TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 26 -27

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

Thotë i Lartësuari: “Allahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë ajo mushkonjë, a diçka edhe më e imët se ajo. Për sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se ai (shembull) është "e vërteta" nga Zoti i tyre. Ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë: “Ç’deshi Allahu me këtë si shembull?” Ai me atë (shembull) humb shumë, e po me të, udhëzon në rrugën e drejtë shumë, por në të vërtetë, (me atë shembull), Ai nuk humb askënd tjetërpërveç të shfrenuarve (që i kalojnë kufijtë).

Ata të cilët e thyejnë besën e dhënë Allahut pasi është lidhur. Ata e shkëpusin atë (lidhje) që Allahu ka urdhëruar të jetë e vazhdueshme, dhe në tokë mbjellin shkatërrimin. Pikërisht ata janë të dështuarit (që humbën gjithçka).”

 

Shpjegimi  i ajeteve

Thotë Allahu i madhëruar:

In-nellahe la jestehji ej-jedribe methelem-ma  -   إِنَّ اللَّهَ لاَ يَسْتَحْيِي أَن يَضْرِبَ مَثَلاً مَّا

Beudaten fe ma feukaha                                     -       بَعُوضَةً فَمَا فَوْقَهَا

Allahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli,

qoftë ajo mushkojë a diçka edhe më e imët se ajo.

 

Sepse shembujt që sillen në Kuran  janë plot urtësi dhe për të qartësuar të vërtetën. Dhe Allahu i lartësuar nuk nguron,  nuk druhet, që të shfaqë të vërtetën. Mesa duket ky ajet vjen si përgjigje ndaj atyre që nënvlerësojnë të tilla shembuj dhe nuk u duket e  drejtë sjellja në Kuran e këtyre shembujve rreth gjërave të imta e të parëndësishme (në dukje). Këta njerëz  sikur kundërshtojnë Allahun në këtë aspekt.  Por ky lloj kundërshtimi nuk është i drejtë dhe as me vend. Madje me këta shembuj të sjellë, Allahu i lartësuar kërkon të mësojë adhuruesit e Tij dhe kjo është shprehje e mëshirës së Tij për ta. Për këtë arsye këto shembuj duhen pranuar dhe për to duhet shprehur mirënjohje e lavdërim.

Për këtë arsye, Allahu i lartësuar thotë:

 

Fe em-mel-ledhine amenu                                       -     فَأَمَّا الَّذِينَ آمَنُواْ

Fe jea’lemune en-nehul hak-ku mir-rab-bihim. -    فَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِن رَّبِّهِمْ

Për sa u përket atyre që besuan,

ata e dinë se ai (shembull) është "e vërteta" nga Zoti i tyre,

 

Besimtarët kur u vjen ndonjë shembull nga Allahu i Lartësuar, thellohen që ta kuptojnë atë  dhe të meditojnë rreth saj. Nëse arrijnë të zbulojnë dhe të kuptojnë urtësitë e fshehura në këtë shembull në mënyrë të shtjelluar dhe imtësisht, atyre u shtohet dija dhe besimi. Por, edhe nëse nuk mundet të kuptojnë imtësisht gjithçka, ata janë të sigurt dhe e dinë mirë se kjo është e vërtetë e sigurt e sjellë nga Zoti i tyre.  Madje besojnë se edhe urtësitë e fshehura në këtë shembull të sjellë, janë të vërteta dhe të padiskutueshme edhe nëse nuk e dinë me hollësi se kush janë këto imtësi. Ata janë të sigurtë në diçka. Allahu i lartësuar nuk i ka sjellë këto shembuj kot, por për urtësi të shumta e të dobishme. I ka sjellë që krijesat të përfitojnë dije dhe përvojë.

 

Ue em-mal-ledhine keferu fe jekulune                             وَأَمَّا الَّذِينَ كَفَرُواْ فَيَقُولُونَ

Madha eradell-llahu bi hadha methela                             مَاذَا أَرَادَ اللَّهُ بِهَـذَا مَثَلاً

ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë:

“Ç’deshi Allahu me këtë si shembull?”

 

Ata duke kundërshtuar dhe shpërfillur këto shembuj tregojnë çoroditjen e tyre. Këto shembuj të sjellë, e shtojnë edhe më shumë mohimin në zemrat e tyre, sikundër besimtarëve u shtojnë dijen dhe besimin.

