All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 17 - 20

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

Allahu i madhëruar na paraqet një  tjetër pasqyrim të gjendjes së tyre, duke e qartësuar këtë shumë kthjellët me një shëmbëllim. Ai thotë:

17. Ata i përngjajnë dikujt që kërkon t'i ndizet një zjarr. Por, porsa ai, (zjarri), e ndriçon vendin përreth tij,Allahu ua shuan dritën e tyre dhe i lë mes errësirash ku nuk shohin.

18. (Ata janë)Të shurdhër, memecë dhe të verbër, dhe kurrë nuk kthehen (nga rruga e keqe).

19. Ata gjithashtu, i përngjajnë dikujt, mes një shiu të rrëmbyer prej së larti, plot errësirë, me bubullimë e vetëtimë. Ata i vendosin gishtat në veshët e tyre, prej frikës së vdekjes, nga rrufeja. (E si mund të shpëtojnë këta kur) Allahu është rrethues i mosbesimtarëve (me dijen dhe pushtetin e Tij absolut mbi gjithçka).

20. Vetëtima, gati ua rrëmben shikimin. Sa herë që ajo u bën dritë, ata ecin në të, ndërsa kur errësohet, qëndrojnë të shtangur. E nëse do të donte, Allahu do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin e tyre. Allahu, pa dyshim, për çdo gjë, është i plotfuqishëm.

Shpjegimi  i ajeteve

Metheluhum kemethelil-ledhi-steukade nara -  مَثَلُهُمْ كَمَثَلِ الَّذِي اسْتَوْقَدَ نَاراً

Ata i përngjajnë dikujt që kërkon t'i  ndizet një zjarr.

Pra, shembulli më i përshtatshëm që mund të jepet në përputhje të plotë me gjendjen e tyre, i shëmbëllen dikujt i cili kërkon prej të tjerëve që t'i ndezin një zjarr. Përfytyro një njeri që ka një nevojë  të madhe  për të ndezur një zjarr në errësirën e thellë në të cilën ndodhet dhe këtë zjarr e kërkon nga dikush tjetër. E kërkon nga dikush tjetër, sepse ai nuk ka lëndë për ta ndezur. Krijimi i këtij zjarri që ndriçon, është  jashtë natyrës, zakonit dhe mundësive të tij.

 

Fe lem-ma edaet ma haulehu -   فَلَمَّا أَضَاءتْ مَا حَوْلَهُ

Por, porsa ai, (zjarri), e ndriçon vendin përreth tij,

Për një moment ai ndriçohet prej këtij zjarri i cili ndriçon gjithçka përreth tij. Atij i jepet mundësia të vështrojë qartë vendin ku ndodhet. Ky zjarr i ofron atij një lloj qetësie prej çdo frike dhe ankthi që e rrethon. Ai gjen një lloj prehje duke përfituar prej këtij zjarri. Por pikërisht në atë moment, kur ai mendon se këtë zjarr e ka bërë pronë të tijën nga e cila mund të përfitojë si të dojë,

 

dhehebell-llahu bi nurihim -   ذَهَبَ اللّهُ بِنُورِهِمْ

ue terakehum fi dhulumatil-la jubsirun -  وَتَرَكَهُمْ فِي ظُلُمَاتٍ لاَّ يُبْصِرُونَ

Allahu ua shuan dritën e tyre,

dhe i lë mes errësirash ku nuk shohin.

Allahu i madhëruar e largon ndriçimin që jep ky zjarr, e bashkë me ndriçimin, edhe lumturinë dhe gëzimin e shkurtër që përjetoi. Ai mbetet i vetmuar në errësirën e madhe (të nifakut dhe) të zjarrit që djeg. Prej këtij zjarri u largua ndriçimi dhe mbeti nxehtësia dhe aftësia djegëse. Ai përhumbet e kotet mes errësirave të pafund. Mbi të, ngrihet e frikshme errësira e natës, errësira që krijojnë retë, errësira që krijon shiu dhe errësira dëshpëruese që provokoi largimi befas i atij momenti të shkurtër drite.

A mund të përfytyrosh gjendjen  e këtij të mjeri?!!

Kjo është shëmbëlltyra e munafikëve. Ata kërkuan prej muslimanëve zjarrin ndriçues të imanit. Këtë zjarr e kërkuan prej besimtarëve, sepse besimi, nuk ishte cilësia e tyre. Megjithatë ata përfituan diçka nga ky zjarr, ndonëse i ndezur nga tjetërkush.

