All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE - AJETI 25

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

“Përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se do të kenë xhenete nën të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: ‘Me të tilla mirësi jemi furnizuar edhe më parë’. Atyre u dhurohen mirësi të ngjashme (për nga bukuria dhe madhështia e tyre). Atje do të kenë bashkëshorte të pastra. Ata do të jenë në të (në xhenete dhe mirësi të mrekullueshme) të përjetshëm.”

Shpjegimi  i ajetit

Allahu i madhëruar, pasi përmendi ndëshkimin e atyre që refuzuan besimin në Allahun, vijoi të përmendë edhe shpërblimin e besimtarëve që e shoqëruan besimin me punët e tyre të mira. Kjo është një mënyre tërheqëse dhe e urtë që Allahu i madhëruar e përdor në të gjithë Kuranin. Ai përmend njëra pas tjetrës propozimin dhe kërcënimin, për ta bërë robin që vazhdimisht të përjetojë edhe shpresën edhe frikë-respektin ndaj Krijuesit.

Allahu i drejtohet Profetit alejhi selam dhe çdokujt që kryen misionin e tij, si dijetarët, duatët etj, duke u thëne që:

Ue beshiril-ledhine amenu ue amilus-salihati -  وَبَشِّرِ الَّذِين آمَنُواْ وَعَمِلُواْ الصَّالِحَاتِ

Përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira.

Ue beshiril-ledhine amen - Përgëzoi ata që besuan,  me zemrat e tyre e me gjuhët e tyre;

ue amilus-salihati - dhe bënë vepra të mira,  me gjymtyrët e tyre duke e vërtetuar në këtë mënyre, me punë të mira, atë që e besuan me zemër dhe e shprehën me gojë.

Allahu i madhëruar i ka cilësuar punët e mira të cilat janë tregues i imanit të besimtarëve duke përdorur fjalën salihat që do të thotë:përmirësuese, rregulluese. Ka përdorur këtë fjalë, sepse ai që punon punë të tilla ato bëhen shkak që gjendja e adhuruesit  të rregullohet dhe të përmirësohet  hap pas hapi. Me të tilla punë rregullohen dhe përmirësohen  çështjet e (dynjasë, ahiretit) kësaj jete dhe të jetës tjetër, që do të përjetojë besimtari (ai që kryen punë të tilla). Me të tilla punë zbukurohet jeta  e kësaj bote  dhe jeta e amshueshme. Me të tilla punë largohen nga besimtari të gjitha gjendjet dhe cilësitë e këqija  dhe ai bëhet i denjë që të llogaritet mes të mirëve ( salihinëve ). Këta  salihinë - të mirë, janë pikërisht ata, që do të meritojnë të qëndrojnë dhe të përjetojnë lumturinë pranë Mëshiruesit në xhenetet që Ai ka përgatitur. Allahu i lartësuar urdhëron dhe thotë që përgëzojini ata se:

 

En-ne lehum xhen-natin -  أَنَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ

texhri min tahtihal enhar -   تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الأَنْهَارُ

se do të kenë xhenete

nën të cilat rrjedhin lumenj.

En-ne lehum xhen-natin - se do të kenë xhenete.  Pra do te kenë kopshte të tilla që fshehin në vetvete bimë dhe pemë të çuditshme, fruta të këndshme dhe hije të gjera. Degët e pemëve dhe bimët kacavjerrëse që gjarpërojnë në to, bëjnë që këto kopshte  të quhen: xhen-natin  - xhenete, që do të thotë: diçka e fshehur. Në këto xhenete, për shkak të dendësisë së bimësisë  dhe të pemëve të shumta,  lëvizin pa u dukur banorët e lumtur. Ata që hyjnë në to, përjetojnë gëzimin dhe lumturinë e asaj jete. Një bukuri tjetër që ndodhet dhe që përjetohet në këto xhenete është edhe ekzistenca e lumenjve që rrjedhin në to. Thotë Allahu i lartësuar texhri min tahtihel enharu - në të cilët rrjedhin lumenj. Në këto kopshte rrjedhin lumenj. Këta lumenj janë të llojeve të ndryshme: lumenj prej uji, lumenj prej qumështi, prej mjalti, prej pijesh (të këndshme). Këta lumenj burojnë dhe shpërthejnë  kudo ku besimtarët  i kërkojnë dhe i dëshirojnë. Besimtarët e drejtojnë rrjedhën e këtyre lumenjve  ku të dëshirojnë dhe prej tyre  ujiten e gjithë bimësia e xhenetit, për të gëluar plot fruta të këndshme e të shumëllojshme.

Kul-lema ruziku minha min themeratir-rizkan   -    كُلَّمَا رُزِقُواْ مِنْهَا مِن ثَمَرَةٍ رِّزْقاً

kalu hadhal-ledhi ruzikna min kabl    -      قَالُواْ هَـذَا الَّذِي رُزِقْنَا مِن قَبْلُ

Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij,

ata thonë: “Me të tilla mirësi jemi furnizuar edhe më parë”.

Sa herë që ata furnizohen me ndonjë frut prej frutave te xhenetit thonë: “Këtë furnizim e kemi përjetuar edhe më parë.” Këto fruta janë të të njëjtit lloj dhe cilësi. Të gjitha janë të njëllojshme në pamjen e këndshme dhe shijen e mrekullueshme. Nuk ka ndonjë frut që qëndron poshtë  të tjerëve nga cilësitë dhe nuk ka moment  që ata ta kalojnë pa shijuar dhe pa përjetuar kënaqësi në konsumimin e këtyre frutave.

