All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 23 – 24

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

Allahu i madhëruar thotë:

23. Nëse jeni në dyshim rreth asaj që Ne ia shpallëm robit tonë (rreth Kuranit), atëherë paraqitni ju një kapitull të ngjashëm, si ai (Kurani), madje i ftoni (për ndihmë) të gjithë Zotat që ju adhuronipërveç Allahut. (Bëjeni këtë), nëse vërtet jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kurani nuk është shpallje e Zotit).

24. E në mos e paçi bërë (deri tani)e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit,(kini frikë zjarrin)lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët! Ai është përgatitur për mosbesimtarët.

Shpjegimi  i ajeteve

 

Ue in kuntum fi rajbim -   وَإِن كُنتُمْ فِي رَيْبٍ

mim-ma nez-zelna ala abdina   -    مِّمَّا نَزَّلْنَا عَلَى عَبْدِنَا

E në qoftë se jeni në dyshim

rreth asaj që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë,

 

Allahu i madhëruar u drejtohet botës së atyre rebelëve, inatçinjve që janë rebeluar kundër profetëve. U drejtohet atyre që refuzuan ftesën e Profetit të fundit duke pretenduar se ai ishte  mashtrues dhe trillues, duke u thënë: "Nëse ju o rebelë, kundërshtarë dhe refuzues të Profetit, jeni në mëdyshje dhe të lëkundur në lidhje me atë çka Ne i shpallëm adhuruesit tonë (Muhamedit alejhi selam); nëse nuk jeni të qartësuar a është ajo rruga e vërtete apo ndonjë rrugë tjetër, atëherë ejani t`i japim zgjidhje kësaj çështjeje, njëherë e mirë. Le ta zgjidhim këtë enigmë në mënyrë të qartë dhe të drejtë.

Ky është Muhamedi. Ai është si ju, një njeri i thjeshtë. Nuk njihet si më oratori, dhe më i mençuri mes jush. Ju e njihni shumë mirë atë, sepse ai u rrit dhe u edukua mes jush. Ju jeni të sigurt që nuk di as shkrim, as këndim (lexim). Ky njeri pretendon që libri të cilin po jua paraqet,  vjen dhe i shpallet prej Allahut. Ndërsa ju e refuzoni një fakt të tillë dhe pretendoni se ai shpif dhe trillon kur pretendon një gjë të tillë,

 

fe' tu bi suratim-mim-mithlihi -  فَأْتُواْ بِسورة مِّن مِّثْلِهِ

ued'u shuhedaekum-min dunil-lahi -   وَادْعُواْ شُهَدَاءكُم مِّن دُونِ اللّهِ

in kuntum sadikin -  إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينَ

atëherë silleni ju një kapitull të ngjashëm, si ai (Kurani

dhe i ftoni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotat) përveç Allahut,

nëse vërtet jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kurani nuk është prej Zotit).

 

Nëse me të vërtetë jeni të sigurt në atë që thoni, sillni pra ju një kapitull që t`i afrohet shëmbëlltyrës (hijes) së këtij libri (madhështor e të çuditshëm). Madje për këtë projekt thirrni në ndihmë kë të doni e kë të mundni prej specialistëve të kësaj lëmie. Aq më tepër që ju njiheni si elita e elokuencës dhe krijimtarisë letrare (botërore). Aq më tepër që jeni ndezur zjarr nga urrejtja dhe armiqësia për këtë Profet. Nëse mund të krijoni një kapitull të vetëm (që t`i afrohet kësaj madhështie) atëherë pretendimi juaj qëndron (dhe është i justifikueshëm).

 

fe il-lem tefalu ue len tefalu -  فَإِن لَّمْ تَفْعَلُواْ وَلَن تَفْعَلُواْ

E mos e paçi bërë (deri tani ) e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen)

 

Por, nëse ju dështoni, me plot kuptimin e fjalës dështim dhe kurrë s'keni për t`ia arritur një diçkaje të tillë, por kjo është thjesht një supozim, atëherë kjo ka për të qenë një shenjë e madhe dhe një argument i qartë, i kthjellët që tregon  vërtetësinë e pretendimit të tij, që është profet i Zotit të botëve. Kjo do të vërtetonte edhe saktësinë e asaj  që atij i shpallet nga Zoti. Nëse profecia e tij vërtetohet, bëhet i domosdoshëm detyrimi për ta besuar atë dhe për të pasuar programin e jetës që atij po i shpallet. Nëse ju nuk e bëni realitet projektin tuaj  dhe kurrë s`ka për t`u bërë realitet, atëherë Allahu i madhëruar ju kujton zjarrin nga i cili duhet të tmerroheni dhe nga makthi brenda të cilit duhet të ruheni. Thotë i Madhëruari:

 

fet-tekun-naral-leti  -   فَاتَّقُواْ النَّارَ الَّتِي

uekuduhen-nasu uel hixharah  -    وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ

atëherë ruajuni zjarrit,

lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët

 

Kini frikë zjarrin, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Ky zjarr nuk mund të ketë shembull në këtë jetë (që të mund ta përfytyrosh).

 

uid-det lil kafirin -  أُعِدَّتْ لِلْكَافِرِينَ      

që është përgatitur për mosbesimtarët

 

Është përgatitur për  mohuesit (e së vërtetës). Për ata që mohuan Allahun, mohuan dhe refuzuan profetët (u rebeluan kundër tyre). Atëherë duhet të jeni shumë të kujdesshëm që, në momentin kur ju keni fituar siguri të plotë se Muhamedi është Profeti i Allahut, (paturpësisht) ta mohoni atë.

Ky ajet dhe të tjerë të të njëjtit kuptim si ai, quhen ndryshe edhe si "ajetet  e sfidës". Me këto ajete sfidohen të gjitha krijesat, të cilat gjithmonë do të shfaqin paaftësinë e tyre për t`i bërë ballë sfidës. Ata kurrë nuk do të mund t`i përgjigjen sfidës së Profetit të fundit, duke krijuar ndonjë vepër tjetër si Kurani apo të ngjashëm e të përafërt me të. Thotë i Madhëruari në suren Isra, 88: "Thuaj (o Muhamed) sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhindet bashkë, për të sjellë ( në ekzistencë)  një vepër që mund t`i shëmbëllejë Kuranit, kurrë nuk mund t`ia arrijnë të sjellin as shëmbëlltyrën e tij edhe nëse do të ndihmonin dhe të bashkëpunonin të gjithë së bashku.”

A ka logjikë që të pranojë se fjala e një krijese prej dheu t`i përngjasojë fjalës së Sunduesit dhe Mbretëruesit absolut?

E thënë ndryshe: Ku mund ta gjejë pushtetin, forcën dhe mundësinë, i varfri e i nevojshmi nga çdo këndvështrim, që të sjellë në jetë një fjalë që të jetë si fjala e të Përkryerit, të Cilit i takon përsosmëria  absolute?! Ai (Kurani) është fjala e Madhështorit  dhe të Përkryerit në çdo aspekt. Ky projekt është jashtë logjikës  dhe jashtë mundësisë njerëzore.

Çdokush që njeh sadopak shkencën e fjalës, njohuritë e krijimtarisë letrare, nëse krahason madhështinë e këtij Kurani , kundrejt fjalës të çdo artisti, do të zbulojë çudira.

Me fjalën e Allahut të lartësuar:

Ue in kuntum fi rajbin mim-ma nez-zelna ala abdina

E në qoftë se jeni në dyshim rreth asaj që Ne ia shpallëm robit tonë,...deri në fund, kuptojmë se njeriu që mund të shpresohet  se do të pasojë udhëzimin dhe se do të largohet nga rrugët e humbjes, është vetëm ai që ka vetëm një lloj dyshimi, mëdyshje a paqartësi që e pengon. Këtij njeriu të çoroditur, të paqartë dhe të paaftë që të dallojë të vërtetën  nga e gabuara dhe e kota,  nëse i sqarohet e vërteta  me argumente bindëse dhe, veç kësaj, ai është i sinqertë dhe objektiv në zbulimin e së vërtetës, ka shumë shpresa që ai të udhëzohet dhe të gjejë rrugën e drejtë.

Ndërsa kokëfortët kryeneçë që e njohin të vërtetën dhe e braktisin atë, nuk mund të kthehen nga rruga e humbjes. Këta e braktisën dhe e shpërfillën të vërtetën  pasi e njohën mirë atë dhe pasi u siguruan plotësisht rreth saj. Këta janë të vetëdijshëm në veprat që kryejnë dhe në vendimet që marrin dhe nuk ka ndonjë mundësi që të kthehen dhe të shpëtojnë nga humbja ku janë zhytur.

