk pati fitim dhe kurrë nuk qenë të drejtudhëzuar.”

 

Shpjegimi  i ajetit

 

Ulaikel-ledhine shteraud-dalalete bil huda -  أُوْلَـئِكَ الَّذِينَ اشْتَرُوُاْ الضَّلاَلَةَ بِالْهُدَى

Ata e blenë humbjen duke dhënë si çmim udhëzimin.

 

(UlaikeAta. Këtu  ka për qëllim  munafiket, të cilët i kanë cilësitë e përmendura.

(El-ledhine shteraud-dalalete bil huda) Të cilët e blenë humbjen duke dhënë si çmim udhëzimin. Pra, këta i dhanë përparësi dhe parapëlqyen humbjen, sikurse vepron dikush që dëshiron dhe i pëlqen të bleje një mall, dhe që, zakonisht, shpenzon çmimet më të shkëlqyera e më të  larta për hir të blerjes së ketij malli që e do aq shumë. Ky me të vërtetë është nga me të bukurit shembuj që jep Allahu i madhëruar, për të pasqyruar gjendjen e këtyre munafikëve. Këta munafikë e konsideruan rrugën e humbjes  si një mall të shtrenjtë dhe të vyer që duhet blerë, ndërsa në të vërtetë ajo simbolizon kufirin më të largët dhe rrugët më të frikshme të së keqes.

Ndërsa udhëzimin në rrugën e drejtë, që është maksimumi i suksesit dhe i mirësisë që mund të përjetojë një njëri, ata, (paturpësisht), e konsideruan si nje çmim që mund të  paguhet  për të  arritur diçka "më të rëndësishme".

Me fjalë të tjera, ata pranuan që, me shpërfillje, të shpenzojnë udhëzimin, për të blerë humbjen, në shenjë parapëlqimi dhe vlerësimi për të (për humbjen).

Kjo pra, është tregëtia e tyre e poshtër,  dhe ky është "fitimi" i tyre fatkeq.

 

Fe ma rabihat-tixharatuhum -  فَمَا رَبِحَت تِّجَارَتُهُمْ

Por tregëtia e tyre nuk pati fitim.

 

Nëse ne do ta konsideronim të humbur dikë që shpenzon një dinar për të blerë një dirhem, çfarë do të thoshim për atë që, për një dirhem, jep si çmim një gur të çmuar (diamant)?! Por, për atë që për hir të humbjes, shpenzon dhe flak tutje udhëzimin e Allahut, duke deklaruar në këtë mënyrë se ai preferon trishtimin kundrejt lumturisë, çfarë do të mendonim?! Këta njerëz parapëlqejnë punët e ulta e të poshtra kundrejt madhështisë dhe lartësive të udhëzimit dhe të bindjes (ndaj Allahut dhe Profetit alejhi selam). Tregtia e tyre  jo vetëm që nuk mund të konsiderohet fitimprurëse, por edhe humbja e tyre është  tmerrësisht e pa imagjinueshme. Thotë i Adhuruari:  ”Pikërisht këta janë,  ata të cilët humbën vetveten dhe familjet e tyre në Ditën e Gjykimit. Kjo është ajo humbja e qartë."

 

Ue ma kanu muhtedin -   وَمَا كَانُواْ مُهْتَدِينَ

Dhe kurrë nuk qenë të drejtudhëzuar.

 

Kjo fjali është një përforcim i të qenurit të tyre në humbje të sigurt. Kjo e përforcon edhe njëherë faktin se ata (munafikët) kurrë ndonjëherë nuk kanë qenë të udhëzuar. Këto janë cilësitë e tyre të shëmtuara.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

10.01.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com