Me anë të këtij zjarri, ata ruajtën paprekshmërinë e jetës e pasurisë së tyre mes besimtarëve. Ky zjarr u dha një farë qetësie e prehjeje në jetën e dynjasë. Por, pikërisht, kur ata po shijonin frytet dhe të mirat e këtij mundi të tjetërkujt, ata befasohen frikshëm nga vdekja që u vërsulet dhe ua ndërpret atë lloj përfitimi të vagët prej dritës se besimtarëve. Pas këtij takimi me vdekjen, ata i kaplon tërësisht çdo lloj ankthi, trishtimi dhe ndëshkimi i dhimbshëm. Ata zhyten përjetësisht, për të përjetuar shijen e frikshme dhe të hidhur, fillimisht të errësirës së varrit, të kufrit, të nifakut, të poshtërsive të të gjitha dimensioneve, dhe pastaj, për të përfunduar pafundësisht në errësirën e zjarrit të xhehenemit që do të jetë "vendprehja" e tyre.

Vërejini me kujdes se si i përshkruan e i cilëson ata Allahu i lartësuar kur thotë se ata janë:

 

Sum-mun bukmun umjun -  صُمٌّ بُكْمٌ عُمْيٌ

Fe hum la jerxhiun -   فَهُمْ لاَ يَرْجِعُونَ

(Ata janë)Të shurdhër, memecë dhe të verbër,

dhe kurrë nuk kthehen (nga rruga e keqe).

Sum-mun  صم  (të shurdhët).Ata janë të shurdhët kundrejt dëgjimit të çdo mirësie.

Bukmun  بكم(memece). Memecë që kurrë nuk mund të flasin e të thonë mirësi e mbarësi.

Umjun  عمي( të verbër). Ata janë të verbër e të pa aftë për të vështruar të vërtetën e qartë.

Fe hum la jerxhiunفهم لا يرجعون(Prandaj ata nuk kthehen). Ata nuk e ndërrojnë rrugën e tyre,  për shkak se ata e braktisën të vërtetën (dritën) pasi e njohën atë, (dhe e panë mirësinë dhe prehjen që ajo të dhuron). Ata, kurrë, nuk kanë për të kthyer rrugë. Ndryshe ndodh me dikë që është në humbje për shkak se nuk e njeh të vërtetën. Ky është më pranë udhëzimit dhe shpresat e tij për t’u kthyer janë të shumta.

Allahu i madhëruar jep edhe një shembull tjetër, për të qartësuar gjendjen  e mynafikëve dhe thotë:

 

Eu ke saj-jibim-mines-semai -  أَوْ كَصَيِّبٍ مِّنَ السَّمَاء

Ata (gjithashtu), i përngjajnë dikujt, mes një shiu të rrëmbyer prej së larti,

Pra shembulli i tyre mund të krahasohet, përfytyrohet duke sjellë ndërmend dhe një skenë tjetër. Një njeri mes një shiu të dendur e të rrëmbyer që bie nga qielli.

 

Fihi dhulumatu-ue ra'du-ue berk -   فِيهِ ظُلُمَاتٌ وَرَعْدٌ وَبَرْقٌ

plot errësirë, me bubullimë e vetëtimë.

Fihi dhulumatun  فيه ظلمات  (Në të cilin ka errësira). Ai është i mbuluar nga errësira  të shumta njëra mbi tjetrën. Ai përjeton errësirën e natës, errësirën e reve, dhe errësirën e shiut.

Ue radunو رعد(dhe bubullima). Pra ai dëgjon edhe zërin e frikshëm të bubullimës që buron nga retë (e errëta e të zeza).

Ue berk  و برق  dhe vetëtima. Ky njeri sheh herë pas here dritën që shkreptin nga mesi i errësirave të reve.

Në të tilla situata:

 

Jexhalune esabiahum fi adhanihim -    يَجْعَلُونَ أَصْابِعَهُمْ فِي آذَانِهِم

Mines-sauaiki hadheral meut -   مِّنَ الصَّوَاعِقِ حَذَرَ الْمَوْتِ

Ata i vendosin gishtat në veshët e tyre,

prej frikës së vdekjes, nga rrufeja.