Të njëjtën gjë themi edhe për atë që ka dyshime rreth së vërtetës dhe është i luhatur, i cili, përveç kësaj, për fat të keq, nuk ishte i sinqertë dhe objektiv në mundin që duhet të jepte për t'u qartësuar rreth së vërtetës dhe për ta ndjekur atë. Edhe ky lloj njeriu, zor se ka sukses në gjetjen e rrugës së drejtë dhe në pasimin e saj.

Përshkrimi i Profetit alejhi selam nga Allahu i madhëruar me cilësinë e adhuruesit kur thotë: (ala abdina )(adhuruesit tonë) na jep një mesazh shumë të rëndësishëm.  Përmendja e kësaj cilësie, ( adhurues ), pikërisht në këtë moment madhështor  të sfidës, tregon se kjo cilësi është cilësia më e vyer  dhe më madhështore që mundi të arrijë Profeti alejhi selam (dhe çdokush tjetër veç tij).

Profeti alejhi selam arriti atë gradë të lartë të cilën nuk e pati arritur askush nga të parët  dhe as nga të fundit, pikërisht me adhurimet që ia përkushtoi Allahut  të lavdëruar. Me të njëjtën cilësi e ka përshkruar Allahu i madhëruar  Profetin alejhi selam edhe në momentin e kryerjes së Israsë (dhe Miraxhit) (ky është nga më madhështorët momente nëpër të cilat kaloi Profeti alejhi selam).

Thotë Allahu i madhëruar në Isra, 1: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që adhuruesin e Vet (Muhamedin alejhi selam) e kaloi (zhvendosi) në një pjesë të natës, prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) drejt Mesxhidi Aksa-së (xhamisë në Palestinë), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar. (Këtë udhëtim ia bëmë) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është Dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), Vështruesi (i punëve të Muhamedit).                                                                                                                  

Po kështu e ka cilësuar edhe në momentet e zbritjes së shpalljes.

Thotë i madhëruari në Furkan,  1:"Është i madhëruar Ai, që ia shpalli Furkanin (Kuranin, si dallues të së vërtetës nga e pavërteta) adhuruesit të vet, (Muhamedit), që të bëhet Profeti i botës (këshillues),

Me fjalën e Allahut të madhëruar rreth xhehenemit:“Uid-det lil kafirin” - që është përgatitur për mosbesimtarët, pra është përgatitur (si vendqëndrim i përjetshëm) për qafirët (mohuesit), si dhe në ajete të ngjashme me të, ka argument rreth disa çështjesh të ndryshme:

1. Ky ajet është argument në mbështetje të mendimit të pasuesve të sunetit dhe xhematit, të cilët besojnë se xheneti dhe zjarri janë të krijuara (ekzistojnë tani), ndryshe nga ç`mendojnë mu'tezilet (kjo kuptohet nga fjala (Uid-det)  u përgatit ( pra u krijua).

2. Ky ajet, argumenton edhe faktin  që muslimanët që e besuan Allahun si një të vetëm,  edhe nëse kryejnë ndonjë gjynah të madh, nuk kanë për t`u përjetësuar në zjarr. (Kjo kuptohet nga fakti që zjarri, si vendqëndrim përfundimtar, është përgatitur për qafirët. Ndërsa besimtarët gjynahqarë edhe nëse hyjnë në të  përkohësisht, ai nuk do të jetë për ta vendqëndrim përfundimtar. Për këtë arsye nuk mund të thuhet dhe nuk mund të quhet se ai është përgatitur për ta). Pra, nëse muslimanët gjynahqarë do të hynin në zjarr përjetësisht atëherë do të ishte gabim të thuhej: “Uid-det lil kafirin”- që është përgatitur për mosbesimtarët, pra që zjarri është përgatitur (si vendqëndrim i përjetshëm) vetëm për qafirët.

Ky është edhe mendimi i pasuesve të sunetit dhe xhematit, ndryshe nga ç`mendojnë hauarixhët dhe mu'tezilët (që pretendojnë se gjynahqarët janë përjetësisht në zjarr  edhe nëse janë muslimanë. Madje ata i konsiderojnë qafirë, çdokënd që bën ndonjë gjynah pavarësisht nga gjynahu që bën).

Ky ajet argumenton edhe faktin se ndëshkimi bëhet i meritueshëm nga shkaqe të ndryshme. Shkak për ndëshkim mund të bëhet  kufri (mohimi i Zotit) dhe të gjitha poshtërsitë dhe gjynahet në larmishmërinë e tyre.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

11.04.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com