Ue utu bihi muteshabiha  -     وَأُتُواْ بِهِ مُتَشَابِهاً

Atyre u dhurohen mirësi të ngjashme (për nga bukuria dhe madhështia e tyre)

Disa thonë që kuptimi këtu është se ushqimet janë të ngjashme në emrat e tyre, por  të ndryshëm në shije. Ose të ngjashme në ngjyrë, por të ndryshme në emërtimet e tyre. Ose ato janë të ngjashme me njëra-tjetrën në pamjen e tyre të bukur dhe në shijen dhe kënaqësinë që sjellin. Ndoshta ky kuptimi i fundit, është më i saktë për t'u pranuar.

Allahu i madhëruar pasi përshkroi vendqëndrimet e tyre vijon shpejt të përmendë  edhe gratë e besimtarëve. Ai i përshkruan ato me më të përsosurin, më të përmbledhurin, më të shkurtrin dhe më të qartin cilësim dhe përshkrim, duke thënë:

Ue lehum fiha ezuaxhum-mutah-heratu -   وَلَهُمْ فِيهَا أَزْوَاجٌ مُّطَهَّرَةٌ

Atje do të kenë bashkëshorte të pastra

Allahu i lartësuar kur ka përshkruar përsosmërinë  e bashkëshorteve të besimtarëve  i ka cilësuar ato me cilësinë mutah-herah- të pastra. Fjala e përdorur: mutah-herah -  të pastra është  në trajtën e pashquar. Dhe kjo të jep të kuptosh  se pastërtia e tyre nuk shquhet dhe nuk është e përcaktuar vetëm në këtë apo atë aspekt. Allahu i lartësuar nuk ka thënë që ato janë:Mutah-herah - të pastra dhe të ruajtura nga ajo apo kjo mangësi. Kjo padyshim është bërë për efekt përgjithësimi dhe  gjithpërfshirje të të gjitha dimensioneve të pastërtisë dhe përsosmërisë së atyre grave. Ato janë të pastra dhe të përsosura në aspektin e moralit të tyre, të fizikut, të fjalëve që thonë, të vështrimeve që dhurojnë etj. Nëse flasim për moralin dhe sjelljen e tyre, ato janë thellësisht shprehëse që në pamjen e tyre. Pamja e tyre shpreh thellë dashurinë për burrat e tyre. Dashurinë për ta dinë ta shprehin jo vetëm me pamje, por edhe me mënyra të tjera, me sjelljen dhe moralin e tyre. Të këndshme janë edhe fjalët e bukura dhe të ëmbla që ato u dhurojnë burrave të tyre. Ato kanë një edukatë të shkëlqyer fjalësh dhe veprimesh që i kënaqin pa masë burrat e tyre. Fiziku i tyre është i pastër nga çdo lloj mangësie e dobësie si: hajdi, nifasi, jashtëqitjet, sekrecionet e çdo lloji të pështirë. Të pastra nga çdo lloj arome e pakëndshme. Fiziku i tyre është i përsosur me bukurinë e rrallë me të cilën janë stolisur. Nuk mund të vëresh, tek sa i sheh me vëmendje, asnjë mangësi apo shëmtim. Madje ato janë të mirat, të bukurat. Ato janë të pastra në fjalët që thonë dhe në vështrimet që dhurojnë. Ato, me vështrimet të përqendruara tek burrat e tyre, tregojnë se janë të mahnitura pas tyre dhe kurrë nuk thonë fjalë të shëmtuara.

Në këtë ajet janë përmendur:

1. Përgëzuesi;

2. I përgëzuari;

3. Ajo me të cilën përgëzohet ky i përgëzuar;

4. Shkaku që bën të mundur të fitohet ky përgëzim;

 

5. Përgëzuesi është Profeti dhe kushdo që kryen misionin e tij nga prestarët e këtij meti;

6. Të përgëzuar janë besimtarët  që punuan punë të mira;

7. Përgëzime janë xhenetet e përshkruara me cilësitë e sipërpërmendura;

8. Shkaqet që bëjnë të mundur të fitohet ky përgëzim janë: besimi (imani) dhe punët e mira(që ai presupozoi).

Nuk ka asnjë mundësi përgëzimi  pa iman dhe pa punë të mira. Ky është më i madhi përgëzim  i bërë nëpërmjet  më të mirit të krijesave dhe që arrihet me më të mirin  dhe më të shkëlqyerin  mjet (besimi dhe punët e mira).

Ky ajet tregon se është e pëlqyeshme të përgëzosh besimtarët dhe të bëhesh shkak që ata të fitojnë optimizëm për punë të mira, duke iu përkujtuar shpërblimin që i pret. Punët e mira bëhen më të thjeshta dhe më të dashura kur përkujton shpërblimin e Allahut xheleshanuhu. Përgëzimi më i madh që përjeton njeriu në këtë jetë është suksesi që i jepet  atij për të besuar dhe për të bërë punë të mira.

Ue hum fiha halidun   وَهُمْ فِيهَا خَالِدُونَ        -  

Ata do të jenë në të (në xhenete dhe mirësi të mrekullueshme) të përjetshëm...

Pas këtij përgëzimi vjen përgëzimi në momentin e vdekjes. Dhe pas vdekjes, vjen takimi me këto mirësi të përjetshme të premtuara nga Allahu i madhëruar. E lus Allahun e lartësuar që të na bëjë edhe neve prej të përgëzuarve!

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

24.04.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com