Ky është një përshkrim tjetër i gjendjes së munafikëve. Ata kur dëgjojnë Kuranin, urdhrat dhe ndalesat e tij, premtimet dhe kërcënimet e përmendura në të, vendosin gishtat në veshët e tyre për të mos lejuar dëgjimin (e kuptimin e asaj që thuhet). Ata i tmerron kërcënimi i tij dhe i shqetëson dhe i turbullon çdo premtim që gjendet në Kuran. Kjo i bën që ata t’i kthejnë shpinën lajmeve dhe ta urrejnë shumë këtë gjendje. E tillë është edhe gjendja e njeriut në mes të atij shiu të rrëmbyer që furishëm zbret nga qielli. Ai zë veshët me gishta nga frika e vdekjes. Por, nëse ky, mund të shpresohet se ka ndonjë mundësi shpëtimi, munafikët, as mund të mendohet se do të  shpëtojnë nga ajo që u kërcënohet. Sepse,

 

Uell-llahu muhitun bil kafirin -   واللّهُ مُحِيطٌ بِالْكافِرِينَ  

(E si mund të shpëtojnë këta kur)Allahu është rrethues i mosbesimtarëve (me dijen dhe pushtetin e Tij absolut mbi gjithçka)

E si mund t’i shpëtojnë ata Allahut të madhëruar e të Plotfuqishëm i Cili është Gjithëpërfshirës dhe i pashmangshëm kundër tyre në aspektin e dijes dhe pushtetit që ka mbi ta. Ata nuk mund t’i fshihen dijes dhe shikimit të Tij, ashtu sikurse nuk  mund t’i shpëtojnë forcës dhe pushtetit të Tij absolut mbi gjithçka. Ai ua llogarit dhe ua regjistron të gjitha punët e tyre. Ai ka për t’ua dhënë të plotë shpërblimin e tyre.

Duke qenë se ata e merituan të qenët shurdhë, memecë dhe të verbër ndaj udhëzimit nga ana kuptimore dhe e merituan plotësisht që dyert e besimit t'u mbyllen para syve. Allahu i madhëruar i kërcënon duke i njoftuar me një tjetër fakt të tmerrshëm kur thotë:

 

Jekadul berku jehtafu ebsarahum -  يَكَادُ الْبَرْقُ يَخْطَفُ أَبْصَارَهُمْ

Vetëtima gati ua rrëmben shikimin

 

Kul-lema edae lehum-mesheu fihi -   كُلَّمَا أَضَاء لَهُم مَّشَوْاْ فِيهِ

sa herë që ajo u bën dritë, ata ecin në të,

 

Ue idha edhleme alejhim kamu -   وَإِذَا أَظْلَمَ عَلَيْهِمْ قَامُواْ

e kur u errësohet, qëndrojnë të shtangur.

   

Ue leu shaell-llahu  -   وَلَوْ شَاء اللّهُ

Nëse do të donte, Allahu,

 

le dhehebe bi sem'ihim ue ebsarihim -  لَذَهَبَ بِسَمْعِهِمْ وَأَبْصَارِهِمْ

do t’ua rrëmbente dëgjimin dhe shikimin e tyre.

Sikur të dëshironte, Allahu i madhëruar do t’ua hiqte edhe dëgjimin dhe shikimin fizik. Pra ky është një qortim dhe kërcënim  për një ndëshkim që mund të zbresë  që në këtë jetë para vdekjes. Pra, le të jenë më të kujdesshëm dhe më të përmbajtur në dimensionet e nifakut (hipokrizisë) dhe të së keqes që ata shfaqin.

 

in-nell-llahe ala kul-li shejin kadir -   إِنَّ اللَّه عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

Allahu, për çdo gjë, është i plotfuqishëm.

Të jeni të sigurt se Allahu është Plotfuqishëm për gjithçka. Atij nuk i shpëton dot asgjë. Pushteti i Tij absolut i jep të drejtën dhe mundësinë që, nëse dëshiron diçka, e kryen dhe askush nuk e kundërshton dhe nuk e ndalon dot Atë. Në këtë ajet dhe të tjerë të ngjashëm me të, gjejmë  një argument shumë të fuqishëm, kundër një grupi të humbur e të  devijuar të quajtur "kaderije",  të cilët pretendojnë  se veprat e robit janë jashtë pushtetit të Allahut të lartësuar (pra nuk janë kurrsesi të nënshtruara dhe nën ndikimin e pushtetit të Tij). Ky ajet tregon qartë se edhe veprat e tyre  futen dhe i nënshtrohen gamës së gjerë  të fjalës së Allahut: in-nell-llahe ala kul-li shejin kadir   ان  الله  على كل شيء قدير  Allahu për çdo gjë është i Plotfuqishëm.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

21.02.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com