Prandaj Allahu i lartësuar thotë:

 

Judil-lu bihi kethirau-ue jehdi bihi kethira                  يُضِلُّ بِهِ كَثِيراً وَيَهْدِي بِهِ كَثِيراً

Ai me atë (shembull) humb shumë (njerëz  nga rruga e drejtë), e po me të, udhëzon (në rrugën e drejtë) shumë,

 

Kjo është gjendja e besimtarëve dhe e qafirëve  në momentin e zbritjes së ajeteve të Kuranit. Thotë Allahu i lartësuar: “Dhe kur zbret ndonjë kapitull (prej Kuranit)  ka prej tyre që thonë: ”Cilit prej jush ia shtoi besimin kjo (sure e shpallur)?” Atyre që besuan, u shtohet besimi dhe gëzohen për të. Ndërsa atyre që në zemrat e tyre  kanë sëmundje, ajo (shpallja e sures kuranore), ndytësisë së tyre ua shton (më shumë) ndytësinë, dhe ata vdesin si jobesimtarë.” Teube, 124 -125.

Nuk  ka mirësi më të madhe për adhuruesit se sa zbritja e ajeteve kuranore. E megjithatë, këto ajete, për disa bëhen sprovë dhe çoroditje (humbje). Ato ua shtojnë të keqen mbi të keqen që i pushton, ndërsa për disa të tjerë  është mëshirë  dhe shtim i të mirave, mbi të mirat që pandërprerë i përjetojnë. I lartësuar dhe i lavdëruar qoftë Ai që dalloi kë dëshiroi prej krijesave të Tij. Ai është i vetmi që ka pushtetin të të udhëzojë në rrugën e drejtë dhe i vetmi që nëse të lë në humbje askush nuk mund të të udhëzojë.

Më pas Allahu i madhëruar  tregon shkakun e humbjes së atyre që humbën duke shpjeguar se kjo është drejtësia e Tij.

Thotë i madhëruari:

 

Ue ma judil-lu bihi il-lel fasikin                                            وَمَا يُضِلُّ بِهِ إِلاَّ الْفَاسِقِينَ

Por në të vertetë, (me atë shembull), Ai nuk humb askënd tjetërpërvec të shfrenuarve (që i kalojnë kufijtë)                                             

 

(Fasikin)domethënë ata që janë larg bindjes ndaj Allahut dhe mohues të rreptë të rrugës së profetëve të Allahut. Të humburit janë ata të cilët janë të qëndrueshëm e të pandryshueshëm nga këto cilësi dhe baza të tyre. E pra urtësia e Allahut  e përcaktoi që këta njerëz, për shkak se nuk e meritojnë udhëzimin e Allahut, të mbeten në humbje. Ashtu si kundër, po Urtësia e Tij, presupozoi  që të udhëzojë ata që i dhanë përparësi imanit dhe u stolisën me punë të mira.

Fisku (kalimi i kufijve)është dy llojesh:

1. Fiskqë të nxjerr prej fesë i cili presupozon që i cilësuari me të, të mos ketë  besim, sikurse është edhe fisku që përmendet në këtë ajet...

2. Fiskqë nuk të nxjerr nga besimi (nuk të bën qafir, jobesimtar), sikurse permendet në  fjalën e Allahut në suren Huxhurate: “O ju  që keni besuar! Nëse ndonjë (fasik) ju sjell ndonjë lajm, qartësohuni, (sigurohuni) rreth atij lajmi. (në këte ajet nuk ka për qëllim fasikët që bejnë fisk të madh që të nxjerr nga Islami).

Më poshtë Allahu i madhëruar i përshkruan fasikët  (e mëdhenj të cilët fisku i tyre i bëri jobesimtarë)) dhe thotë:

 

El-ledhine jenkudune ahdell-llahi                                         الَّذِينَ يَنقُضُونَ عَهْدَ اللَّهِ

Min bea’di mithakihi                                                                        مِن بَعْدِ مِيثَاقِهِ

Ata të cilët e thyejnë besën e dhënë Allahut

pasi është lidhur.

 

Kjo besë është dy llojesh. Besë që është lidhur mes tyre dhe Allahut të lartësuar, dhe besë që është lidhur mes tyre dhe robërve. Beslidhje dhe kontrata këto, të cilat janë dokumentuar dhe regjistruar me elementë të shumtë sigurie. E megjithatë, fasikët, nuk pyesin fare për kontratat dhe marrëveshjet e bëra.  Ata i shkelin dhe i thyejne si marëveshjet dhe besën që kanë lidhur me Krijuesin, ashtu dhe kontratat dhe marrëveshjet me krijesat. Ata shpërfillin urdhërat dhe ndalesat e marra nga Krijuesi dhe shpërfillin të drejtat e krijesave dhe marëveshjet me ta. Përveç kësaj:

 

Ue jektaune ma emerall-llahu bihi ej-jusale             وَيَقْطَعُونَ مَا أَمَرَ اللَّهُ بِهِ أَن يُوصَلَ

Ata e shkëpusin atë (lidhje) që Allahu ka urdhëruar të jetë e vazhdueshme,

 

Këto lidhje, për të cilat Allahu i lartësuar ka urdhëruar që të ruhen, janë të shumta. Allahu i madhëruar na ka urdhëruar që së pari të mbajmë të pa prekur, të vazhdueshme, lidhjen mes nesh dhe Tij , duke forcuar besimin në fe dhe duke i shprehur Atij adhurimet tona në mënyrë të përsosur dhe me përkushtim.

Ai na ka urdhëruar që të mbajmë të forta, lidhjet  me profetin e Tij. Lidhjet me të mbahen, duke e besuar atë (në gjishçka që thotë, urdhëron apo ndalon), duke e ndihmuar atë dhe duke respektuar urdhërat e tij, duke i dhënë hakun e tij  në çdo aspekt.

Ai na ka urdhëruar që të mbajmë lidhjet me prindërit tanë, me të afërmit, miqtë dhe me të gjitha krijesat, duke u dhënë atyre hakun, sipas dispozitave të vendosura nga Allahu i madhëruar. Të gjitha këto lidhje duhet t`i mbajmë të forta dhe të paprekëshme.

Besimtarët i mbajtën fort të gjitha ato lidhje për të cilat i urdhëroi Allahu i madhëruar, duke i dhënë hakun  çdo aspekti, në formën më të përsosur  dhe më të bukur. Ndërsa fasikinët ndërprenë dhe shkatërruan çdo lidhje dhe harmoni, tek gjithçka që i rrethon, duke flakur tej të drejtat e të gjithëve, me shfrenimin e tyre dhe me punët e shëmtuara dhe të poshtra që paraqitën. Vepra e tyre, ndryshe quhet edhe: shkatërrimi i tokës. Allahu i lartësuar e përkufizon krimin e tyre me fjalët:

 

ue jufsidune fil erd                                                                    وَيُفْسِدُونَ فِي الأَرْضِ

dhe në tokë mbjellin shkatërrimin.

 

Përfundimi i të tillëve është i qartë:

 

ulaike  humul hasirun                                                             أُولَـئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ

Pikërisht ata janë të dështuarit (që humbën gjithçka).

 

Këta, cilësitë e të cilëve u përmendën, janë të dështuarit dhe të humburit në dynja dhe në ahiret.

Allahu i madhëruar e ka përkufizuar, posaçëruar, dështimin  dhe humbjen vetëm për këta lloj njerëzish, sepse dështimi i tyre është i përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës i të gjitha gjendjeve të tyre. Ata nuk përjetojnë asnjë lloj fitimi (suksesi), sepse çdo punë e mirë (që sjell fitim e sukses), ka si kusht të saj për të qenë e tillë, imanin (besimin). Pra, ai që nuk ka iman, nuk ka as punë (që t`i merren në konsideratë). Ky është dështimi dhe humbja që mbjell kufri (mungesa e imanit). Por dështimi dhe humbja mund të jenë të mbjella ose nga kufri, ose nga gjynahet dhe gabimet, ose nga neglizhenca e treguar ndaj punëve të pëlqyeshme. Në këtë lloj dështimi dhe humbjeje janë të predispozuar të përfshihen të gjitha krijesat, përveç atyre  që u cilësuan me 4 cilësi:

1. besuan;

2. punuan punë të mira;

3. këshilluan njeri-tjetrin për të drejtën (që t’i përmbahen të vërtetës);

4. dhe këshilluan njëri-tjetrin për durim.

Sikurse thotë i madhëruari në suren Asr : "Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, bënë vepra të mira, porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen së vërtetës dhe e këshilluan njëri-tjetrin për të qenë të durueshëm."

Me fjalë të tjera, esenca e kësaj humbjeje dhe i këtij dështimi, konsiston në mos arritjen e atyre mirësive, të cilat adhuruesi i kishte plotësisht mundësitë për t`i arritur. (hasara) dështimi humbja është mos arritja e asaj që është brenda mundësive për t'u arritur.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

20.06.2010